Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Ramush Haradinaj ka komentuar kalimin e Ligjit për rimëkëmbje ekonomike, pas tentimit të tetë dhe atë vetëm pas përkrahjes së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për shkak të mungesës së votave të nevojshme.
Ai në Debat Plus të TV Dukagjinit ka thënë se Qeveria Hoti ka votat e mjaftueshme në Kuvend, por e ka pranuar se 61 votat aktuale nuk janë të mjaftueshme për të qenë stabil.
Sipas tij, zvarritja e Ligjit për rimëkëmbje ekonomike ka ndodhur për shkak të refuzimit nga Lista Serbe, e cila është pjesë e koalicionit qeverisës, ndërsa tha se Partia Demokratike e Kosovës nga radhët e opozitës ka vepruar drejt kur ka votuar pro këtij ligji të rëndësishëm.
Ligji për rimëkëmbje ekonomike mori 72 vota të premten në Kuvend, ndërkohë që para deputetëve do të dalë edhe çështja e buxhetit, për të cilën Haradinaj tha se do të diskutohet me partitë opozitare, në mënyrë që të sigurohen votat e nevojshme.
“Mos miratimi i buxhetit do të shkaktonte krizë në këtë kohë të pandemie dhe do të ishte e rrezikshme”, tha Haradinaj.