Është bërë përurimi i përfundimit të punimeve për ndërtimin e ujësjellësit në 6 fshatra të komunës së Skenderajt. Ceremonia e përurimit të këtij projekti është mbajtur në shkollën fillore “Vëllezërit Frashëri”, në fshatin Qubrel.
Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari është shprehur i lumtur për përfundimin e këtij projekti pasi që, siç thotë ai po bëhet për herë të parë për 6 fshatra të kësaj komune.
“Jam shumë i lumtur që sot bashkë po përurojmë një projekt jetik për banorët e Qubrelit, Kllodernicës, Kopiliqit të Epërm, Vojnikut, Ozdrimit dhe një pjesë të Jashanicës që i përkasin territorit të komunës sonë. Instalimi i ujësjellësit në këto 6 fshatra, për herë të parë në histori të njerëzimit, në këtë kohë pandemie është lajm i jashtëzakonshëm për qytetarët e këtyre fshatrave të cilët janë ballafaquar me mungesë të ujit të pijshëm”, ka thënë Jashari.
Ndërsa ka shtuar se projekti për furnizim të këtyre fshatrave me ujë të pijshëm është mundësuar nga Qeveria Zvicerane, dhe Qeveria e Kosovës.
“Andaj në emër të qytetarëve të komunës sonë falënderoj donatorët për financimin e këtij projekti. Krahas sigurimit të ujit të pijshëm për këto 12 fshatra të komunës së Skenderajt, këtë vit ka filluar dhe tani është në finalizim edhe projekti ‘Ndërtimi i Ujësjellësit’ në 10 fshatra tjera të komunës, nga i cili do të përfitojnë gjithsej 12364 banorë dhe i cili është donacion i Qeverise Zvicerane dhe Qeverisë së Kosovës kurse implementohet nga CDI – ja dhe ka një vlerë rreth 1.4 milion Euro.”, ka thënë Jashari.
Ndërsa drejtori i shkollës fillore “Vëllezërit Frashëri”, Florim Rrustemi ka thënë se kërkesa për furnizim të këtyre fshatrave me ujë të pijshëm ishte kërkesëe kamotshme, por falë donatorëve u realizua.
“Fshati ynë tash furnizohet me ujë të pijshëm nga sistemi i ujësjellësit nga Mitrovica… ishte kërkese e kamotshme e çdo familje të këtij fshati, e po ashtu edhe në shkollën tonë ku vijojnë mësimet nxënësit e dy fshatrave Qubrel dhe Vitak, mungesa e ujit ishte evidente edhe pse ka qenë kërkese qysh moti që nxënësit të kenë ujë të pijshëm sot, e kjo kërkese u bë realitet falë donatorëve”, ka thënë Rrustemi.
Drejtori i kësaj shkolle ka falënderuar kryetarin e kësaj komune, Bekim Jasharin, si dhe donatorët për financim të projektit për furnizim me ujë të pijshëm për këtë shkollë, por edhe fshatrat të cilët lidhen në këtë furnizim.