Gjykata Themelore në Ferizaj ka dënuar me një vit e gjysmë burg dhe 1.400 euro gjobë të pandehurin V.B. dhe 1 vit burg dhe 400 euro gjobë D.P., shtetas i Shqipërisë, për veprat penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substanca psikotrope dhe analoge, dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
Të pandehurit akuzohen se më 07.04.2020, me qëllim të shitjes kanë poseduar pa autorizim substanca narkotike të llojit kokainë në atë mënyrë që Njësia e DHTN-së, në Ferizaj, pas një pune operative dhe gjatë kontrollimit, në trupin e të akuzuarës D.P dhe atë nën reçipeta është gjetur një qese me kokainë me peshë 49.07 gramë. Me pëlqimin e të akuzuarve është kontrolluar banesa ku banonin dhe gjatë kontrollit janë gjetur 5 qese me substancë narkotike kokainë me peshë 34.39 gramë, 9.79 gramë, 3.06 gramë, 0.35 gramë dhe 0.4 gramë, e që pesha e përgjithshme e narkotikut ishte 96.70 gramë.
Po ashtu, janë gjetur edhe tri peshore digjitale për matje të narkotikut të cilat janë sekuestruar nga ana e policisë.
Palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.
Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.