Zëvendëskryeministrja Albulena Balaj ka pritur në takim studentët e Fakultetit Filozofik të Universitetit “Hasan Prishtina”.
Balaj thotë se ishte kënaqësi për të që të takohet me përfaqësuesit e studentëve të këtij fakulteti e ku diskutuan për nevojat dhe kërkesat e tyre.
“Sot pata kënaqësinë që të pres përfaqësuesit e studentëve të Fakultetit Filozofik të Universitetit “Hasan Prishtina” në Qeverinë e Republikës së Kosovës, ku së bashku diskutuam për nevojat dhe kërkesat e studentëve. Në kuadër të situatës aktuale në vend, studentëve u premtova se do të angazhohem për çështjet të cilat u diskutuan, në veçanti për ndihmën institucionale që i’u duhet studentëve në këtë kohë pandemie”, ka shkruar Balaj.
Balaj thotë edhe se ndryshimit të domosdoshëm në vend i duhet forca rinore.
“Ndryshimit të domosdoshëm në vendin tonë i duhet forca rinore, si energjia e vetme mbi të cilën mund të mbështetemi, andaj studentët i inkurajova që sa më shumë të jenë aktiv në jetën shoqërore dhe mbikëqyrjen e politikave, duke i ftuar që të vazhdojmë koordinimin dhe duke i siguruar se zyret e kabinetit tim do jenë në çdo kohë në dispozicion të të rinjve me potencial dhe vullnet për punë të mbara”, ka shkruar Balaj.