Nënkryetari i parë i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, konfirmoi se të hënën do të jenë në takimin që është ftuar nga kandidati për kryeministër Albin Kurti dhe pretenduesja për presidente Vjosa Osmani. Mirëpo, tha se nuk kanë vendim nëse do të bëjnë kuorumin kur të votohet presidenti.
Pas mbledhjes së kryesisë së Aleancës që është mbajtur ditën e sotme, Gjini tha se do t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së kreut të Vetëvendosjes.
“Sot kemi pasur konsulta të kryesisë edhe kryetari Haradinaj dhe Aleanca do t’i përgjigjen ftesës së z. Kurti dhe do të marrim pjesë ashtu siç është paraparë”, deklaroi Gjini para mediave.
Gjini tha se presin nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje të tregojë për natyrën e takimit dhe se cilat janë kërkesat dhe më pas do të marrin vendim për to, përfshirë edhe nëse janë të gatshëm të heqin dorë nga posti i presidentit për të cilin pozitë është i kandiduar edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
“Me siguri se z. Kurti duhet të tregojë për natyrën e takimit. Ne do të marrim pjesë, është kulturë demokratike, është mënyrë normale e komunikimit. Rezultate të zgjedhjeve kemi, por demokracia është përgjegjësi e të gjithëve. Edhe njëherë duhet të them z. Kurti duhet të tregojë natyrën e takimit kur të zhvillohet dhe atëherë do të shohim si do të zhvillohet më tutje”, vijoi Gjini.
I pyetur nëse do të qëndrojnë në seancën e Kuvendit për të bërë kuorumin për Osmanin kur të votohet si presidente, Gjini tha se nuk kanë vendim as për këtë çështje.
“Këtë vendim ende nuk e kemi marrë. Besoj janë çështje që do të sqarohen në ditët dhe javët që vijnë është herët të spekulojmë”, u shpreh nënkryetari i AAK-së.