1 mijë e 482 qytetarë në Kosovë kanë vdekur shkak i infektimit me virusin korona që nga marsi i 2021-s kur edhe u shfaqen edhe rastet e para pozitive SARS CoV2 në vend.
Pozitivë me COVID-19 rezultuan 59 mijë e 304 persona. Kështu bëhet e ditur në raportin e fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK).
Aktualisht në vend janë 6 mijë e 109 raste aktive me COVID-19. Më së shumti raste janë paraqitur në Komunën e Prishtinës, ku vetëm në raportin e fundit në Prishtinë janë raportuar 116 raste të reja me COVID-19.
“Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 1.652 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 316 raste pozitive. Brenda 24 orëve janë raportuar 3 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Prishtinë 2 raste (85, 81 vjeç), Drenas 1 rast (74 vjeç). Numri total i rasteve pozitive është 59.304 raste nga 227.482 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.482 raste të vdekjes. Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 195 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 51.713 raste, kurse numri i rasteve aktive është 6.109. Rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 116 raste, Prizren 35 raste, Mitrovicë 23 raste, Gjilan 21 raste, Vushtrri 15 raste, Fushë-Kosovë 12 raste, Gjakovë 10 raste, Lipjan 10 raste, Ferizaj 9 raste, Skenderaj 9 raste, Viti 8 raste, Kamenicë 6 raste, Podujevë 6 raste, Rahovec 6 raste, Dragash 5 raste, Klinë 5 raste, Drenas 4 raste, Kaçanik 3 raste, Malishevë 3 raste, Obiliq 2 raste, Pejë 2 raste, Suharekë 2 raste dhe me nga një rast komunat Graçanicë, Istog, Novobërdë dhe Shtime”, thuhet në njoftimin e fundit të IKSHPK-së.