Zyra ligjore e Kuvendit të Kosovës ka rekomandu që Komisioni Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Kosovë nuk ka kompetencë ligjore për pezullimin e lëshimit të lejeve të reja dhe rilicencimin e hidrocentraleve.
Në mbledhjen e sotme, njëzëri gjithë anëtarët e këtij komisioni kanë shprehur indinjatën e thellë ndaj ZRRE-së për lëshimin e licencave të operimit afatgjatë për dy hidrocentralet e Kelkosit.
Në lidhje me këtë vendim, kryetarja e komisionit, Eliza Hoxha tha se Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka bërë një akt të pandershëm, pasi sipas saj para dy jave në komision kanë thënë se Kelkos nuk i ka plotësuar kushtet për licenca.
Ndërkaq, anëtari i komisionit nga radhët e LVV-së, Artan Abrashi tha se puna e këtij komisioni dhe Kuvendit është goditur nga ZRRE-ja në vendimin e tyre të fundit.