Në Vrajakë të Rahovecit sot është vënë gurthemeli për ndërtimin e shkollës fillore të mesme të ulët “Tre dëshmorët”. I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhekryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti i cili uroi nxënësit, arsimtarët, prindërit dhe të gjithë qytetarët për fillimin e punimeve të kësaj shkolle të re.
Ai tha se ndërtimi i kësaj shkolle më së shumti do t’i shërbejë banorëve të kësaj ane.
Kryeministri Hoti shpreson që kompania t’i kryej me kohë punimet në mënyrë që prerja e shiritit inaugurues të bëhet verën e vitit të ardhshëm.
“Besoj që është një shkollë që do i shërbejë më së miri komunitetit në këtë pjesë, dy fshatrave, Vrajakë – Bratotin me gjithë infrastrukturën përcjellëse. Unë iu lus që pastaj të kujdesemi që edhe sallat e tjera dhe oborrin e shkollës, si dhe fushat tjera përcjellëse të jenë të kompletuara, për të ofruar kushte të njëjta të mësimit si këtu, si në çdo shkollë tjetër gjithandej nëpër Kosovë”, u shpreh kryeministri Hoti.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj derisa rahovecasit i uroi për këtë shkollë, shprehu besimin e tij se deri në vitin tjetër do kompletohet ky objekt mësimor.
“Duke dëshiruar që të kemi infrastrukturë të mirë ne jemi duke punuar me kryeministrin Hoti po ashtu edhe kryetari me ekipin e tij kanë qenë shumë aktiv me kërkesat e tyre jo vetëm për shkollë por edhe për shkollat tjera që të sigurojnë kushte më të mira nxënësve. Ju e meritoni jeni popull punëtor”, tha Likaj.
Kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi vënien e gurthemelit të kësaj shkolle e ka quajtur një lajm të mirë për nxënësit e kësaj ane.
Latifi tha se objekti i kësaj shkolle i plotëson të gjitha kushtet dhe është investim i Qeverisë së Kosovës me një kosto mbi 365 mijë euro.
“Kontrata është nënshkruar sot po fillojmë punimet, vlera e kontratës është 365 mijë e 885 euro. Është projekt që financohet nga Qeveria e Kosovës përkatësisht ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe besoj që edhe kompania që e ka fituar këtë të drejtën për me ekzekutua këtë projekt e ka një plan dinamik dhe nuk do na turpëroj as neve as nxënësit as mësimdhënësit por do e kryejnë në përputhje me planin dinamik por edhe me cilësi ashtu siç është e paraparë me kontratë. Sepse ky objekt i plotëson standardet. Mësimi tash e tutje në objektin e ri do jetë një ditor ka nëntë klasa plus klasën për parashkollor, do jetë një objekt bashkëkohor që i plotëson standardet e kërkuara me trendin ku jemi”, tha ai. /kp