×
  • Lajme
  • Lajme

    ​Szunyog: Marrëveshja finale duhet të mbyll të gjitha çështjet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë

    FrontOnline
    16 Tetor 2020

    “Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian janë duke punuar ngushtë për të garantuar stabilitetin në Kosovë”. Kështu po thekson ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, sipas të cilit dialogu mes Kosovës dhe Serbisë po zhvillohet me një synim, për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe për mbylljen e çështjeve të hapura mes të dyja vendeve. Veç tjerash, ai konsideron se Kosova ka të ardhme evropiane, por që rruga nuk është e lehtë.

    Për ambasadorin e BE-së në Kosovë sfida më e madhe për vendin, është implementimi i legjislacionit, derisa shtoi se varësisht nga performanca e një vendi, varen edhe marrjet e fondeve.

    Ai në një diskutim me studentët e Fakultetit Juridik, ka folur edhe për marrëveshjen e nënshkruar mes Kosovës dhe Serbisë në Uashington. Ndër tjera, shtoi se brenda institucioneve të Kosovës ka mungesë të koordinimit të punëve evropiane.

    “Ka dialog që jo vetëm që po lehtësohet nga Bashkimi Evropian, por është mandatuar edhe nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së. Dhe ato zotime të njëanshme, kisha me thënë disa prej tyre janë pozitive edhe mund të jenë në dobi të dialogut, në disa mënyra. Por, janë disa të cilat nuk lidhen me dialogun apo me marrëdhëniet Kosovë-Serbi, apo Kosovë-BE. Ka elemente pozitive dhe elemente të tjera. BE dhe ShBA po punojnë shumë ngushtë për të garantuar stabilitetin dhe prosperitetin e Kosovës dhe tërë regjionit”, ka deklaruar ai.

    Shefi i BE-së thekson se synimi i dialogut në Bruksel është arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse e cila do të normalizonte marrëdhëniet mes dy shteteve.

    “Dialogu zhvillohet me synimin për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse, detyruese për normalizimin e marrëdhënieve. Dhe kjo marrëveshje duhet të mbyll të gjitha çështjet e hapura ekzistuese mes Kosovës dhe Serbisë”, ka deklaruar ai.

    Kështu ka theksuar ai në diskutimin me studentët e Fakultetit Juridik në kuadër të “Guest Speaker Program” me temën “Rruga Evropiane e Kosovës dhe Kushtëzimi për Zgjerimin: Çfarë duhet të bëjë Kosova për t’i ndjekur reformat shpejt dhe më seriozisht?”.

    Ambasadori i BE-së, Tomas Szunyog ka theksuar edhe të gjeturat e Raportit për Kosovën nga Komisioni Evropian. Ai ka theksuar ka pasur progres të kufizuar në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

    “Sfida më e madhe këtu në Kosovë është implementimi i legjislacionit. Sepse legjislacioni zakonisht në shumicën e rasteve është modern, relativisht i ri, është i ngjashëm me standardet e BE-së. Nuk është problemi legjislacioni, ka disa boshllëqe, disa ligje mungojnë, por sfida kryesore është implementimi i legjislacionit dhe ndjekja e legjislacionit. Dhe ka boshllëqe domethënëse”, ka shtuar ai.

    E si shkak i përhapjes së pandemisë COVID-19, ai tha se ka pasur edhe vonesa në procedura penale, e që Kodi i Procedurës Penale specifikon se nëse nuk ka seancë për tre muaj, gjykimi duhet të rifillojë.

    “Gjetja kryesore në Raportin për Kosovën ka filluar me një deklaratë të thjeshtë që nuk ka rrugë të shkurtër, nuk ka me i ra shkurtër rrugës drejt Evropës. Ka mangësi në Kosovë, duhet të bëhet reforma në sundimin e ligjit, me implementim në mënyrë të ashpër dhe me rezultate. Dhe këto rezultate nuk janë për Brukselin, sepse gjyqësori efektiv, luftimi kundër korrupsionit dhe ekonomia më e fortë e shtetit i shërben Kosovës dhe qytetarëve të Kosovës. Në përgjithësi Komisioni Evropian ka deklaruar se ka progres të kufizuar, periudha me turbulenca politike. Me zgjedhje të hershme, dy herë ndryshoj qeveria, pastaj kemi pasur periudha shumë të gjata të qeverive në detyrë. Pastaj bllokimi si rezultat i COVID-it ka pasur efekt negativ edhe vendi nuk është përmirësuar si formë e përfaqësimit politik”, u shpreh ai.

    Ai u shpreh kritik për gjendjen e arsimit, që sipas tij dëshmohet edhe me rezultatet e fundit të PISA-s. Ambasadori i BE-së në Kosovë shtoi se nga mosha 18 deri 30 vjeçare, 40 për qind e të rinjve janë të papunë, e që sipas tij faktori kryesor është arsimi i dobët.

    Ndërsa, dekani i Fakultetit Juridik, Avni Puka tha se nga qytetarët rruga integruese po shihet si sfidë. Theksoi se pret nga studentët që të japin kontributin e tyre pa kompromis, pa amnistuar asnjë dukuri për të luftuar korrupsionin e nepotizmin.

    Nga Rubrika
    Lajme15 Nëntor 2024
    Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli ka reaguar pas ndërprerjes së ndeshjes mes Kosovës dhe Rumanisë në Bukuresht. Ndeshja është ndërprerë pas thirrjeve...
    Lajme15 Nëntor 2024
    Inspektorati i Punës, ka kryer kontrolla në pompat e derivateve dhe lokaleve të masazheve. Kryeinspektori i Inspektoratit Qendror të Punës, Hekuran Nikçi...
    Lajme15 Nëntor 2024
    Deputetja e parlamentit të Suedisë, Helena Bouveng dhe ambasadori suedez në Prishtinë, Jonas Westerlund, kanë deklaruar se Kosova do ta ketë mbështetjen...
    Të tjera
    Sport15 Nëntor 2024
    Lojtarët e Kosovës kanë vendosur të lëshojnë fushën pas provokimeve dhe thirrjeve raciste nga tifozët ultras të Rumanisë kur ndeshja ishte në...
    Vip15 Nëntor 2024
    Xuxi i ka kërkuar falje vëllait të Xhenetës, Xhaferit, lidhur me deklaratën e tij për familjen, dhe ia ka falur! “Hallall ta...
    Vip15 Nëntor 2024
    Xuxi ka përqafuar Xhenetën dhe vëllain e saj që erdhi në shtëpinë më të famshme në vend. Të dy ia pranuan kërkimfaljen...
    Vip15 Nëntor 2024
    Vëllai i Xhenetës, Xhaferi, ka hyrë brenda shtëpisë më të madhe në vend duke iu drejtuar Xuxit për fjalët që ky tha....
    Vip15 Nëntor 2024
    Vëllai i Xhenetës, Xhaferi, ka hyrë në shtëpi për të takuar motrën e tij. Xheneta ishte e ngrirë me komandë nga ‘Vëllai...
    Vip15 Nëntor 2024
    Xuxi ka kërkuar falje Xhenetës lidhur me deklaratën e tij për familjen kësaj të fundit. Xuxi, i cili i ka thënë Xhenetës...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.