Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Rexhep Selimi është i treguar i ashpër në kritikat e tij kundër kryeministrit Avdullah Hoti, për takimin e 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë, ku Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për normalizim të raporteve ekonomike.
Ai gjatë seancës plenare ku po mbahet interpelanca me kryeministrin Avdullah Hoti, tha se ky i fundit me një udhëtim në Uashington e zhbëri kufirin, tentoi të ndajë Liqenin e Ujmanit dhe i hapi rrugë hyrjes së Kosovës në nismën e mini-Shëngenit, të cilën më herët ai personalisht e kishte kundërshtuar.
Selimi tha se arsye e rrëzimit të Qeverisë Kurti është se ajo i vuri reciprocitet Serbisë.
“Meqë e përmende Kurtin, po ju u bëtë bashkë me PDK bashkë edhe me AAK-në e me Nismën e me Listën Serbe, por ju nuk e rrëzuat Kurtin për arsye se duhet të rrëzoni një qeveri, por për shkak se ajo qeveri vuri reciprocitet ndaj Serbisë e më qëllim ishte heqja e reciprocitetit përmes rrëzimit sesa rrëzimi i Qeverisë. Po ashtu, ai ka bërë shumë mirë që nuk ka pranuar me marrë këtë ndërmarrje që ju e morët përsipër, që shpresoj të mos e realizoni, sepse vetëm me një udhëtim ju atje u munduat dhe e zhbëtë kufirin, atje tentuat ta ndani Ujmanin, atje i hapët rrugë atij që e quani mini-Shëngen e është zonë e Novi Sadit. Prandaj, puna më e mirë që do të bënit është mos shkoni më, sepse paramendoni me një ‘të rame’ çka i sollët Kosovës”, tha ai.
Selimi ka kritikuar qeverinë edhe sa i përket çështjes së të pagjeturve, që tha se i ka barazuar me të zhvendosurit.
“Nëse asnjërit, atëherë pranojeni ardhjen e kësaj ideje. Në Uashington hoqët dorë nga pika 10 dhe i barazuat të pagjeturit me të zhvendosurit, paramendojeni çka sillni nga Brukseli ju. Të pagjeturit janë plaga që kullon nga lufta, këtë plagë e lënduat me barazimin. Këtu premtoni që po shkoni për njohje e në Komisionin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian premtoni ‘Zajednicën’. Në cilin rast duhet t’ju besojmë?”, tha ai.