Përpara ndeshjes së zhvilluar dje ndërmjet Shqipërisë dhe Anglisë, e vlefshme për kampanjën kualifikuese “Katar 2022”, në tribunat e stadiumit “Air Albania” ishte vendosur një koreografi në të cilën bënte pjesë edhe figurën e komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari.
Por, ku ndeshja filloi, u vërejt se ajo ishte larguar dhe më pas u mësua që një gjë të tillë e kishte kërkuar UEFA e cila madje edhe kishte kërcënuar me anulimin e ndeshjes nëse kjo nuk bëhet.
Tani, për ta sqaruar më në detaje gjithë situatën, kanë reaguar grupi i tifozëve “Tifozat Kuq e Zi” të cilët kanë shpjeguar gjithçka që ndodhi në lidhje me këtë çështje, përcjellë KosovaPress.
Sipas tyre, ata vendosë në shkallët e stadiumit pesë heronj të historisë, por pas kësaj, UEFA kishte filluar inspektimin e fotografisë dhe kishte kërkuar largimin e figurës së Adem Jasharit.
Ky është postimi i plotë sqarues i “Tifozave Kuq e Zi” në faqen e tyre në “Facebook”
“Përpara zhvillimit të ndeshjes së djeshme Shqipëri – Angli vendosëm të përgatisnim një koreografi me anë të së cilës jo vetëm që do t’ju jepte zemër çunave por edhe do të përfaqësonte të gjithë ata shqiptarë që do të donin të ishin në krah të kombëtares në një kohë kur prezenca fizike nuk ju lejohet.
Me anë të mesazhit “Me sytë dhe zemrën tek ju” i treguam djemve se ishim me ta si në çdo ndeshje tjetër.
Po ashtu, bashkë me këtë mesazh zgjodhëm të “ulnim” në shkallët e stadiumit pesë heronj të historisë tonë. Por pasi kjo koreografi u shpalos në stadium dhe ne na larguan për arsye sigurie, UEFA kishte nisur ispektimin e koreografisë.
Pas kësaj morëm vesh nga ekranet që ata kishin vendosur të hiqnin nga pjesa e koreografisë fotografinë e Bacës Adem duke e lënë të paplotë koreografinë tonë.
Edhe pse ne nuk ishim në shkallët e stadiumit, ajo që ndodhi ditën e djeshme me fshehjen e Bacës Adem ishte një ngjarje e shëmtuar.
Nuk e dimë ende se cili është arsyetimi apo konkluzioni që UEFA na ndalon ti shpalosim heronjtë tanë kombëtar.
Luftrat kanë mbaruar dhe ne jemi për paqe, por mesa duket lobimi serb ka punuar aq fort në UEFA sa për ta larguar tmerrin e tyre, Adem Jasharin nga stadiumi.
Ai është ende gjallë dhe mes nesh, kështuqë do e keni sërish në çdo ndeshje e stadium, doni apo s’doni ju.”