×
  • Lajme
  • Lajme

    ​Qendrat për Punë Sociale s’kanë kapacitete për strehimin e fëmijëve

    FrontOnline
    20 Nëntor 2020

    Qendrat për Punë Sociale sfidë kryesore kanë kapacitetet e pakta për strehimin e fëmijëve, ku ekziston vetëm një OJQ që strehon fëmijët dhe që është e specializuar për këtë gjë. Ndërsa, strehimoret tjera që janë për viktimat e dhunës mund të strehojnë vetëm një moshë të caktuar të fëmijëve dhe nuk mund të strehojnë fëmijët djem të moshës mbi 12 vjeçare.

    Këto janë disa të gjetura të raportit “Analiza e Nevojave mbi kapacitetet e Qendrave për Punë Sociale në fushën e promovimit dhe mbrojtjes së fëmijëve”, raport i cili është publikuar sot në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve.

    Ky raport është financuar nga BE i menaxhuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe është implementuar nga SOS Fshatrat e Fëmijëve të Kosovës në partneritet me Handikos.

    Petrit Sopjani, ekspert, ka prezantuar të gjeturat e analizës, ku tha se strehimi është një nga sfidat kryesore që përmendin Qendrat për Punë Sociale.

    “QPS-të kanë treguar alternativa shumë të pakta të kapaciteteve të strehimit, pra strehimi është një nga sfidat kryesore që përmendin QPS-të. Pra, kemi shumë pak kapacitete strehuese për fëmijë, pra kemi vetëm një OJQ që strehon fëmijë që është e specializuar për strehimin e fëmijëve, ka kapacitete të limituara dhe strehimoret tjera që janë strehimore për viktimat e dhunës mund të strehojnë vetëm një moshë të caktuar të fëmijëve e gjithsesi nuk mund të strehojnë për shembull djem të moshës mbi 12 vjeçare dhe kjo është një sfidë në vete. Skemat e asistencës sociale shpesh raportohet si të vogla, të pamjaftueshme dhe ka ankesa të vazhdueshme nga klientët. Skemat sociale siç dihet menaxhohen nga niveli qendror dhe QPS-të konsiderojnë se ekziston një buxhet mjaftë i ulët në nivelin lokal për mbulimin e kostove të funksionimit të QPS-ve, stafit dhe nevojave tjera emergjente.

    Ai tha se analiza e rishikimit të ligjeve dhe raporteve ka treguar se ekziston një infrastrukturë e kënaqshme legjislative, por që tha se shihet se ekziston nevoja për përmirësim në të ardhmen për disa akte nënligjore apo udhëzime administrative.

    Në bazë të të gjeturave të raportit, ai tha se kanë hasur në indikacione se ka ngecje në nivele të ndryshme të zbatimit që zakonisht kushtëzohen nga disa aspekte, ato janë mungesa e stafit dhe profile profesionale të ofruesve të shërbimeve, shërbime jo-adekuate dhe jo konsistente, financim i dobët dhe i papërshtatshëm, planifikim dhe koordinim i fragmentuar dhe i paqëndrueshëm.

    “Kompetencat të cilat janë decentralizuar nga niveli qendror në atë komunal kanë një vështirësi dhe një sfidë në aspektin e financimit të paqëndrueshëm të shërbimeve sociale dhe familjare dhe pengon përfundimin e procesit të decentralizimit. Pra, është shumë e rëndësishme të theksohet që QPS-të të japin indikacione se deri më tani, fusha e shërbimeve sociale dhe familjare nuk është trajtuar si prioritet nga autoritetet komunale”, tha ai.

    Sopjani u shpreh se derisa në rajon dhe në botë ka rritje të numrit të fuqisë punëtore në punën sociale, në Kosovë nuk po ndodh një gjë e tillë. Ai përmendi se si kur punëtorët socialë pensionohen apo japin dorëheqje jo çdo herë zëvendësohen me staf të ri.

    Qendrat për Punë Sociale kanë shprehur ankesa edhe sa i përket organizimit të brendshëm, kuzyrat ndahen ndërmjet dy ose më shumë zyrtarëve, pa privatësi kur pranojnë klientë dhe bisedojnë me ta për çështje delikate dhe të ndjeshme.

    Ai ka paraqitur edhe disa rekomandime sa i përket QPS-ve, ku tha se numri i zyrtarëve për shërbime sociale duhet të rritet. Po ashtu, ai tha se infrastruktura e zyrës ka nevojë për azhurnim të madh, derisa përmendi që zyrat duhet të sigurojnë qasje të plotë për të gjithë klientët përfshirë personat me aftësi të kufizuara.

    Pjesë e rekomandimeve është edhe rritja e kapaciteteve të strehimoreve dhe qendrave ditore të kujdesit për kategori të ndryshme të fëmijëve në nevojë.

    Burim Behluli nga SOS Fshatrat e Fëmijëve të Kosovës, tha se kjo analizë do të shërbejë si bazë për avancimin e shkathtësive dhe njohurive të mëtutjeshme të të gjithë punëtorëve në QPS-të.

    “Kjo analizë do të shërbejë si bazë për avancimin e shkathtësive dhe njohurive të mëtutjeshme të të gjithë punëtorëve që punojnë në Qendrat për Punë Sociale në fushën e mbrojtjes së fëmijëve dhe sidomos tash pas hyrjes në fuqi të ligjit për mbrojtjen e fëmijëve”, tha ai.

    Ndërsa,Mentor Morina, udhëheqës i Departamentit për politika sociale dhe familjare nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, tregoi se cilat janë veprimet që janë duke i ndërmarrë si ministri për çështjen e mbrojtjes së fëmijëve.

    “Me hyrjen në fuqi të Ligjit për mbrojtje të fëmijëve, kemi marrë veprimet në koordinim edhe me partnerët, të përgatisim kornizën ligjore sekondare për rregullimin dhe ofrimin e shërbimeve për të drejtat, mbrojtjen dhe shërbimet për fëmijë. Në këtë drejtim në këtë periudhë gashtë mujore edhe pse realisht kemi pasur ndikimet e pandemisë dhe për shkak të pamundësisë të zhvillimit të aktiviteteve ashtu siç kishim planifikuar me partnerët tanë, çështja e aprovimit të udhëzimeve administrative realisht mund të ketë një shtyrje për pjesën e parë të vitit të ardhshëm, me kushtin që deri në qershor ne të jemi të përgatitur që të fillojmë zbatimin me një kornizë të kompletuar sekondare të ofrimit të shërbimeve për mbrojtjen e fëmijëve”, tha ai.

    Në anën tjetër, Mexhit Krasniqi, kryetar i Lidhjes së Qendrave për Punë Sociale, deklaroi se Qendrat për Punë Sociale kanë nevoja të shumta, por që theksoi nevojën për trajtime për punëtorët social në fushën e mbrojtjes së fëmijëve.

    “Qendrat për Punë Sociale që nga fillimi kanë qenë bashkëpunues, kanë qenë motivues, kanë qenë në mbështetje të këtij projekti që është jashtëzakonisht i domosdoshëm për ofrimin e shërbimeve sociale të Qendrave për Punë Sociale…Qendrat për Punë Sociale kanë nevoja të shumta sidomos nevoja për trajnime permanente lidhur me fushën e mbrojtjes së fëmijëve dhe gjithashtu kanë nevojë për bashkëpunime të ndërsjella me organizatat jo qeveritare”, tha ai.

    Raporti “Analiza e Nevojave mbi kapacitetet e Qendrave për Punë Sociale në fushën e promovimit dhe mbrojtjes së fëmijëve”, është financuar nga BE i menaxhuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe është implementuar nga SOS Fshatrat e Fëmijëve të Kosovës në partneritet me Handikos.

    Nga Rubrika
    Lajme14 Nëntor 2024
    Ministria e Mbrojtjes së Kosovës ka njoftuar se pilotët e Forcave të Sigurisë së Kosovës po vazhdojnë trajnimet në Bazën Ajrore të...
    Lajme14 Nëntor 2024
    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka quajtur “paçavure” doracakun e Edukatës Seksuale për të cilin tha se ka kërkuar nga kryetarët...
    Lajme14 Nëntor 2024
    Pas Kryeqytetit dhe disa komunave tjera, edhe ajo e Vitisë do të ndalojë përdorimin e Doracakëve “Edukimi Seksual dhe Shëndeti Riprodhues” për...
    Të tjera
    Lajme14 Nëntor 2024
    Gazetari dhe analisti, Lavdim Hamidi, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se në zgjedhjet 9 shkurtit, ‘goditjen’ më të madhe Lëvizja Vetëvendosje...
    Lajme14 Nëntor 2024
    Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani, ka thënë se janë të gatshëm të përballen me të gjitha sfidat e sigurisë, dhe se,...
    Lajme14 Nëntor 2024
    Për të premten parashikohet të mbajë kryesisht i vranët, ku pritet në zona të caktuara të ketë reshje të pakta shiu e...
    Lajme14 Nëntor 2024
    Shefja e grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka dënuar sulmin me thikë në Ferizaj, i cili ndodhi për shkaqe etnike.Kusari-Lila ka...
    Lajme14 Nëntor 2024
    Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi gjatë ditës së nesërme do të dorëzojë padi ndaj Ministrisë së Punëve të Jashtme...
    Vip14 Nëntor 2024
    Dalja e Gjestit nga shou më i madh televiziv shqiptar, Big Brother VIP Kosova, do të gëzonte disa prej banoreve brenda shtëpisë....

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.