Në qytetin e Lipjanit sot u përurua shtegu i ecjes prej 1000 metra, ku u organizua edhe gara e atletikës “Vrapimi i Krushqve”.
Kryetari i komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti tha se ky projekt ka filluar vitin e kaluar, i cili është investim i përbashkët i komunës, ministrisë së Pushtetit Lokal dhe projektit të organizatës “Demos”.
“Nga viti i kaluar komuna është shpërblyer me performancë të mirë. Dhe është implementuar gjatë vitit të kaluar një pjesë, dhe një pjesë këtë vit. Ndërsa, pjesa që pritet me u vazhduar është përsëri me financim të organizatës zvicerane dhe me MAPL-në dhe janë 2,7 kilometra që do të vazhdohen”, ka shtuar Ahmeti.
Rreth shtratit të lumit Sitnica ka edhe pjesë tjera rekreative, si fusha sportive dhe këndi i lojërave për fëmijë.
Ahmeti tha se qëllimi i këqij aktiviteti, është që “Vrapimi i Krushqve”, të kthehet në aktivitet tradicional.
“Ky shteg do të vazhdojë edhe 2,7 kilometra pranë shtratit të lumit Sitnica, për ‘tu dhënë mundësinë qytetarëve që të shfrytëzojnë për ecje, atletikë dhe rekreacion. Ne po provojmë që sot përmes një aktiviteti solemn, solid dhe me pjesëmarrje jo shumë të madhe që do të fillojë me një garë vrapimi që quhet “Vrapimi i Krushqve”, dhe mendoj që ky aktivitet do të jetë tradicional për qytetin”, tha ai.
E zëvendësministrja e Pushtetit Lokal, Magbule Shkodra tha se ky investim ka ardhur nga kjo ministri në bashkëpunim me komunën e Lipjanit, në bazë të performancës së treguar të kësaj komune.
“Është diku rreth 230 mijë euro…por pavarësisht shumës sa është me rëndësi që MAPL po iu qëndron afër komunave falë punës së tyre të mirë që po e bëjnë. Dhe ky është një inkurajim i mirë për komunat se sa më mirë që punojnë, granti i përfitimit është më i madh”, ka theksuar ajo.
Në këtë vrapim, vendi i parë është shpërblyer me 200 euro, i dyti me 100, ndërsa vendi i tretë me 50 euro.
Emin Grajqevci, ka arritur i pari në fund të këtij shtegu. Ai tregoi se merret me atletikë, dhe se nuk është gara e parë në të cilën po merr pjesë. Sipas tij, hapja e shtegut të ecjes, është e mirë për qytetin e Lipjanit dhe qytetarët e saj.
“Është ndjenjë e mirë sepse vrapohet në qytetin tim. Dhe si komunitet sportiv neve e përgëzojmë për këtë iniciativë. Jo vetëm këtë por çfarë do iniciativë që kontribuon në sportin e atletikës”, ka shtuar ai.
Ahmeti ka treguar edhe pse kjo garë mban emrin “Vrapimi i Krushqve”. Ai tregoi se në të kaluarën jo të largët, dasmorët sapo janë kthyer nga dasma, janë organizuar vrapimet e krushqve ku i zoti i dasmës e ka shpërblyer personin që ka vrapuar më së shpejti.