Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit B.D. për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve.
Sipas një njoftimi, gjyqtarja e procedurës paraprake të pandehurit B.D., i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, pasi që e njëjta ka konstatuar se janë përmbushur kushtet për caktimin e paraburgimit.
“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri B.D në cilësinë e kryetarit të Komunës së Kllokotit, ka kanosur seriozisht punëtorët e komunës së Kllokotit dhe qytetarët e kësaj komune, duke ndikuar në vullnetin e tyre që të votojnë në mënyrë të caktuar, për një subjekt të caktuar politik dhe për kandidatë të caktuar. Kundër këtij vendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës”, thuhet në njoftim.