Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, bashkë me një pjesë të stafit të MKRS-së dhe me drejtuesit e institucioneve shtetërore të kulturës, kanë bërë homazhe para Teatrit Kombëtar të Kosovës, ku kanë nderuar figurën e artistit Rasim Thaçi – Cima.
Pas homazheve, ministri Çeku tha se i bënë nderimet e merituara figurës së Rasim Thaçit, i cili ishte një nga artistët më të dashur të popullit të Kosovës.
Çeku: Do ta dokumentojmë punën dhe artin e Rasim Thaçit
“Ai një kohë ka qenë edhe sportist por përherë ka qenë artist dhe një artistë mbase është dalluar me lëvizjet e tij skenike por edhe me mesazhin, i cili në kohëra të vështira, ishte edhe mesazh politik në të njëjtën kohë dhe ky mesazh jepej në situata kur nuk ishte lehtë të bëhej ky lloj aktivizmi, kjo lloj rezistence politike përmes artit dhe humorit. Ne si Ministri e Kulturës përveç nderimeve që po i bëjmë, do ta kryejmë edhe pjesën tjetër që na takon dhe lidhet me dokumentimin e punës së tij e punës së tij, të artit të tij, në mënyrë që gjithmonë ta kemi në kujtesën tonë dhe në të njëjtën kohë që ajo t’i shërbej edhe gjeneratave të ardhshme, jo vetëm artistëve por edhe të tjerëve për të kuptuar të kaluarën tonë por edhe për t’u frymëzuar me artin e Rasim Thaçit”, tha ai.
Kurse, drejtori i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Naser Shatrolli tha se vepra e tij artistike dhe tria e përbashkët i kanë dhënë kuptim jetës dhe shpresës.
Shatrolli: Cima i dha kuptim jetës dhe shpresës
“Ai dhe ajo treshja e famshme që kanë qenë së bashku, i kanë dhënë kuptim jetik jetës, gëzimit, shpresës për një ditë më të mirë dhe vërtet kanë pas tekste që kanë sjellë shumë mesazhe të fuqishme në relacion me situatën që ka mbretëruar në Prishtinë dhe kudo në Kosovë, kështu që ata kanë qenë një lloj paralajmërimi ose një lloj pararoje e asaj shpresës së madhe“, ka thënë ai.
Sipas tij, Cima ka ngel dhe do të ngelet ikonë e humorit shqiptarë.