Trajneri i xhudos, Driton Kuka, u ka dhënë një mesazh drejtuesve të institucioneve të shtetit si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë që ata t’i përkushtohen punëve të tyre “sikur sportistët tanë”.
Kuka në shkrimin e tij ka kërkuar një angazhim më të madh që Kosova dhe Shqipëria sa më shpejtë të sigurojnë vaksinën për Covid-19, përcjell KosovaPress.
Në shkrimin e tij në rrjetin social “Facebook”, Kuka ka postuar fotografinë e xhudistes Nora Gjakova nga momentet kur ajo kishte shpërthyer nga gëzimi pasi kishte fituar medaljen e bronztë në Kampionatin Evropian në Tel Aviv duke thënë se “dua që shtetet tona Kosovë e Shqipëri të punojnë natë e ditë që mos të mbesim të fundit në këtë çështje, luftoni më fortë, shfrytëzoni çdo rrugë e jo duke pritur mëshirë nga Organizata të ndryshme.”
“Luftoni ashtu si sportistët tanë”, përfundon mesazhi i Driton Kukas.