Kancelarja gjermane, Angela Merkel u kërkoi sot qeverive të 16 landeve të Gjermanisë të veprojnë së bashku për të frenuar pandeminë e COVID-19, pas një takimi sot me kryeministrat e tyre.
“A dëshirojmë të bëjmë një hap të guximshëm apo duam të takohemi javë për javë, si në pranverë”, iu drejtua ajo pjesëmarrësve në takim.
Përpara konferencës, zëdhënësi i qeverisë, Steffen Seibert tregoi se negociatat midis qeverisë federale dhe landeve, që e drejtojnë politikën shëndetësore në mënyrë të pavarur, do të ishin problematike.
Qeveria federale po kërkon një qasje të përbashkët, ndërsa po afrohet dimri dhe numri i infektimeve dhe shtrimeve në spital po rritet në shumë rajone dhe qytete të mëdha.
Qeveria e Merkelit po bën presion për rregulla më të rrepta në përdorimin e maskave dhe mbylljen e sektorit të mikpritjes në zonat me numër të madh të rasteve të COVID-19.