Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot priti në takim ambasadorin e Norvegjisë, Jens Erik Grondahl.
Ambasadori Grøndahl e uroi Kryeministrin Kurti për detyrën e re dhe e përgëzoi për përbërjen e kabinetit të ri, posaçërisht për numrin e grave të emëruara. Tutje, ai shprehu gatishmëri për të vazhduar bashkëpunimin me qeverinë e re dhe për t’i thelluar marrëdhëniet mes dy vendeve tona.
Kryeministri Kurti e falënderoi atë për vizitën dhe theksoi se qytetarët kanë nevojë për punësim e drejtësi, vendi ynë ka nevojë për demokraci e progres, dhe se këto janë prioritetet e Qeverisë. Të dy u pajtuan se Norvegjia si partner i Kosovës mund të ndihmojë në zhvillimin ekonomik të vendit.
Në fund të takimit, Ambasadori ftoi Kryeministrin Kurti për një vizitë zyrtare në institucionet e shtetit norvegjez dhe u dakorduan që ajo të realizohet në të ardhmen e afërt.