Edhe në këtë fushatë zgjedhore, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti po premton se nëse bëhet kryeministër, do të fillojë përgatitjen e projektit që lidh Prizrenin me Tetovën përmes tunelit. Këtë, Kurti e ka thënë sot në Prizren, qytet për të cilin ka premtuar buxhet më të madh nga qeveria e ardhshme e Kosovës e dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit.
Kandidati për kryeministër të vendit Albin Kurti dhe ushtruesja e detyrës së postit të presidentit, Vjosa Osmani e cila në këto zgjedhje garon me listën e Lëvizjes Vetëvendosje, kanë takuar sot qytetarët e Prizrenit, në ecjen përgjatë qytetit.
Përveç aktivistëve, ata morën përkrahje edhe nga kryetari i Aleancës për Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, Zijadin Sela dhe ai i Alternatives Afrim Gashi, të cilët morën pjesë në aktivitetin e sotëm zgjedhor në Prizren.
Bashkë diskutuan për nevojën që shqiptarët në të dyja anët e kufirit të mund të kenë zhvillim të përbashkët të vlerave kombëtare.
Përmes politikanëve shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, Kurti u bëri thirrje shqiptarëve atje, të cilët kanë shtetësi të Kosovës, më 14 shkurt të vinë në Kosovë për të votuar.
“Do të fillojmë përgatitjen e projektit që lidh Prizrenin me Tetovën me tunel, sepse siç thuhet Prizreni dhe Tetova lart në qiell kanë qenë një qytet, por kur kanë rënë në tokë malet e Sharrit i kanë bërë dy e tash ne duhet t’i lidhim ato. Dhe tjetra, nga këto keqqeverisjet e viteve të fundit Prizreni është diskriminuar më së shumti nga të gjitha komunat e Kosovës sa i përket buxhetit, buxheti më i paktë për kokë banori i është ndarë pikërisht Prizrenit dhe kjo do të ndryshojë menjëherë me qeverisjen tonë të re”, tha Kurti.
Ndërsa Vjosa Osmani tha se më 14 shkurt duhet të ndodhë referendumi ku qytetarët përmes votës do të përcaktojnë të ardhmen e fëmijëve të tyre.
“Referendumi duhet patjetër që të ndodh, në mënyrë që ai të ndodhë, të kemi masovitet në pjesëmarrje dhe përkrahje të madhe për ndryshimin, na duhet secili qytetar të dalë në votim, sepse nëpërmjet votës së tyre e përcaktojnë të ardhmen e fëmijëve të tyre dhe të brezave që vinë”, tha Osmani.
Edhe në tubimin në Prizren, Albin Kurti tha se “pranvera po vjen me nxitim dhe nuk po e pret as 14 shkurtin”.