Transportuesit publikë të udhëtarëve po vazhdojnë grevën, pasi po vlerësojnë se Qeveria nuk po ua përmbush kërkesat e tyre për ndihmë financiare.
Nga Komuna e Prizrenit kanë thënë për KosovaPress se me qëllim të përkrahjes së operatorëve të transportit publik të ndikuar negativisht nga situata pandemike, gjatë vitit të kaluar, si Komunë i kanë ndarë gjithsej 130.000 euro subvencione.
Ndërsa kanë shtuar se nëse Qeveria e Kosovës ka premtuar një mbështetje të tillë, atëherë duhet t’i përmbahet zotimeve të saj.
Edhe kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që t’ua përmbush kërkesat transportuesve publikë “Anamorava”.
Haziri ka thënë se këto kërkesa të transportuesve janë të arsyeshme, duke e marrë parasysh faktin se janë shërbyes publikë.
Ndryshe, nga dje transportuesit publikë në Gjilan dhe në mbarë Kosovën kanë hyrë në grevë, duke ndërprerë të gjitha linjat e transportit të udhëtarëve, deri në përmbushjen e kërkesave të
tyre.