Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve ka kërkuar nga partitë politike “një kryeministër për fëmijët”. Përmes një komunikate për media thuhet se ky dokument është dorëzuar tek të gjitha partitë politike.
Përveç tjerash, në komunikatë janë renditur çështjet të cilat, sipas KOMF-it një qeverisje e mirë duhet të dijë t’i adresojë.
-22.8% e fëmijëve jetojnë në varfëri përderisa 7.2% e tyre jetojnë në varfëri ekstreme.
-8% e fëmijëve të moshës 7-12 vjeç, janë raportuar të kenë vështirësi funksionale të paktën në një fushë dhe vetëm 10% e fëmijëve me aftësi të kufizuara në Kosovë përfitojnë nga shërbimet shëndetësore dhe sociale. Përfshirja e fëmijëve në shkolla mbetet tejet e ulët.
-72% e fëmijëve nga 1 deri në 14 vjeç raportohet të jenë të disiplinuar me dhunë (presion psikologjik dhe/ose ndëshkim fizik).
-5% e fëmijëve janë të përfshirë në punë.
-Vetëm 15% e fëmijëve të moshës 3-4 vjeç vijojnë programet për edukim në fëmijëri të hershme.
-Vetëm 38% e fëmijëve që jetojnë në komunitete janë vaksinuar plotësisht.
-Programi për vlerësim ndërkombëtar të nxënësve “PISA” e ka radhitur Kosovën në vendin e 76, në mesin e 78 shteteve të cilat i janë nënshtruar vlerësimit, duke rezultuar me nivel të ulët të cilësisë në arsim.
-Ofruesit e shërbimeve sociale për mbrojtjen e fëmijëve në vazhdimësi rrezikojnë mbylljen e shërbimeve si pasojë e mos financimit të qëndrueshëm.
-Investimet në sektorin e shëndetësisë në Kosovë, janë ndër më të ulëtat në rajon. Shpenzimet nga xhepi i qytetarëve janë të larta, kjo në mungesë edhe të fondit për sigurime shëndetësore. Furnizimi me barna vazhdon të mos jetë i rregullt, duke rrezikuar seriozisht shëndetin e fëmijëve.
“Për problematikat e mësipërme dhe të tjera, KOMF përmes këtij dokumenti ka adresuar tek partitë politike kërkesa dhe rekomandime konkrete për zgjidhje emergjente”, thuhet në njoftim.