Me rastin e 112-vjetorit të Kongresit të Manastirit, kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Enver Hoxhaj, ka thënë se për të mbërritur këtu populli shqiptar ka kaluar shekuj sakrificash e luftërash.
Ai në një postim në Facebook ka shkruar se alfabeti latin tashmë është AND-ja e kulturës dhe identitetit tonë evropian.
“Në vitin 1908, para 112 vitesh, në Manastir u mbajt Kongresi i unifikimit të alfabetit shqip. Ky alfabet latin tashmë është ADN-ja e kulturës dhe identitetit tonë evropian! Për të mbërritur këtu populli shqiptar ka kaluar shekuj sakrificash e luftërash”, ka thënë Hoxhaj.
Kongresi i Manastirit u zhvillua mes 14-22 nëntorit të vitit 1908 dhe morën pjesë 50 delegatë nga 26 qytete të ndryshme, klube dhe shoqata. Në këtë Kongres u miratua vendimi që të pranohet alfabeti latin me disa ndryshime të shkronjave duke i adaptuar ato për gjuhën shqipe.
Kryetar i Kongresit u zgjodh Mithat Frashëri, kurse nënkryetarë ishin Luigj Gurakuqi dhe Gjergji Qiriazi, ndërsa motra e tij Parashqevi Qiriazi, ishte gruaja e vetme në këtë Kongres.
Sipas numrit dhe rëndësisë së pjesëmarrësve, Kongresi i Manastirit ka qenë ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar në fillimet e shekullit XX, ku si rezultat i kësaj pune më 28 Nëntor të vitit 1912 u shpall edhe pavarësia e Shqipërisë.
Për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kjo ditë është ditë feste dhe nuk punohet, ndërsa në Manastir funksionon Muzeu i Alfabetit të Gjuhës Shqipe, në të cilin gjenden rreth 56 fotografi të pjesëmarrësve dhe 230 dokumente në formë digjitale dhe në letër.