Ministri i Punëve të Jashtme i Gjermanisë, Heiko Maas i kërkoi sot Turqisë t’i jepte fund ciklit të provokimeve në Mesdheun Lindor, ku Ankaraja do të ridërgojë një anije eksplorimi për të kërkuar gaz natyror, me rrezikun e rindezjes së një krize me Greqinë.
“Nëse do të kishte vërtet kërkime të mëtejshme për gazin turk në zonat detare më të diskutueshme të Mesdheut Lindor, kjo do të ishte një pengesë e madhe për përpjekjet e qetësimit të situatës”, shtoi në një komunikatë kreu i diplomacisë, i cili do të zhvillojë sot një vizitë në Greqi dhe në Qipro për të diskutuar veçanërisht për këto tensione.
“Ankaraja duhet t’i japë fund provokimeve nëse qeveria është e interesuar për bisedime, ashtu si është shprehur disa herë”, deklaroi ministri, vendi i të cilit mban presidencën e radhës së BE-së.
Berlini i kërkon Turqisë që dritarja e dialogut që do të hapet me Greqinë të mos mbyllet përsëri për shkak të masave të njëanshme.
Turqia njoftoi dje se do të dërgonte në det anijen ”Oruç Reis”, e cila do të vendoset veçanërisht në ishujt grekë për të kërkuar gaz natyror, gjë që shkaktoi tensione serioze diplomatike dhe ushtarake në gusht dhe shtator.
Këto tensione do të jenë në agjendën e samitit evropian që do të organizohet të enjten dhe të premten në Bruksel./Atsh