Me masat e reja anti-Covid janë të pakënaqur.
Andaj gastronomet nesër në orën 12:00 do të zhvillojnë një aktivitet simbolik para lokaleve të tyre.
Ata përmes zhurmës së krijuar me tenxhere dhe me lugë do të kundërshtojnë vendimin e Qeverisë që ua kufizon veprimtarinë prej të premtes në mbrëmje deri të hënën në mëngjes.
Paralajmërimin e bëri kreu i tyre, Petrit Kllokoqi.
“Nuk na pëlqejnë asnjëherë masat e reja kur merren përderisa nuk jemi pjesë e grupeve punuese. Masat e reja kanë qenë shumë të pa logjikshme për shoqatën e gastronomeve sepse në valle kemi qenë gjatë gjithë verës duke na ndaluar neve pishinat dhe duke shkuar për t’i kryer pushimet nëpër Shqipëri, apo në të gjitha vendet e rajonit edhe në këtë rast po shkojnë duke i vazhduar këto masa të cilat janë të pa pranueshme prej neve duke i mbyllur bizneset nëpër Kosovë dhe duke i lënë kufijtë hapur që të shkojnë në shtete të ndryshme”, ka thënë Kllokoqi për KP.
Kllokoqi ka shtuar, se nëse qeveria e Kosovës nuk do të ndihmojë sektorin e gastronomisë, të hënën do të ketë protestë masovike para qeverisë.
“Nesër nga ora 12:00 deri në 13:00 i kemi paralajmëruar të gjitha gastronomet me qëndru para kafeve me tenxhere dhe me lugë me i rreh për të krijuar një zhurmë që ia hap sytë qeverisë nëse nuk gjejnë ndonjë gjuhë të përbashkët për subvencionime ekonomike në këtë rast ose për ndihma ekonomike, atëherë të hënën paralajmërojmë protestë masovike para qeverisë”, ka thënë ai.