Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka certifikuar sot listën përfundimtare të votuesve për Podujevë dhe Mitrovicë e Veriut, ku do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar komune më 29 nëntor.
Sipas kësaj liste, janë 87 mijë e 381 votues, apo 552 votues më shumë në krahasim me listën përfundimtare të votuesve të certifikuar për zgjedhjet e Podujevës, të cilat më herët ishin planifikuar për t’u mbajtur më 15 mars 2020, por që u shtyn për shkak të pandemisë me koronavirus.
Sipas të dhënave të KQZ-së, numri i qendrave të votimit në këtë komunë është 45 me gjithsej 115 vendvotime.
Ndërkaq, lista përfundimtare e votuesve për Mitrovicën e Veriut përmban 23 mijë e 313 votues apo 489 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet paraprake të mbajtura në këtë komunë më 6 tetor 2019. Në këtë komunë numri i qendrave të votimit është 7 me gjithsej 27 vendvotime.