Kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku ka përkujtuar sot njërën prej masakrave më të tmerrshme që kanë ndodhur në Kosovë nga forcat serbe në Krushë të Madhe, ku 22 vjet më parë u vranë dhe masakruan 243 shqiptarë të pafajshëm.
Ai me këtë rast ka përkujtuar dhe nderuar sakrificën e familjes Berisha nga Suhareka, ku, më 25 mars 1999, anëtarët e saj u vranë nga forcat e regjimit të kasapit të Ballkanit Sllobodan Millosheviq.
“Vrasjet dhe masakrat e shqiptarëve shokuan botën mbarë dhe vunë në lëvizje diplomacinë perëndimore për ta ndalur gjenocidin në Kosovë. Shumë familje, ende jetojnë mes dhimbjes dhe forcës nga mungesa e më të dashurve të tyre, prej të cilëve, shumë janë ende të pagjetur. Pa sakrificën e këtyre familjeve, liria e sotme nuk do ta kishte kuptimin e njëjtë. Lavdi të rënëve për liri”, tha Abdixhiku.
22 vjet më parë, konkretisht nga 25 deri më 27 mars 1999, në Krushë të Rahovecit nga forcat serbe janë masakruar 243 persona, ndërsa 893 shtëpi private dhe shoqërore u dogjën.
Masakra në Krushë të Madhe është më e madhja që ka ndodhur në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998-1999.
Ende vazhdojnë të jenë të pagjetur edhe shumë persona nga ky Krusha e Madhe. Masakra në Krushë të Madhe ishte pjesë e aktakuzës për krime lufte kundër kasapit të Ballkanit Sllobodan Millosheviq dhe disa udhëheqëseve të tjerë politikë e ushtarakë serbë.
Pavarësisht kësaj, për këtë masakër, asnjëherë nuk pati një proces të mirëfilltë hetimor dhe askush nuk është dënuar drejtpërsëdrejti për krimet e kryera në këtë fshat.