Pas Ramush Haradinajt, edhe nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, deputeti Ali Berisha, ka deklaruar se subjekti i tyre mbetet i përkushtuar për të kontribuar në stabilitetin institucional dhe unitetin e spektrit politik gjithëpërfshirës, duke kujtuar se AAK politikën shtetërore e bënë hapur nën principin e edukatës institucionale.
Ali Berisha në një postim në faqen zyrtare në facebook, thotë se krahas respektit në punë, si për partnerët e koalicionit, ashtu edhe për opozitën, ata janë të gatshëm të shkojnë edhe në zgjedhje.
Postimi i plotë:
“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, me vëmendje po përcjellë të gjitha zhvillimet në vend.
AAK mbetet e përkushtuar për të kontribuar në stabilitetin institucional dhe unitetin e spektrit politik gjithëpërfshirës. AAK respekton në punë, si partnerët e koalcionit ashtu edhe të opozitës. Krahas kësaj AAK është e gatshme për çdo variant në të mirë të funksionimit të institucioneve, përfshirë edhe zgjedhjet.
AAK, politikën shtetërore e bënë hapur nën principin e edukatës institucionale.”-shkruan Ali Berisha.
Ndryshe AAK tashmë ka nxjerrë kandidaturën e Ramush Haradinajt për president të Republikës dhe është e vetmja kandidaturë publike në skenën kosovare deri më tash.
Ky subjekt ka paralajmëruar se nëse kandidatura e Haradinajt nuk gjen mbështetje nga partnerët, atëherë vendi duhet të shkojë në zgjedhje.