Statusi i pazgjidhur, mosdefinimi i kompetencave menaxhuese, nezglizhenca e institucioneve janë vetëm disa nga problemet me të cilat po përballen zjarrfikësit në Kosovë.
Kështu ka thënë në një intervistë për Front Online, kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve të Kosovës, Muharrem Beka.
Por, ai përmend edhe mos pagesat e rrezikshmërisë, të ndërrimit të natës e pagesa të tjera.
“Prej një e-maili zyrtar që kam prej kabinetit të ministrit të Punëve të Brendshme të gjitha kërkesat që kanë qenë për vitin 2022 në fillim te vitit do të realizohen, ju kam shkru, asnjë përgjigje zyrtare nuk e kam marr, as nuk lajmërohen në telefon, as nuk i kthejnë e-mailat dhe heshtja e tyre ka ndiku negativisht dhe kjo gjendje të zjarrfikësit ka reflektua, ka ngrit shqetësimet, janë ngrit pakënaqësitë dhe zëri i tyre është që gjithsesi këto pakënaqësi, kjo gjendje mos të shkon në heshtje”.
E, në rast se së paku për disa nga to nuk do të marrin përgjigje deri në fund të gushtit, zjarrfikësit po paralajmërojnë protesta.
“Ne do t’i drejtohemi Qeverisë me shkresë do të presim, mirëpo fundi i gushtit nëse nuk marrim përgjigje të kënaqshme protesta do të jetë e pashmangshme”, ka thënë Beka për Front Online
Beka thotë se zjarrfikësit janë në një gjendje jo të mirë dhe të papërballueshme, dhe se kjo gjendje sipas tij ka zgjatur shumë.
Derisa shton, se pavarësisht problemeve që i kanë askush nuk merret me ta, dhe se zjarrfikësit sipas Bekës kanë mbetur nën mëshirën e askujt dhe pa mbështetje institucionale.
Ai derisa flet për sfidat përmend edhe problemet me të cilat po ballafaqohen.
“Sfida kryesore, problemi krucial është çështja e statusit të pazgjedhur, mosdefinimi i kompetencave menaxhuese në mes pushtetit lokal dhe nivelit qendror, në këtë rast AME, MPB dhe komuna sepse siç e din edhe opinioni zjarrfikësit pagën e marrin nga komunat dhe me ligj janë staf i ministrisë de kur vjen në pyetje të drejtat, benefitet të cilat ju takojnë edhe me ligje atëherë vjen neglizhenca e institucioneve që askush nuk e merr përsipër si punëdhënës që t’i kryejë këto obligime. AME-ja thotë shkoni në komuna, komuna thotë jeni staf i ministrisë shkoni në AME do të thotë mungon një buxhet i planifikuar për zjarrfikësit e Kosovës”, ka shtuar Beka.
Beka: Në Kosovë janë rreth 800 zjarrfikës, kemi nevojë edhe për 400 të tjerë
Kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve të Kosovës, Muharrem Beka ka thënë për Front Online se po përballen edhe me mungesë të stafit.
Ai deklaron se kanë nevojë për së paku edhe 400 zjarrfikës të tjerë.
“Numri aktual i zjarrfikësve është përafërsisht 800 plus, minus sepse disa pensionohen, mirëpo në tërësi mungojnë së paku 400 zjarrfikës. Kriter është që në 1500 banorë duhet të jenë të mbuluar me një zjarrfikës. Të gjitha komunat kanë mungesë, mosha mesatare është përafërsisht 50 vite, pa kontrolla sistematike, pa sigurime shëndetësore, pa kompensim të ndërrimit të natës, të festave, të orëve jashtë orarit, pra e thash më herët përveç pagës asgjë”, është shprehur ai.
Kryesindikalisti i zjarrfikësve: S’kemi lënë institucion pa trokitur, askush nuk merret me ne
Zjarrfikësit po përballen edhe me mospagesë për rrezikshmëri.
Kështu ka thënë për Front Online, kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve, Muharrem Beka.
“Edhe, tash së fundmi edhe rrezikshmëria nuk është duke u kompensuar, kështu që kjo situatë ka bërë që zjarrfikësit të jenë me të vërtetë të shqetësuar me gjendjen e tyre dhe ne jemi të obliguar që të shprehim zërin e tyre dhe gjendja në të cilën jemi ne, detyrimisht do të jemi të obliguar të ngremë zërin dhe të shprehim pakënaqësitë me organizmin e protestave që zjarrfikësit njëzëri e kërkojnë”, ka deklaruar Beka për Front Online.
Ai thotë se nuk kanë lënë institucion pa trokitur, por se askush nuk merret me ta.
“Ne ju kemi drejtuar institucioneve, ju kemi drejtuar Qeverisë së Kosovës që urgjentisht së paku fillimisht të ndërpriten ato diskriminimet që me ligj ju takojnë dhe mandej hap pas hapi të bëhet zgjidhja edhe e statusit, ligji për zjarrfikësit është duke u hartuar mirëpo është vonuar. Zjarrfikësit edhe në vitin 2024 do të mbesin pa buxhet dhe me të vërtetë kjo gjendje e krijuar kur s’kemi lënë institucion pa trokit, derë nuk kemi lënë pa trokit dhe askush mos të merret me këtë çështje kjo është e pakuptimtë”, është shprehur ndër të tjera Beka.
Kurse, sa i përket shtesës për rrezikshmëri thotë se ka kërkuar përgjigje në Ministrinë e Punëve të Brendshme, por se nuk e ka marrë deri më tani një të tillë.
“Nuk kemi marrë informata, unë ju kam drejtuar me shkresë, nuk kam marrë asnjë përgjigje. I kam thirr edhe zv. ministrat e MPB-së, me ministrin kam kontaktuar më ka thënë drejtoju zv. ministrit sepse jam i zënë me gjendjen në veri, ju kam dërguar e-maila zyrtare, kam dërgu thirrje, asnjë përgjigje nuk e kemi marrë”, ka shtuar ai.
Sipas tij zjarrfikësit, pos kësaj po përballen edhe me mungesë të pajisjeve dhe se gjendja e tyre është e paqëndrueshme.
Beka: Në Ligjin e Pagave kemi kërkuar të nivelizohemi me Policinë
Kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve të Kosovës, Muharrem Beka, në një intervistë për Front Online ka thënë se kanë pasur pakënaqësi sa i përket ligjit të Pagave.
Ai, deklaron se kanë kërkuar që të nivelizohen me Policinë e Kosovës, sa i përket koeficientit.
“Çështja e koeficientit është e përcaktuar për zjarrfikësit 5, pastaj sipas funksionit udhëheqësi i grupit e deri te komandanti, mirëpo po them se pjesa dërmuese e stafit janë operativ. Zjarrfikësit janë me koeficient 5, ndërsa polici është 5.9 në momentin që i bën 3 vjet, ndërsa zjarrfikësi mbet aty. Kjo pakënaqësi ka qenë, çështjen e rrezikshmërisë e kemi kërkuar dhe besoj që tash në fund të këtij muaji ose në fund të shtatorit do të vendos komisioni dhe do t’i ndan sipas rrezikshmërisë”, ka deklaruara Beka.
Muharrem Beka: Zjarrfikësit kudo trajtohen si heronj, ne kemi mbetur nën mëshirën e askujt
“Zjarrfikësit në secilin vend trajtohen si heronjë, ndërsa ne kemi mbet nën mëshirën e askujt”.
Kështu ka thënë për Front Online, kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve Muharrem Beka.
Beka ka pasur edhe një apel për Qeverinë e vendit.
“Është momenti i fundit, po apeloj te Qeveria e Kosovës, ministritë përkatëse, MF-ja, MPB-ja edhe te Asociacioni i komunave të Kosovës që t’i harmonizojnë qëndrimet, t’i koordinojnë veprimet që mos të vazhdojë kjo gjendje kështu e pashpresë, dhe më të vërtetë është për t’u habitur se në çfarë gjendje kanë mbet zjarrfikësit e Kosovës. Zjarrfikësit kudo trajtohen si heronjë , mirëpo te ne është një gjendje e pakuptimtë dhe nuk po mundem me kuptu si është e mundur pas 12 vite prej vitit 2011 kur kanë kalu në nivel qendror jemi mbet nën mëshirën e askujt, as me ministri e as me komuna. Kjo gjendje më nuk mund të vazhdoj”, ka deklaruar Beka.
Ai, thotë se ka presion nga shoqatat e zjarrfikësve që të organizojnë protestë.
“Unë kam një presion jashtëzakonisht prej shoqatave të zjarrfikësve që të organizojmë një protestë. Ne do të kërkojmë, do të japim një datë dhe nëse nuk reflektojnë protesta do të jetë e pashmangshme, sepse ata e kanë humbur durimin, janë shterr mundësitë për dialog dhe unë më nuk di se çka t’iu them”, ka thënë Beka.
Kryesindikalisti i zjarrfikësve tregon se cilat vende janë përballur me zjarre
Kryesindikalisti i zjarrfikësve të Kosovës, Muharrem Beka, në një intervistë për Front Online ka folur edhe për zjarre që kanë ndodhur në vend si pasojë e temperaturave të larta.
“Ka pas pothuajse në të gjitha vendet, Suhareka, Prishtina, Vushtrria, Podujeva, pra të gjitha komunat kanë pas. Natyra e zjarreve ka qenë fushore, shumica pra kanë qenë zjarre fushore përveç një rasti që ka qenë në Klinë, të tjerat kanë qenë zjarre fushore nga pakujdesia edhe nga neglizhenca e punëve sepse punëtorët që i kryejnë punët fushore i grumbullojnë mbeturinat , i ndezin dhe pastaj kjo po del prej kontrolli dhe kjo është si shkak i faktorit njeri”, ka thënë Beka./Front Online