×
  • Opinione
  • Opinione

    Zgjedhjet politike në Kosovë, një leksion për shtetin amë

    Ekrem Spahiu
    13 Shkurt 2025

    Nga: Ekrem Spahiu

    Pati plot pandehma, madje edhe shtytje, nga brenda dhe nga jashtë Kosovës, për të relativizuar e orientuar zgjedhjet e fundit parlamentare të saj. E megjithatë, zgjedhësit e Kosovës e treguan vetë pjekurinë e tyre politike, duke vendosur, me votën e tyre të lirë, që qeveria e ardhshme të jetë më kolegjiale për të vazhduar punën në dobi të Kosovës, duke i prerë rrugën qeverisjes nga vetëm një parti politike. Kosova, vendi i dytë më i varfër në Europë sipas përllogaritjeve të institucioneve të besueshme europiane, tregoi vlera të pasura standardesh europiane, duke zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Zgjedhjet në Kosovë ishin model për procesin zgjedhor të mirorganizuar, fushatën elektorale klasike ku partitë dhe kandidatët shpalosën alternativat e tyre, procesin e votimit dhe numërimit të shpejtë dhe të pakontestueshëm.

    Bashkimi Europian ka përshëndetur menjëherë faktin që zgjedhjet parlamentare në Kosovë u zhvilluan në një atmosferë të qetë, në të cilën qytetarët kanë pasur mundësi të shprehin lirshëm vullnetin e tyre. Një delegacion i Komisionit për Politikë dhe Demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, menjëherë pas zgjedhjeve, u shpreh se procesi i zgjedhjeve në Kosovë ishte gjithëpërfshirës dhe paqësor dhe se anëtarët e komisioneve zgjedhore vendore duhet të përgëzohen për bashkëpunimin e tyre kolegjial dhe respektues, duke kapërcyer dallimet politike. Në Shqipëri, ashtu si edhe në Kosovë, listën e kandidatëve e bën partia apo kryetari, por në Kosovë, votuesit zgjedhin anëtarët e parlamentit (deputetët) drejtpërdrejt përmes votimit të fshehtë bazuar në listat e hapura.

    Kjo do të thotë se në Kosovë është qytetari që zgjedh deputetin dhe renditjen e bën votuesi, ndërsa në Shqipëri ende vendosin orekset, parapëlqimet dhe pazarllëqet e politikanëve të partive.

    Në Kosovë, vota e diasporës është thjesht pjesë e normalitetit të procesit zgjedhor. Përkundrazi, në Shqipëri, u desh pothuajse një luftë që të arrihej përfshirja në votime e diasporës dhe kjo vetëm duke filluar nga zgjedhjet që presim të zhvillohen më 11 maj 2025! Për të mos folur që, edhe pse u arrit që diaspora të bëhej pjesë e procesit zgjedhor, stërkëmbëshat për ta penguar nuk kanë të sosur. Në Kosovë, menjëherë pas zgjedhjeve, brenda 24 orëve përfundon numërimi dhe humbësi njeh humbjen dhe merr përgjegjësitë e humbjes. Ndërsa në Shqipëri, pa mbaruar akoma mirë procesi zgjedhor, fillon avazi i akuzave për vjedhje, një epitet më vete ky që përdoret vetëm në Shqipëri, një shprehje akoma më vulgare sesa vetë tjetërsimi i votës, apo manipulimi i procesit. Kështu, Kosova, me vetëm pak vite shtet, arriti të bëjë atë që Shqipëria me mbi 100 vjet shtet nuk ka arritur ta bëjë: të zhvillojë zgjedhje të lira, të drejta, të ndershme dhe të pranuara nga subjektet konkurruese. Ja pra, ku e kemi një model për kulturë mbarëkombëtare.

    Duke vlerësuar dhe zbatuar të tilla modele nga njëri-tjetri, edhe bashkimi kombëtar bëhet një lëndë më e prekshme për të arritur atë që Shqipëria e ka të detyruar me Kushtetutë dhe Kosova e sheh si një ëndërr të përjetshme legjitime. Në këtë kontekst, zgjedhjet politike në Kosovë dhe mesazhet që na dhanë ishin dhe janë pjesë e vëmendjes dhe vlerësimit të Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, për të cilën çështja kombëtare është një nga prioritetet e prioriteteve.

    Nga Rubrika
    Opinione25 Mars 2025
    Nga: Piro Ahmetaj  24 marsi 1999 do të mbetet i skalitur në historinë e NATO-s, si “fillimi i fundit të pushtimit barbar...
    Opinione23 Mars 2025
    Demokratizimi i një shoqërie vlerësohet, përveç tjerash, me organizimin, mbajtjen dhe pranimin e zgjedhjeve të lira, fer dhe demokratike. Rezultati i zgjedhjeve...
    Opinione22 Mars 2025
    Burimi: The Guardian, Simon Tisdall. Rregulli i parë dhe i fundit i doktrinës së luftës së përhershme të Benjamin Netanyahut është brutal...
    Të tjera
    Lajme25 Mars 2025
    Xhaxhai i Ardit Zymberit, 19-vjeçarit që humbi jetën si pasojë e një sulmi me armë zjarri, ka thënë se ka pranuar ngushëllime...
    Lajme25 Mars 2025
    Gjatë kësaj jave vendi ynë do të mbetet nën ndikimin e kushteve të paqëndrueshme atmoferike. Si rrjedhojë, gjatë gjithë javës parashihen vranësira...
    Bota/Rajoni25 Mars 2025
    Drejtuesi politik i koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, ishte sot në Elbasan, ku prezantoi kandidatët e partisë për deputetë të këtij qarku në...
    Lajme25 Mars 2025
    Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, është pyetur lidhur me shtrenjtimin enorm të kilogramit të specave në Kosovë. Peci në një intervistë në...
    Lajme25 Mars 2025
    Ministrit të kabinetit qeveritar Kurti 2 nga komuniteti turk i Kosovës të martën iu ngrit aktakuzë për sulm fizik, në atë që...
    Bota/Rajoni25 Mars 2025
    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, u takua sot me homologun e tij austriak, Alexander Van der Bellen. Van der Bellen, pos për...

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.