Sipas shifrave zyrtare të publikuara nga KQZ, deri sot ora (13:50) janë dorëzuar 241 647 zarfe, 58 128 janë marrë nga zgjedhësit, ndërsa 8 367 kanë mbërritur në KQZ.

Sipas KQZ, deri tani janë dërguar fletët e votimit për bashkatdhetarë nga 10 qarqe të vendit, për shtetasit shqiptarë që jetojnë në shtete të ndryshme të botës.

Numri më i madh i fletëve të votimit të shpërndara i përket qarkut të Tiranës me 51 520, Fierit 31 752, Elbasanit 25 022, Durrësit 24 872 e më pas në qarqe të tjera.

Të ndara sipas shteteve, janë dërguar në Itali 89 723 zarfe, në Greqi 67 165, në Gjermani 25 062, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës 20 274, në Mbretërinë e Bashkuar 16 913 etj.

Votuesit në diasporë kanë kohë ta plotësojnë dhe ta dërgojnë fletën e votimit me postë deri në javën e parë të muajit maj. Çdo votë që mbërrin në Shqipëri pas datës 11 maj, ora 19:00, do të konsiderohet e pavlefshme.

Vendi i caktuar për administrimin e këtij procesi është Pallati i Sportit “Feti Borova”, pranë Parkut Olimpik Tiranë. Aty po përgatiten dhe dërgohen fletët e votimit dhe po aty do të kryhet numërimi i votave të diasporës.

Fletët e votimit do t’u mbërrijnë bashkatdhetarëve tanë në Evropë nga data 15, deri më 22 prill dhe në kontinentet e tjera nga data 15, deri më 25 prill.

Pasi ta marrë zarfin me fletën e votimit, zgjedhësi nga jashtë këshillohet ta dërgojë atë në KQZ brenda 3 ditëve nga momenti i marrjes. Ata nuk do të shpenzojnë asgjë, pasi posta paguhet nga KQZ./ATSH