Europol ka nisur një operacion të madh në Ballkanin Perendimor për sitet me permbajtje terroriste dhe deri ditën e sotme ka mbyllur 346 faqe, midis tyre 90 shqiptare. Faqe e internetit apo llogaritë në rrjetet sociale përcillnin mesazhe që nxisnin dhunë për organizatën terroriste të Al Kaedës.
Faqe me përmbajtje terroriste, site apo platforma të tjera komunikimi janë vënë në shënjestër të operacionit që Europol nisi këto ditë në Ballkanin Perëndimor.
Report TV mëson ekskluzivisht se u bllokuan 90 linqe shqiptare që prej kohësh ishin në monitorimin e njësisë anti-terror, pasi nëpërmjet lajmeve, videove apo mësimeve nxisnin dhunë.
I gjithë materiali i prodhuar dyshohet se vinte nga organizata terroriste e Al Kaedës e ashtuquajtur shteti islamik dhe që më pas transkriptohej në gjuhën e vendit ku publikohej.
Krahas Shqipërisë, operacioni përfshiu vende si Bosnja Hercegovina, Kroacia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia dhe Sllovenia. Deri tani janë bllokuar 346 portale dhe 27 platformave elektronike që mbështesin xhihadin.
Ende nuk ka emra të faqeve dhe siteve të bllokuara, por Europol pritet të bëjë publike rezultatet e operacionit në ditët në vijim.