[wp-story]

Lajme

VV: S’ka takim Kurti -Mustafa, LDK është shumë e ngurtë për marrëveshje

VV: S’ka takim Kurti -Mustafa, LDK është shumë e ngurtë për marrëveshje
15:26 | 17 Dhjetor 2019

Ka disa ditë që janë ngrirë takimet në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Derisa partia e Isa Mustafës po e fajëson VV’në që nuk e po e japin dritën e gjelbër sa i përket pozitës së presidentit të ardhshëm, Lëvizja Vetëvendosje thotë se është LDK’ja ajo që po mban pozicionime të ngurta

Që nga e shtuna nuk ka pasur takim në mes të Albin Kurtit e Isa Mustafës, e një i tillë nuk është paraparë që të mbahet as sot gjatë ditës.

Dy liderët në fakt, nuk janë sprapsur nga qëndrimet që kanë vënë në tavolinë të diskutimit, e këto janë edhe arsyet që po i lënë pa marrëveshje.

Është LDK’ja që po insiston në pozitën e presidentit që do të zëvendësojë Hashim Thaçin, derisa Vetëvendosje e ka bërë të qartë se nuk negocion me këtë pozitë.

Mustafa qëndrimin e tij e ka bërë publik gjatë së shtunës edhe për kryesinë e  partisë, dje ndërkaq takoi kryetarët e degëve, ndërsa nesër është bërë e ditur se do ta takojë Këshillin e Përgjithshëm.

Këto qëndrime të LDK’së për pozitën e presidentit, e të cilat Mustafa po sigurohet që ti përcjellë në të gjitha strukturat e partisë, po shihen si të ngurta nga Lëvizja Vetëvendosje.

Nga partia e Albin Kurtit, pas njoftimit se sot nuk do të ketë takim, apo ndonjë zhvillim të ri, thanë se janë shumë të interesuar për koalicion. Mirëpo, sipas tyre, është LDK’ja te e cila po hasin në pozicionime të ngurta.

“Strukturat e Lëvizjes na njoftuan se nuk ka takim as sot. Nuk ka asnjë zhvillim të ri. Lëvizja është shumë e interesuar për koalicion, por nga pala tjetër po hasim në pozicionime të ngurta”, kanë thënë nga LV’ja për Gazetën Express.

Dy liderët e partive, janë kujdesur që pavarësisht se nuk kanë mbajtur takime, të deklarohen për koalicionin nëpër paraqitje publike.

Ishte Mustafa, që dje pas takimit me kryetarët e degëve tha se bisedimet me Kurtin nuk janë të ngurta.

“Procesi i bisedimeve po vazhdon dhe nuk është i ngurrtë, çdo ulje në tavolinë është mundësi për të gjetur zgjidhje të përbashkëta, ato zgjidhje është e vështirë që të zgjidhen nëse i ngurtësojnë para opinionit, kjo ka qenë edhe arsyeja kryesore që ne mos të dalim të japim deklarata që mos ta shpërfaqim një situatë që e kemi brenda, sepse gjithmonë bisedimet e kanë mospajtime edhe pajtime”, thotë Mustafa, derisa shton se nuk kanë ngrirje të qëndrimeve e se çështja e presidentit është parimore.

Nga LDK po thonë gjithashtu se janë duke kërkuar një kandidat konsensual që ta propozojnë për president.

Partia e Kurtit, në anën tjetër në vazhdimësi shprehet e bindur se nuk do të pranojnë diskutimet për presidentin. Të njejtët kanë thënë se fillimisht duhet të formohet qeveria, pastaj puna e presidentit të vendoset kur t’i përfundojë mandati Hashim Thaçi.

Deri më tani, nga marrëveshja e arritur në mes të dy partive, është bërë edhe ndarja e posteve ministore.

LDK-ja kishte zgjedhur fillimisht MPB-në, pastaj Ministrinë e Arsimit, Bujqësisë, Ministrinë e Mbrojtjes dhe të Planifikimit Hapësinor.

VV-ja ndërkaq, zgjodhi Ministrinë e Punëve të Jashtme, të Financave, Zhvillimit Ekonomik, Shëndetësisë dhe Drejtësisë.

Ministria e kthimit ndërkaq i takon komunitetit serb, e ajo e Kulturës, minoriteteve tjera.

Më shumë se dy muaj kanë kaluar që nga zgjedhjet e gjashtë tetorit, që konfirmuan si parti të parë Lëvizjen Vetëvendosje, të pasuar, nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Dy partitë, ishin zotuar se pas 72 orëve do të nënshkruanin marrëveshjen për bashkëqeverisje, mirëpo, tash kur kanë kaluar 21 ditë që nga ajo deklaratë, VV e LDK’ja po dakordohen vetëm që të vazhdojnë takimet.

Nëse planifikojnë që të finalizojnë bashkëpunimin për koalicion, Kurti e Mustafa kanë edhe 10 ditë para seancës konstituive./Front Online/

“Petrol Company” ul çmimet për 15 %. Ja sa kushton një litër naftë

Të tjera