×
  • Lajme
  • Lajme

    Vuçiq zbulon detaje, thotë se s’ka njohje reciproke pavarësisht se Hoti e kërkoi dhjetë herë

    FrontOnline
    05 Shtator 2020

    Kosova e Serbia dje në Washington kanë marrë zotime të ndryshme për të mundësuar zhvillimin ekonomik në të dyja vendet.

    Njëra ndër pikat më të rëndësishme në marrëveshjen e ofruar nga Washingtoni ishte pika dhjetë në të cilën kërkohej njohja reciproke, gjë që është kundërshtuar nga Serbia, e cila ia ka arritur ta largojë atë pikë nga marrëveshja.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në konferencë për media dje ka thënë se lufta kryesore është zhvilluar rreth asaj pike.
    Ai ka theksuar se nuk kanë bërë marrëveshje me Kosovën, pasi nuk e sheh subjekt të së drejtës ndërkombëtare, e kjo ai thotë se do të jetë shumë e rëndësishme më vonë.

    “Si fillim, ne bërë marrëveshje bilaterale me SHBA-në. Pra, nuk është marrëveshje trilaterale, ky është dallim i rëndësishëm. Pra, marrëveshje bilaterale ndërmjet Republikës së Serbisë dhe SHBA-së, pra palën e tretë nuk e kemi pranuar si subjekt i së drejtës ndërkombëtare. Kjo për neve ka qenë shumë me rëndësi. Do ta shihni se ky fakt bëhet edhe më i rëndësishëm kur do të arrijmë tek një pikë e vështirë për ne, e që nuk ka të bëjë tërësisht me Kosovën. Kur të kemi arritur tek kjo pikë pra do ta kuptoni pse është aq i rëndësishëm fakti që kemi bërë marrëveshje bilaterale”, ka thënë Vuçiq, transmeton koha.

    Ai ka treguar se për 15 minuta në kabinetin oval ka qëndruar delegacioni serb me presidentin Donald Trump dhe bashkëpunëtorët e tij.

    “Pra, kemi biseduar për tema të shumta, prej marrëdhënieve Serbi-Amerikë, deri tek të gjitha fushatat zgjedhore nëpër të cilat po kalojmë. Presidenti Trump ka shprehur dëshirën që ta vizitojë Serbinë, prandaj siç e keni parë, edhe në pjesën zyrtare kam përsëritur ftesën për një vizitë të tillë, që do të ishte vizita e parë e një presidenti amerikan pas vizitës së presidentit Carter me rastin e varrimit të Brozit (Titos)”, është shprehur ai.

    Vuçiqi ka shtuar se, “tani po merremi me ekonominë para së gjithash dhe me disa çështje politike, të cilat nuk janë të dhimbshme për vendin tonë”.

    Ai thotë se kjo është një marrëveshje e mirëfilltë dhe shumë e mirë për Serbinë.

    “Vetëm për Serbinë është paraparë hapja e Zyrës së Fondit për Zhvillim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd. Nuk ka një të tillë për Prishtinën, e as për ndonjë vend tjetër në rajon. Krenohem me këtë. Kjo do të nënkuptojë një sinjal të fuqishëm për të gjitha agjencitë kreditore, për të gjithë investitorët, si ata amerikanë, ashtu edhe për ata perëndimorë. Do të jetë një shenjë se sa ka vullnet Amerika jo vetëm të merret me tregun serb, por edhe të punojë për përparimin e mjedisit ekonomik. Ky është një lajm i mrekullueshëm”, ka thënë Vuçiq.

    Vuçiqi ka thënë se shqiptarët ishin të gatshëm të nënshkruajnë gjithçka, me kushtin që të kthehej pika e dhjetë për njohje reciproke.

    “Së pari mund të them se shqiptarët kanë kundërshtuar tri gjëra. E para, ata ishin gati të nënshkruajnë gjithçka, me kusht që të kthehet në tavolinë pika 10 e marrëveshjes. Hoti ka insistuar nja dhjetë herë në këtë. Kur arritëm ta heqim pikën 10, Hoti ka thënë se edhe nëse kam pasur vërejtje për Ujmanin e për mini-Shengenin, jam gati të pranojë gjithçka vetëm të kthehet pika 10. Ajo pikë 10 më nuk ekziston. Nuk ka njohje reciproke”, u deklarua Vuçiq, teksa shtoi se njerëzit në Serbi mund të marrin frymë lirshëm.

    Tutje ai thotë se delegacioni kosovar ishte i paqartë dhe nuk i kuptonin as amerikanët.

    “Pika tjetër të cilën e kundërshtonin ata ishte mini-Shengeni. Në fakt, argumentet i kishin shumë të çuditshme, e përzienin me Shënzhenin, nuk arritëm ta kuptojmë drejt këtë në fakt as ne as amerikanët. Sinqerisht. Ministri Selimi i tha diçka Grenellit, por ne nuk kuptuam asnjë gjë. E dorën në zemër moskuptim pamë edhe në sytë e amerikanëve. As O’Brien s’ka kuptuar asgjë. Por kjo nuk ka rëndësi. Rëndësi ka që ata janë obliguar në marrëveshjen e tyre me amerikanët që t’i qasen mini Shengenit. Pse është kjo e rëndësishme për ne? Nuk ka rëndësi se e kujt është ideja, e ka qenë e jona, me këtë do ta kemi tregun e përbashkët. Nuk do të ketë më befasi me taksa e tarifa e kështu me radhë. Me këtë do të sigurojmë qarkullimin e lirë të njerëzve, të mallrave, kapitalit, shërbimeve”, ka thënë Vuçiq.

    Ai thekson se kjo është me rëndësi së pari për serbët e Kosovës dhe Metohisë, e më pastaj për të gjithë qytetarët serbë, për gjithë Serbinë.

    “Ekonomia jonë ka humbur gjysmë miliardi euro vetëm për një vit për shkak të taksës. Diçka të tillë më nuk do të ketë. Ne kemi ekonominë më të fuqishme, prandaj mini-Shengeni është i rëndësishëm për ne, paçka se nga kjo përfitojnë edhe të tjerët. Por ne ndihemi mirë edhe për të tjerët. Por, Serbia përfiton shumë nga kjo dhe jam i lumtur që kemi arritur ta shtyjmë përpara këtë. Tash shqiptarët e kanë obligim ta pranojnë një gjë të tillë. Pas kësaj mbeten vetëm Bosnia dhe Hercegovina dhe Mali i Zi që t’i qasen mini-Shengenit, në mënyrë që të zvogëlojmë shpenzimet operative për 3, 4 e më vonë edhe 6,7 për qind, duke i dhënë imput dhe impuls shtesë zhvillimit tonë ekonomik”, ka thënë Vuçiq.

    Tutje ai ka folur edhe për pranimin e ndërsjellë të diplomave dhe certifikatave profesionale, që sipas tij ka pasur rezistencë nga pala shqiptare.

    “Në këtë pikë ata rezistuan, duke refuzuar të pranonin diplomat e qytetarëve të Mitrovicës, por më pas lëshuan pe. Më pas këtu thuhet se ne do të diversifikojmë burimet e furnizimit me energji elektrike. Ky në fakt ishte vazhdimi për të cilin jemi përpjekur dhe ja kemi dalë suksesshëm që të hiqet nga marrëveshja, ngase është dashur që të deklarohemi se prej kujt do të blejmë dhe çfarë do të blejmë. Ne kemi refuzuar një gjë të tillë”, ka thënë Vuçiq.

    E një çështje tjetër që ka përplasur delegacionin kosovar është edhe çështja e Ujmanit, sipas Vuçiqit.

    “Tutje, çështja thelbësore për të cilën ata janë grindur ndërmjet vete është Gazivoda, apo Ujmani siç thonë ata. Këtu shkruan se te dyja palët dakordohen të punojnë së bashku më Departamentin amerikan të energjetikës dhe organe tjera të Qeverisë amerikane në një studim fizibiliteti, i cili do të duhej të punonte në ndarjen e resurseve energjetike të liqenit të Ujmanit. Pra, që ta kuptojnë njerëzit përse ata ishin kundër e ne për, është sepse ne nuk marrim asnjë kilovat rrymë nga Ujmani në këtë moment e kësisoj, sido që të ndahet e në çfarëdo mënyrë që të ndahet vetëm ne do të përfitojmë. Prandaj ata janë grindur ashpër ndërmjet tyre, por mendoj se ndarja e resurseve është opsion i drejtë për të dyja palët, për këtë kemi këmbëngulur edhe në Bruksel dhe do të vazhdoj këmbënguljen edhe në bisedimet që do të mbahen atje dhe ta shohim si do shkojë”, ka thënë Vuçiq.

    Tutje ai ka shtuar se është me rëndësi që amerikanët ta bëjnë studimin e fizibilitetit dhe që “ne të mund të marrim pjesën që na takon, pra fjala është edhe për rrymën, edhe për ujin”.

    “Ujmani tek ne është më i thellë, pra kemi më shumë ujë, mirëpo ky ujë kryesisht shkon për Metohinë, Bardhin dhe Prishtinën. Pra shumë pak ujë shkon për territoret me serbë, ndërsa rrymë nuk kemi aspak. Si përfundim, kjo pikë për ne është fenomenale, ndërsa tek Prishtina siç kemi parë ka nxitur grindje”, ka deklaruar Vuçiq.

    Presidenti serb gjithashtu ka bërë të ditur se do të ketë edhe përfitim të liberalizimit të vizave për hyrje në SHBA.

    “Kjo i bie që të bëjmë të gjitha kontrollet e sigurisë nëpër aeroportet tona, pra ta bëjmë një gjë të tillë bashkë me Prishtinën, që kësisoj ashtu si Polonia të mund të llogarisin heqje të vizave në periudhat e ardhshme”, ka thënë ai.

    KESCO Premium hapet në Qendër të Prishtinës
    Nga Rubrika
    Lajme07 Shtator 2024
    Pas pranisë së kryeministrit Albin Kurti në inagurimin e shtatores së ish-presidentit Ibrahim Rugova, deputeti i LDK’së, Driton Selmanaj thotë se tani...
    Lajme07 Shtator 2024
    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se Serbia është në panik, pasi sipas tij, “Shkolla ruse” për destabilizimin e...
    Lajme07 Shtator 2024
    Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, i është kundërpërgjigjur akuzave të kryetarit të degës së LDK-së në Podujevë, Ekrem Hyseni, i...
    Të tjera
    Lajme07 Shtator 2024
    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka kujtuar 34-vjetorin e Kushtetutës së Parë të Kosovës, e njohur si Kushtetuta e Kaçanikut, teksa tha...
    Bota/Rajoni07 Shtator 2024
    Një 67-vjeçare ka vdekur sot në plazhin e Durrësit, pasi është futur për t’u larë. Banorja e Tiranës, dyshohet se sapo ka...
    Sport07 Shtator 2024
    Njëri prej objektivave të Manchester Cityt ka folur tashmë për të ardhmen e tij duke lënë të hapur mundësinë e largimit nga...
    Lajme07 Shtator 2024
    Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka theksuar se janë informuar se janë larguar bllokadat nga persona të maskuar në pikat kufitare në territorin...
    Lajme07 Shtator 2024
    Pikëkalimet kufitare në Merdarë e Bërnjak kanë qëndruar të mbyllura edhe pasditen e së shtunës. Ekipi i Ekonomia Online ka qëndruar në...
    Lajme07 Shtator 2024
    Shfaqja “Tartufi” i Teatrit nga Gjilani ka rrëmbyer 5 çmime në edicionit të 54 të Festivalit të Teatrove të mbajtur në Ferizaj....

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.