Azem Vllasi, njohës i zhvillimeve politike në vend, ka analizuar qëndrimin e BE-së mbi masat kundrejt Kosovës dhe reagimin e qeverisë së Kosovës. Ai ka theksuar se nuk ka qartësi se për çfarë tensionesh konkrete në veri po flitet, duke qenë se, sipas tij, realisht nuk ka ndonjë përshkallëzim të ri që e justifikon mbajtjen e masave ndëshkuese.
‘’Nuk është e qartë pse masat e BE ndaj Kosovës po u varkan nga de tensionimet në pjesën veriore kur atje nuk shihen tensione që po i shkaktojka Kosova. Të jemi të qartë: ata që kanë vendos masa ndaj Kosovës kërkojnë nga pushteti i Kosovës që të lejoi formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe’’, tha Vllasi.
Sipas Vllasit , problemi nuk qëndron tek reagimet e BE-së, por tek mënyra se si pushteti aktual në Kosovë po i trajton çështjet. Thelbi i problemit mbetet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, një strukturë për të cilën Kosova është zotuar në marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015.
Vllasi argumenton se këto marrëveshje janë nënshkruar në mënyrë të pamatur dhe e kanë futur Kosovën në një kurth politik dhe diplomatik.
‘’Pala kosovare vet ia ka varë vetes rreth qafës këtë obligim duke nënshkruar marrëveshje me Serbinë për këtë dhe në vitin 2013 e 2015. Qeveria e Albin Kurtit nuk po din të del nga kjo kurthë. E përgjigjja dhe rrugëdalja lidhur me këtë është e lehtë’’ , deklaroi Vllasi.
Ai rikujton se Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka kontestuar përputhshmërinë e tyre me Kushtetutën e vendit, çka, sipas tij, e bën të arsyeshme dhe të mundshme që këto marrëveshje të shfuqizohen.
‘’Marrëveshja me Serbinë për këtë nga viti 2013 e 2015 duhet të shfuqizohet ngase e ka kontestua edhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës’’, theksoi Vllasi.
Vllasi thotë se çështja e Asociacionit është çështje e brendshme dhe duhet të trajtohet brenda sistemit ligjor e kushtetues të vendit
‘’Çështja e këtij Asociacioni është ekskluzivisht çështje brendshme e Kosovës ngase ka të bëj me komuna të Kosovës dhe qytetarë të Kosovës të nacionalitetit serb’’, deklaron ai.
Sipas tij, edhe vetë diplomatët perëndimorë e kanë bërë të qartë se Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe të mos cenojë integritetin institucional të shtetit.
‘’ Derisa edhe zyrtarë të shteteve perëndimore thonë se ky Asociacion duhet të jetë përbrenda sistemit kushtetuese e ligjit të Kosovës e jo si njëfarë “Republika Serpska” sikur në Bosnje, kjo nuk duhet të jetë problem’’, thotë Vllasi.
Ai gjithashtu ka kritikuar mosrealizimin e premtimeve të qeverisë, duke kujtuar se kur Kosova ishte në prag të anëtarësimit në Këshillin e Evropës, përfaqësues të qeverisë patën deklaruar se do t’ia dërgonin Gjykatës Kushtetuese draft-statutin për Asociacionin si hap përmbushës ndaj këtij kushti. Megjithatë, një vit më vonë, asgjë nuk është bërë në këtë drejtim dhe çështja e anëtarësimit është zbehur nga diskursi publik.
‘’Kur Kosova ishte në prag të anëtarësimit në KE, para rrafsh një viti, zyrtarja e lartë e Qeverisë tha se Qeveria do t’ia dërgoi Gjykatës Kushtetuese draftin e Statutit për këtë Asociacion ngase ky mbeti kushti i vetëm për anëtarësim në KE. Ja kaluan një vit, ky premtim ishte i kotë e anëtarësimin e Kosovës në Ke as që e përmend kush më’’, potencoi Vllasi.
Sipas Vllasit, Kosova po paguan çmimin për veprimet dhe neglizhencën e vet, dhe nuk ka arsye të fajësohen faktorë të jashtëm për masat ndëshkuese. Ai thekson se vetëm pushteti aktual ka mundësinë dhe përgjegjësinë për ta zgjidhur këtë ngërç dhe për ta kthyer vendin në rrugën e normalizimit dhe të integrimit evropian.
‘’E si të bindemi që dikush tjetër na ka më shumë faj për izolimin dhe masat që po i përjeton Kosova sesa pushteti ynë. Rruga për tu heq masat ndaj Kosovës varet nga pushteti ynë, jo nga ata që i kanë vendos’’, përfundoi Vllasi.
Dëmi rreth 1 miliardë €/ Masat dyvjeçare të BE-së që gjunjëzuan ekonominë e Kosovës