[wp-story]

Front TV

Vjeshta e zgjedhjeve të parakohshme!

Vjeshta e zgjedhjeve të parakohshme!
12:56 | 15 Shtator 2020

Agjendën e ka fort të ngjeshur kohëve të fundit.

Vetëm brenda një jave, Avdullah Hotit, i ra hise të vizitojë Uashingtonin e Brukselin, dy kryeqendrat më të mëdha diplomatike në botë.

Vizitat atje ky nuk i bëri për qejf, por ngase këtë ia obligonte posti që mban, ai i kryeministrit.

Por në këtë pozitë, Hoti mund të mos jetë edhe gjatë.

Është partia më e madhe opozitare, Vetëvendosje ajo që vazhdimisht po punon për rrëzimin e tij.

Ani pse mocioni i tyre për diçka të tillë nuk ka marrë akoma votat e nevojshme për procedim në Kuvend, në këtë subjekt nuk e përjashtojnë si mundësi mbajtjen e zgjedhjeve.

“Çdo ditë po angazhohemi që të punojmë dhe të vijmë deri të zgjedhjet e reja për ta shpëtuar ekzistencën e shtetit. Gjasat janë, por duhet punuar dhe të angazhohemi për shkak se kërkesa e qytetarëve është që zgjedhjet të mbahen menjëherë dhe të kemi një qeveri legjitime, e cila angazhohet për interesat e shtetit të Kosovës dhe jo për pazare politike e rrezik të sovranitetit te vendit” , u shpreh deputeti i saj Eman Rrahmani për Front Online.

As subjekti tjetër opozitar, Partia Demokratike e Kosovës, nuk e përjashton mundësinë e mbajtjes së parakohshme të zgjedhjeve qendrore këtë vit.

Deputeti i saj, Bajrush Xhemajli, paralajmëron ngritjen e një mocioni mosbesimi nga partia e tij.

“Sigurisht që ka gjasa për zgjedhje të reja. Sa i përket mocionit ne do ta vlerësojmë momentin se kur, por do ta bëjmë edhe ne”, theksoi ai për Front Online.

E kurdo që të ndodhin zgjedhjet, në Komisionin Qendror te Zgjedhjeve, thonë se janë të gatshëm t`i mbajnë ato.

Kryetarja e këtij Komisioni e pranoi se nuk kanë fonde për këtë vit, por që të njëjtat do t`i siguronin nga Qeveria.

“Zgjedhjet, qofshin ato lokale apo qendrore, ne i organizojmë. E kemi për obligim. Buxhet nuk kemi pasi që nuk është viti zgjedhor, por ne e kërkojmë nga qeveria para në rast se shpallen zgjedhjet”, tha Daka për Front Online.

Zgjedhjet kaq të shpeshta, po i sheh si të dëmshme, profesori universitar, Mazllum Baraliu.

“Njëra nga dobësitë tona, të këtyre partive në skenën politike, herë njëra- herë tjetra është kjo që nuk kemi pasur asnjëherë një fitore plebishitare që të merr besimin e plotë. Kemi pasur zgjedhje të reja, të parakohshme, të cilat jo vetëm që pengojnë zhvillimin e shtetit, zgjidhjen e problemeve, por kanë edhe një kosto ekonomike”, tregoi ai për Front Online.

Mocioni për mosbesim ndaj Qeverisë bëhet i suksesshëm nëse merr votat e 61 deputetëve.
LVV-së dhe PDK-së nuk i mjaftojnë votat për rrëzimin e Hotit, pasi që e para i ka 31 deputetë dhe e dyta 24, apo 55 bashkërisht. Për ta arritur qëllimin, atyre i duhen votat e përfaqësuesëve të minoriteteve në Kuvend, apo AAK-së, Nismas-s.

Kësisoj vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme brenda 45 ditëve.

Benzinë vetëm 1.05 euro në Petrol Company e shumë zbritje tjera në “Be Happy Restorant” dhe Market

Të tjera