[wp-story]

Lajme

Viti vendimtar, aktakuzat e Speciales pritet të jenë publike

Viti vendimtar, aktakuzat e Speciales pritet të jenë publike
19:39 | 10 Janar 2020

Dhomat e Specializuara të Prokurorisë në Hagë, pritet që gjatë këtij viti t’i japin epilog përfundimtar hetimeve të tyre ndaj ish-ushtarëve të UÇK-së.

Pas kësaj, fokusi kryesor do të jetë në Tribunalin Special të Hagës, aty ku do të zhvillohen seancat gjyqësore ndaj personave të cilët do ta kenë barrë aktakuzën e organit ndjekës, shkruan lajmi.net.

Ndonëse ka kaluar një periudhë e konsiderueshme që prej se Specialja ka filluar punën e saj, përfshirë edhe dërgimin e ftesave për intervistim, nuk ka konfirmime se mund të ketë aktakuza të ngritura, por që nuk janë bërë publike.

Nga Prokuroria e Specializuar, për lajmi.net thonë se ata kanë autoritetin të kërkojnë prezencën e dëshmitarëve, të dëmtuarve apo të akuzuarve në selinë e tyre, si dhe të ekzaminojnë dhe sigurojnë prova dhe informacione, por që nuk tregojnë direkt diçka lidhur me çështjen e aktakuzave.

Christopher Bennet, nga zyra për informim e Dhomave të Specializuara, thekson se kjo është e vendosur në paragrafin e 35-të të ligjit për këtë Prokurori.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar, ndër të tjera, ka autoritetin të kërkojë prezencën si dhe intervistimin e të dyshuarve, viktimave apo dëshmitarëve. Po ashtu, ka autoritetin të mbledhë dhe ekzaminojë prova dhe informacione, dhe të marrë vendime për inicimin, vazhdimin, apo ndërprerjen e procedurave penale. Kjo është e vendosur në artikullin 35 të Ligjit për Dhomat e Specializuara të Prokurorisë dhe Gjykatës”, ka thënë Bennet.

Pak më shumë detaje japin nga Institucioni i Tribunalit Special.

Në përgjigjen e dhënë nga zyra për Informim e Gjykatës, ndonëse nuk tregojnë nëse ndonjë aktakuzë është dërguar atje nga Prokuroria, thonë se të gjitha regjistrimet e po ashtu edhe informacionet mbi çdo zhvillim procedural, do të bëhen publike.

“Të gjitha regjistrimet publike, si dhe të gjitha informacionet mbi çdo zhvillim procedural publik janë dhe do të jenë në dispozicion në faqen tonë të internetit”, thonë nga institucioni i Gjykatës Speciale.

Sidoqoftë, ndonëse një pjesë e madhe e punës së Organit Hetues po mbetet mister, nga Prokuroria thonë se janë duke e vazhduar punën e tyre në bazë të ligjit në fuqi.

“Prokuroria e Specializuar është duke e vazhduar implementimin e mandatit të saj bazuar në ligjin në fuqi”, thuhet në përgjigjen e Christopher Bennet.

Në anën tjetër, Specialja ka nisur me thirrjet e para për vitin 2020. Gjatë ditës së djeshme, nga ky institucion u ftua edhe deputeti i ri i PDK-së, Ferat Shala.

Vitin e kaluar, Specialja kishte ftuar një sër figurash të njohura të luftës së fundit në Kosovë, përfshirë kryeministrin në detyrë, Ramush Haradinaj, kryetarin e PDK-së, Kadri Veselin, pastaj Jakup Krasniqin, Sylejman Selimin, Sami Lushtakun, Rrustem Mustafën, Ramiz Lladrovcin, Rexhep Selimin dhe figura të tjera.

Po ashtu, në fund të vitit që lamë pas, Specialja kishte marrë pasaportat e disa prej të intervistuarve në cilësinë e të dyshuarve, nga ku me gjasë ndaj tyre pritet të ketë aktakuzë.

Në anën tjetër, organizatat e veteranëve të luftës kanë paralajmëruar se aktakuzat mund të përcillen edhe me arrestime nga hetuesit e Speciales.

“Petrol Company” në natën e “Kurban Bajramit” e bën me shtëpi të re familjen nga Skenderaj

Të tjera