Front TV

Visar Ymeri: Qeveria po e mbronë ZRRE-në në kurriz të qytetarëve

Visar Ymeri: Qeveria po e mbronë ZRRE-në në kurriz të qytetarëve
08:21 | 28 Janar 2022

Në Kosovë është paralajmëruar rritja e çmimit të rrymës, nga muaji shkurt i këtij viti.

E kjo ardhur pasi, siç ka thënë Qeveria, vendi po blen rrymë me çmime të larta dhe nuk po mund të plotësojë kërkesën me prodhimin e rrymës në termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”.

Për këtë gjendje të krijuar, Qeveria po konsiderohet fajtore.

Kështu po mendon një ish-bashkëpartiak i Kryeministrit Albin Kurti.

Analisti Visar Ymeri, thotë për Front Online se Qeveria e Kosovës është vonuar për t’u përgatitur për krizën, pasi sipas tij, kjo është paralajmëruar qysh nga viti i kaluar.

“Në këtë drejtim një prej problemeve madhore është që Qeveria e Kosovës është vonuar shumë në përgatitjen e krizën, një krizë kjo e cila ka qenë e paralajmëruar prej verës së vitit të kaluar, dhe në anën tjetër propozimi pastaj që ka ngjall shumë diskutim dhe debat dhe pakënaqësi tek qytetarët për shtrenjtimin e energjisë elektrike, edhe pse në njëfarë mase një shtrenjtim do të ishte i pashmangshëm”, u shpreh ai.

Ymeri: Shtrenjtimi i rrymës duhet të jetë më i vogël se sa i propozuari

 

Pozicionimi i Qeverisë së Kosovës për propozimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), Ymeri e konsideron shqetësuese.

Sipas tij qeveria nuk po iu del në mbrojtje të interesave të qytetarëve, por po mbron një kompani private.

“Pozicionimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës në mënyrë implicite në përkrahje të këtij propozimi të ZRRE-së është jashtëzakonisht shqetësues sepse Qeveria e Republikës së Kosovës qartazi nuk është që po ju del në mbrojtje të interesave të qytetarëve në këtë rast, por po e mbron interesin ose po e mbron kërkesën më shumë te një kompanie ose korporate private dhe kjo e bënë edhe më problematike pozicionimin e qeverisë, pra për ta përmbledhur konsiderojë se edhe nëse duhet të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike duhet të jetë më e vogël se sa i propozuari”, deklaroi ai për Front Online.

Ai tutje shton se me propozim të ZRRE-së, shtrenjtimi i rrymës nuk i prek komuna në veri të Republikës së Kosovës, dhe sipas tij kjo është pabarazi.

Visar Ymeri: Mosshtrenjtimi i rrymës për veriun do të shkaktoj më shumë probleme

 

“Tash së vonmi e kemi parë dje që ZRRE ka deklaruar që shtrenjtimi nuk do t’i prekë komunat në veri të Republikës së Kosovës, që është pastaj një pabarazi shtesë që po privohet  në mes qytetarëve. Unë konsiderojë që ky propozim në mënyrën dhe formën e vetë do të shkaktojë më shumë probleme se sa që do të zgjidh ndonjë problem e veçanërisht do të rëndojë mirëqenien e qytetarit”, u shpreh ai.

Një grup qytetarësh në Prishtinë protestuan të mërkurën kundër propozimit për shtrenjtim të çmimit të energjisë elektrike.

Duke mbajtur pankarta në duar ku shkruhej “Asnjë cent më shumë”, qytetarët marshuan në sheshet kryesore për t’u ndalur para ndërtesës së Qeverisë, nga ku kundërshtuan propozimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për tarifat e reja të energjisë.

Protestuesit thanë se propozimi për shtrenjtimin e rrymës është i padrejtë, pasi ata veçse po përballen me krizën ekonomike dhe atë të pandemisë.

Loja e madhe ka filluar nga 31 Janar dhe vazhdon deri me 2 Shkurt në Petrol Company

Të tjera