×
  • Lajme
  • Lajme

    Vetingu në dorën e qeverisë së re

    FrontOnline
    07 Janar 2021

    Vetingu vazhdon të konsiderohet si mundësia e vetme për të rikthyer besimin në sistemin e drejtësisë në vend, por që një proces i tillë assesi të realizohet. Që pas shpalljes së pavarësisë, vetingu në drejtësi ka qenë thuajse premtimi kryesor i partive politike, por që realizimi ka munguar, përkundër disa iniciativave që janë ndërmarrë nga qeveri të ndryshme.

    Qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti, kishte themeluar grupin punues për hartimin e modaliteteve dhe skenarëve për çështje të reformës në sistemin e drejtësisë, me ç’rast ky grup ka dorëzuar raportin që përfshin katër skenarë të cilët mund të përdoren.

    Opsioni i parë është vazhdimi i status quo-së apo gjendjes ekzistuese. Opsioni i dytë adreson problemet përmes ndryshimeve ligjore që kanë të bëjnë me llogaridhënien. Opsioni i tretë parasheh mundësinë e adresimit të të metave në llogaridhënie përmes masave të kombinuara, përkatësisht, vetingut në njërën anë dhe përmirësimit të performancës dhe disiplinimit përmes ndryshimeve ligjore në anën tjetër. Ndërkaq opsioni i katërt sheh si zgjidhje zhvillimin e veting-ut për gjyqtarë dhe prokurorë.

    Por, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese organizatat që merren me monitorimin e sistemit të drejtësisë thonë se tashmë çështja e vetingut i mbetet qeverisë së re që do të formohet pas zgjedhjeve, ndërsa ministri në detyrë i Drejtësisë thotë se gjatë këtij muaji do të shohin se për cilin nga katër opsionet do të vendosin.

    Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, thotë se e vetmja mënyrë për të kthyer besimin e qytetarëve në sistem të drejtësisë është të bëhet një veting i thellë.

    Miftaraj: Besimi i qytetarëve në sistemin e drejtësisë bëhet përmes vetingut

    “Ne si IKD e kemi thënë vazhdimisht dhe vazhdojmë ta përsërisim gjithmonë duke u bazuar në gjetjet tona nga monitorimi sistematik i sistemit të drejtësisë e vetmja mënyrë për të shpëtuar Republikën e Kosovës, e vetmja mënyrë për të kthyer besimin e qytetarëve në sistem të drejtësisë është të bëhet një veting i thellë. Ku çdo gjyqtar, çdo prokuror kalon përmes një filtri i cili pastaj ndikon që të kemi një pasqyrë më të qartë se këta persona a janë profesionalë, a kanë integritet, a kanë lidhje me politikën dhe sa janë të gatshëm në një farë mënyrë t’i ushtrojnë kompetencat dhe përgjegjësitë e tyre”, thotë ai.

    Rreze Hoxha, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, thotë se mungesa e stabilitetit politik po ndikon në të gjitha proceset reformuese të vendit, përfshirë edhe vetingun në drejtësi.

    Ajo potencon se cilado qeveri që vjen në pushtet duhet ta ketë si prioritet vetingun në drejtësi.

    Hoxha: Secila qeveri që vije në pushtet në Kosovë ta ketë si prioritet një proces vetingu

    “Mungesa e stabilitetit politik ndikon në gjithë proceset reformuese të vendit, sigurisht këtu përfshihet edhe reformat të cilat i bëhen sistemit të sundimit të ligjit. Në këtë aspekt GLPS konsideron që çfarëdo reforme në të cilën i nënshtrohet ky sektor e që nuk e ka për bazë vetingun është reformë kozmetike. Ky ka qenë qëndrimi ynë i kamotshëm dhe kjo e tregon insistimin ose avokimin tonë që secila qeveri që vjen në pushtet në Kosovë ta ketë si prioritet një proces vetingu. Mirëpo, jo çfarë do procesi t’ia vëmë emrin veting, mirëpo një veting i cili do të thotë në thellësi i shqyrton kriteret për të cilat do të duhej të përmbusheshin nga secili gjyqtar e prokuror që janë pjesë e sistemit të drejtësisë në vend”, thotë ajo.

    Pjesë e grupit punues për hartimin modaliteteve ka qenë edhe Genc Nimoni nga Organizata Çohu, i cili thotë se puna e këtij grupi duhet të merret parasysh edhe nga qeveria e ardhshme, por që thotë se kjo do të varet nga vullneti politik.

    Nimoni: Varet nga vullneti politik nëse do të procedohet tutje

    “Ai i vetingut klasik, të cilin ne natyrisht që e mbështesim më shumë, gjithashtu në krijimin e një mekanizmi të përhershëm për veting të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Sa i përket pyetjes se çka do të ndodh tani dhe a do të merret parasysh, mendoj që është një dokument konkret dhe që do të duhej të merret parasysh nga qeveria e ardhshme dhe varet nga vullneti i tyre a dëshirojnë tutje ta konkretizojnë këtë apo dëshirojnë të vazhdojnë me këto reforma të cilat veç i kemi pasur me këtë vazhdimësi e cila po vazhdon me i pas pasojat e veta. Natyrisht që kjo siç e përmenda varet nga vullneti politik dhe nuk mundemi me e ditë se as çfarë përbërje do ta ketë qeveria e re në mënyrë që me e ditë nëse do të procedohet tutje. Mirëpo, ajo çka mund të them për këtë grup ka qenë një punë intensive dhe me opsione konkrete dhe i mbetet qeverisë të vendos për opsionin”, thotë ai.

    Ministri në detyrë i Drejtësisë Selim Selimi, thotë se tashmë dokumenti me modalitetet ekziston dhe se gjatë këtij muaji do të kenë kohë të mendojnë se cilin prej tyre do të mbështesin.

    Ai nuk e sheh si pengesë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, se qeveria pjesë e të cilës është u formua në mënyrë jokushtetuese, që të vazhdohet me implementimin e vetingut.

    Selimi: Në janar kemi kohë të mjaftueshme që të diskutojmë se cili është modaliteti më i mirë

    “Vetingu nuk bëhet për politikë, do të thotë nuk bëhet për një grusht votash, vetingu bëhet për t’i ndihmuar sistemit të drejtësisë, për t’i mbrojtur prokurorët e ndershëm, për t’i mbrojtur gjykatësit e ndershëm. Pra, ky është qëllimi ynë dhe vetingu për mua ka qenë e rëndësishme që të kyçet KGJK dhe KPK për shkak se përndryshe nuk kishim mundur ta implementojmë, se vendimet për largim, vendimet për ndryshim i marrin KPK dhe KGJK si institucione të ndara. Në janar kemi kohë të mjaftueshme që të diskutojmë se cili është modaliteti më i mirë, cili është më i miri është ai të cilin e përkrahin shumica. Është e rëndësishme ta përkrahin shumica sepse pastaj mund të dështojmë në implementimin e tij. Çka është e rëndësishme është që në tërë procesin kanë qenë të kyçur SHBA-të, do të thotë kemi qenë në partneritet të plotë me ta dhe ata e kanë përkrahur procesin prej shfuqizimit të vendimit paraprak, marrjes së vendimit të ri”, thotë Selimi.

    Selimi pret që puna e grupit punues dhe modalitetet të mos hidhen poshtë nga qeveria që do të formohet pas zgjedhjeve që pritet të mbahen në së shpejti.

    Selimi: Nuk e ka asnjë pengesë ministri i ardhshëm që të fillojë të implementojë këto

    “Unë mendoj që po, normalisht është vendim i ministrit që vjen pasardhës për shkak që procesi ka qenë gjithëpërfshirës, procesi ka qenë objektiv. Do të thotë unë kam qenë në një mënyrë si një menaxher i atij trurit të sistemit juridik që i ka prodhuar këto dokumente, nuk është shkruar në zyre të partive, nuk është shkruar nga një kabinet politik, po është shkruar nga ekspertët dhe profesionistët. Andaj mendoj që nuk e ka asnjë pengesë ministri i ardhshëm që të fillojë të implementojë këto”, thotë ai.

    Ndryshe, viti 2020 është konsideruar si vit i dështuar për sistemin e drejtësisë, ku gjykatat vazhdojnë të përballen me numër të madh të lëndëve të pa trajtuara.

    Loja e madhe ka filluar nga 31 Janar dhe vazhdon deri me 2 Shkurt në Petrol Company
    Nga Rubrika
    Lajme20 Prill 2024
    Visar Ymeri, ish-bashkpartiaku i kryeministrit aktual, Albin Kurti e ka akuzuar që ky i fundit po e dëshmon që e sheh interesin...
    Lajme20 Prill 2024
    Kritika partia në pushtet për prezencën në fushatën elektorale të partisë VLAN në Maqedoninë Veriore ka marr edhe nga opozita. Deputeti i...
    Lajme20 Prill 2024
    Analisti politik, Visar Ymeri ka kritikuar Albin Kurtin pasi ky i fundit nuk takoi kryeministrin aktual të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferin....
    Të tjera
    Lajme20 Prill 2024
    Gjykata Themelore në Pejë, ka shqiptuar dënimin prej 15 vjet e gjashtë muaj burgim ndaj mësimdhënësit Valentin Selmanaj, për sulmin seksual ndaj...
    Lajme20 Prill 2024
    Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, do ta vizitojë Beogradin këtë të shtunë, për takime me liderët e...
    Lajme20 Prill 2024
    Zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elashni ka treguar se si do të ecin procedurat e aktiviteteve të...
    Lajme20 Prill 2024
    Mëngjesi i së shtunës parashihet më i ftohtë, por se me më shumë intervale me diell. Ditës zhvillohen vransira, që më vonë...
    Lajme20 Prill 2024
    Bashkimi Evropian tha të premten se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është urgjente, ndërsa u bëri thirrje...
    Sport19 Prill 2024
    Ndonëse drejtuesit e Barcelonës po insistojnë që Xavi Herandez të mbetet në krye të bankinës së katalonasve, megjithatë, Xavi duket është i...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.