×
  • Opinione
  • Opinione

    Vetëvrasjet, si tregues i një shoqërie anomike

    Miranda Rira 
    14 Shkurt 2025

    Nga: Miranda Rira 

    Dy vetëvrasje të dy vajzave të reja shoqëruan ditët e para të shkurtit. Në 4 shkurt, një nënë e dy fëmijëve të mitur, e cila punonte si infermiere pranë Neurologjisë në spitalin e Elbasanit, vendos t’i japë fund jetës duke u vetëhedhur nga kati i pestë i pallatit ku banonte me qira. 28-vjeçarja njihej si një person shumë pozitiv dhe pa asnjë shenjë depresioni të spikatur nga ish-kolegët apo familjarët e saj. Disa media shkruanin se vajza e vogël e të ndjerës kishte qarë me të madhe dhe kërkonte të ëmën, por kjo nuk e kishte ndaluar nënën e re nga akti i vetëflijimit ekstrem.

    Pa u mbushur ende java, një vetëvrasje tjetër ndodh në Gjirokastër. 15-vjeçarja Ersa Muçollari gjendet e varur brenda mureve të banesës së saj, në një kohë kur duhet të ishte në ambientet e shkollës. Ajo që e bënte edhe më të dhimbshme këtë rast ishte letra që gjetën familjarët, ku vajza shkruante edhe arsyet që e kishin shtyrë drejt kësaj rruge pa kthim. Në letër shkruhej: “Pse më bullizojnë mua? Kaq kanë mundësi prindërit e mi…”. E bullizuar për shkak të gjendjes së saj ekonomike, e ndodhur në kuvlinë e një jete të padrejtë, ku vlerat nuk maten me notat që merr në shkollë, por me telefonin e fundit, me rrobat që vesh, me paratë që ti ke apo prindërit e tu, 15-vjeçarja dëshpërimisht i dha fund jetës. Ndërsa dje, kryeqyteti u trondit sërish kur një 75-vjeçar, pacient i spitalit “Shefqet Ndroqi” i dha fund jetës duke u vetëhedhur nga një kat i spitalit. Rastet e mësipërme janë të dhimbshme, të paqarta, të mbushura me pikëpyetje. Pse vetëvriten shqiptarët? Pse ka një trend rritjeje në numrin e vetëvrasjeve përgjatë viteve të fundit? Shpjegimet për këtë janë të ndryshme. Teoritë psikologjikë që shpjegojnë vetëvrasjen janë të shumta. Pra, personi ose vuan nga çrregullime të shëndetit mendor, siç mund të jetë skizofrenia apo të vuajë nga paranoja dhe deluzione të tjera. Por ka edhe raste kur personi vuan nga një depresion i gjatë i patrajtuar që mund të jetë fatal në momente të një shpërthimi emocional apo zhgënjimi jetësor. Për të mos e bërë zi gjithë kornizën, shoqëria jonë nuk është e vetme ku ndodhin vetëvrasje.

    Nëse e shohim në aspektin makrosociologjik, vetëvrasja përbën një nga shkaqet kryesore të humbjes së jetës së njerëzve. Kështu, më shumë se 800,000 njerëz vdesin çdo vit si pasojë e vetëvrasjes (Bilsen, 2018). Rreth 1.5 milionë njerëz u vetëvranë gjatë vitit 2023. Shkalla e vdekshmërisë për shkak të vetëvrasjes për vitin 2021, ishte 10.7 në 100,000 banorë, që do të thotë në çdo 20 sekonda, kryhet një vetëvrasje. E parë në këtë këndvështrim, vetëvrasja mund të perceptohet edhe si një problem esencial i shëndetit publik, sidomos për gjeneratat e reja, për të ardhmen e të rinjve. Në kërkimet dhe studimet e bëra nga psikologu i njohur amerikan për fëmijët dhe familjen David Goldston, vetëvrasja përbën shkakun e tretë të vdekjeve tek adoleshentët, sidomos të atyre nga mosha 15-24 vjeç.

    Në një studim të kryer nga qendra për parandalimin e vetëvrasjes në Shkollën e Mjekësisë në Karolinën e Veriut, rezultoi se 1 në 12 adoleshentë të shkollave të mesme kishin dashur të paktën një herë në jetë t’i jepnin fund jetës së tyre dhe 17 për qind e adoleshentëve të shkollave të mesme kishin menduar seriozisht të kryenin vetëvrasje. Kur flasim për vetëvrasjen dhe sjelljen vetëvrasëse tek adoleshentët, duhet të kemi parasysh që ky është një fenomen që ndodh në tre momente të ndryshme: 1-Ideimi i vetëvrasjes, pra mendimet, dëshira që ka dikush për të kryer vetëvrasje, 2- përpjekjet e vetëvrasjes (kjo përfshin mënyrën që përdor dikush për të kryer vetëvrasje, me helmim, me armë të ftohta, me hedhje nga lartësi të caktuara etj., si edhe hapi i 3-të që është akti i vetëvrasjes. Nëse e krahasojmë me vendet e tjera të Europës, Shqipëria renditet ndër vendet që ka një nivel të ulët të numrit të vetëvrasjeve. Një studim i kryer nga Rene Diekstra, ku ai i referohet epidemiologjisë dhe përkatësisë gjinore të vetëvrasjes, pasqyroi se ka variacione të mëdha në shkallën e vetëvrasjes, ndërmjet vendeve europiane. Kështu, vendet e Europës Jugore si Spanja dhe Italia, kanë numrin më të vogël kurse vendet skandinave apo vendet e Europës Qendrore si Hungaria, Zvicra, Austria, kanë nivelin më të lartë të vetëvrasjeve. Ky fakt epidemiologjik, tregon se shkalla e vetëvrasjes mund të ndryshojë nga një vend në tjetrin në varësi të faktorëve psikosocialë, si roli i besimit fetar, zakoneve, stresi psikosocial i atyre që tentojnë vetëvrasjen.

    Sipas Eurostat, Shqipëria kishte në vitin 2017- të, 7.5 vetëvrasje për 100,000 banorë, duke u renditur ndër vendet që e kanë më të ulët këtë tregues. Serbia e ka nivelin e vetëvrasjeve në raport me popullsinë, gati 2 herë më të lartë se Shqipëria ose 14.3 për 100,000 banorë. Po sipas Eurostat, për vitin 2017-të, Lituania regjistroi numrin më të lartë të vetëvrasjeve, me 26 vdekje për 100,000 banorë, e ndjekur më pas nga Sllovenia, Letonia dhe Hungaria me 17 vetëvrasje për 100,000 banorë. Të dhënat dhe raportet e fundit, tregojnë se rreth 1 milion njerëz vetëvriten çdo vit (World Health Organization, 2012). Të dhënat e kryera në vitin 2022, në Kansas University State, tregojnë se adoleshentët janë në risk të lartë të vetëvrasjes, pasi vetëvrasja përbën shkakun e tretë të vdekjeve tek personat e grupmoshës 15-24 vjeç.

    Gratë e reja kryejnë tentativë për vetëvrasje 3 herë më shumë sesa burrat, por ama të rinjtë meshkuj janë ata që vetëvriten më shumë se të rinjtë femra. Vetëvrasja në Shqipëri duhet të shihet si një problem i shëndetit publik, për shkak edhe të prevalencës në rritje që shënojnë rastet e vetëvrasjes. Rasti i infermieres së Elbasanit që nuk i kishte rënë askujt në sy as depresioni dhe as shqetësimet e saj, na tregon se shumë njerëz në shoqërinë tonë vuajnë nga probleme të shëndetit mendor. Ajo mund të ketë vuajtur nga depresioni, i cili e shton riskun e përpjekjeve për të kryer vetëvrasje, të paktën 14 herë. Njerëz që mund t’i kemi kolegë zyre, banorë të të njëjtit komunitet, miq, të afërm që në pamje të parë duken normal, por ata mund të jenë neurotikë dhe të vuajnë nga psikoza të ndryshme të paidentifikuara apo trajtuara më herët. Bullizmi ose tallja është një problem shumë i madh në ambientet tona të edukimit.

    Në jo pak raste bullizmi është bërë shkak për konflikte dhe përplasje masive midis grupeve, qofshin këto/këta vajza apo djem, madje ka përfunduar edhe në fatalitete siç ishte rasti i humbjes së 14-vjeçarit Martin Cani i shkollës “Fan Noli” apo rasti i 15-vjeçarit në Gramsh, që u vra pak minuta pasi kishte mbaruar mësimi. Bullizmi ‘online’ po ashtu paraqet një rrezik të lartë sepse personi i bullizuar brenda një kohe të shkurtër e gjen veten të shantazhuar dhe intimiduar nga një numër shumë i madh njerëzish, që mund të jenë bashkëmoshatarët e tij, shokët e tij të klasës, prandaj edhe trauma psikologjike e emocionale që ai/ajo mund të përjetojë është shumë e fortë. Pa harruar këtu edhe rolin që ka përdorimi i rrjeteve sociale nga adoleshentët, pasi shumë prej tyre nuk përdorin vetëm një, por disa platforma, prandaj dhe shanset për të përhapur informacionin me përmbajtje shantazhuese, tallëse dhe bullizuese janë më të mëdha. Sot, shkollat tona nuk kanë ndërtuar ende një mekanizëm sesi duhet të sillet, çfarë duhet të bëjë, ku duhet të shkojë një adoleshent që ndihet i shantazhuar apo bullizuar. Në disa shkolla ka punonjës socialë dhe psikologë, por shpesh impakti dhe efikasiteti i tyre është thuajse i papërfillshëm. Të mos harrojmë se fëmijët dhe adoleshentët janë pasqyrë e shoqërisë sonë.

    Nëse në shoqëri shohim pabarazi, një pakicë që pasurohet dhe një shumicë që varfërohet, kjo padyshim që do të reflektohet edhe tek adoleshentët, ata që shesin mend dhe nuk iu mungon asgjë dhe ata që jetojnë me sakrificat e prindërve të tyre. Siç e shkruan me dhimbje edhe 15- vjeçarja nga Gjirokastra: “Prindërit kaq kanë mundësi…”. Këtu duhet të futet në rol familja dhe prindërit. Shpeshherë duke i plotësuar çdo dëshirë fëmijës së tyre, prindi mendon se prindërimi tij është i mirë, se po bën detyrën si prind. Nuk ekziston asnjë teori sociologjike, antropologjike apo psikologjike që mbron tezën se duke i plotësuar të gjithë tekat dhe dëshirat materiale fëmijës sonë, ai/ajo do të bëhet një njeri më i mirë, më i zoti, më i aftë dhe më i përgjegjshëm.

    Prandaj, prindërit të mos mendojnë se shkolla do të bëjë pjesën, që në fakt u takon prindërve. Pavarësisht nga ndikimet dhe stresorët e jashtëm që influencojnë në vetëvrasjen e adoleshentëve, familja është një nga faktorët më thelbësorë që mund të ndërhyjë në parandalimin e vetëvrasjes. Kështu, prindërit apo familjarët duhet të krijojnë një mjedis të ngrohtë e të sigurt në shtëpi, duhet të monitorojnë në mënyrë të vazhdueshme sjelljen e fëmijëve të tyre dhe të zgjedhin konfliktet familjare që mund të jenë të lidhura me sjelljen vetëvrasëse të adoleshentit. Prindërit, gjithashtu luajnë një rol të rëndësishëm në parandalimin e vetëvrasjes, sidomos në momentet kur shikojnë shenjat e të tilla si rënie në peshë, vetëizolim të adoleshentit, rënie në mësime, shpërthime të forta emocionale dhe psikologjike, sjellje të çuditshme të pamanifestuara më parë etj..

    Të dhënat tregojnë se marrëdhëniet familjare dhe ndërpersonale ndikojnë në shëndetin emocional, fizik dhe mendor të individit, në mënyra që lidhen me riskun për vetëvrasje. Marrëdhëniet romantike, marrëdhëniet familjare, suporti ekonomik, social dhe emocional ndikojnë në periudhën stresante të dikujt dhe në mënyrën sesi ai/ajo e sheh jetën. Shpesh, sociologët mendojnë se familjet e mëdha, me shumë anëtarë, ndikojnë pozitivisht tek adoleshentët, pasi kjo gjë iu siguron atyre suport fizik dhe shpirtëror, që rrjedhimisht mund të parandalojë vetëvrasjen.

    Kolektivizmi ose ndërvarësia nga njerëzit e tjerë shikohet si vlerë në shumë kultura, pasi individët që janë në risk, ndjehen se i përkasin dikujt, se ata nuk janë vetëm dhe kjo gjë zvogëlon tendencat e tyre për t’u vetëvrarë. Gjithashtu, studiuesit e vënë theksin edhe tek roli që luan feja apo spiritualiteti tek individët në tërësi dhe adoleshentët në veçanti. Ata vunë re se në komunitetin afrikano-amerikan, ku vetëvrasja përbën shkakun e tretë me numrin total të vrasjeve, individët që merren me aktivitete fetare shfaqin sjellje dhe lidhje më të forta sociale me të tjerët e për pasojë shëndet më të mirë mendor. Nuk ka studime që tregojnë sesa të rinj apo të reja shqiptare përfshihen në aktivitete fetare apo sesa ndikon spiritualiteti dhe pjesëmarrja e tyre në objektet e kultit, por rastet kanë treguar që shpesh përfshirja e të adoleshentëve në sekte apo kulte fetare që operojnë në vendin tonë, ka rritur prevalencën për vetëvrasje, sepse akti i vetëvrasjes është perceptuar si një akt sublim që të çon në botën e përtejme, ku nuk ka vuajte dhe zhgënjime dhe konceptohet si akti i fundit i lirisë.

    Nga Rubrika
    Opinione21 Mars 2025
    Nga akademik, prof, dr. Anastas Angjeli Ekonomia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) ka qenë dhe mbetet një nga motorët kryesorë...
    Opinione20 Mars 2025
    Nga: Ditmir Bushati Java që sapo lamë u mbyll me protesta të fuqishme anembanë Europës. Serbët, hungarezët dhe gjeorgjianët dolën masivisht në...
    Opinione19 Mars 2025
    Nga: Lutfi Dervishi Babai i Hashim Thaçit do të varroset pa praninë e të birit. Gjykata Speciale nuk i ka dhëne leje...
    Të tjera
    Bota/Rajoni21 Mars 2025
    Kreu i PD-së, Sali Berisha, ka kërkuar heqjen e masës “detyrim paraqitje”. Siç raporton Top Channel, çështja është regjistruar ditën e sotme...
    Bota/Rajoni21 Mars 2025
    Kryetarja e deleguar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, ka shkarkuar nënkryetaren Sara Goxhaj dhe sekretarin e Përgjithshëm Alban Dokushi pasi rimori...
    Lajme21 Mars 2025
    Më 1 mars, ka ndodhur një grabitje në afërsi të ‘Albi Mall’ në Veternik, ku cak ishte furgoni i kompanisë “Istambul Ozel...
    Vip21 Mars 2025
    Ditën e djeshme qarkulluan emrat e parë që po përfliten të jenë pjesë e kastit të ‘Ferma VIP’. Bëhet fjalë për emra...
    Kronika21 Mars 2025
    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në rajonin e Prishtinës në kuadër të këtyre angazhimeve, që nga data 13.03.2025 ka...
    Lajme21 Mars 2025
    Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar në Gjykatën Supreme një ankesë lidhur me procesin zgjedhor të postave të ardhura me postë pasi ia hodhi...

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.