×
  • Opinione
  • Opinione

    Vaj, miell dhe injorim nga qeveria

    FrontOnline
    11 Prill 2022

    Në panik nga lufta dhe çmimet e larta, kosovarët po krijojnë rezerva ushqimi. Ndërkohë qeveria bën sehir, pa asnjë plan konkret për ndihmë, duke injoruar gjithë situatën. Nuk rrit paga, as nuk lejon tërheqje parash nga Trusti. Qysh me jetu?

    Fillimi i luftës në Ukrainë ishte paralajmërim për gjithë botën se tregjet do të lëviznin, do të kishte mungesë artikujsh ushqimorë dhe çmimet do të rriteshin. Situata e re bëri që qytetarët, sikurse para dy vitesh kur nisi pandemia, të grumbullojnë ushqime, kryesisht vaj e miell. Kjo ndikoi që tregtarët të shfrytëzojnë panikun e krijuar për të rritur çmimet e produkteve, pavarësisht se ekspertët thoshin se nuk është e nevojshme një gjë e tillë dhe nuk ka nevojë për panik.

    Por, pse njerëzit në Kosovë, por edhe në vendet tjera të rajonit megjithatë nuk hoqën dorë nga rezervat sado të vogla të ushqimeve? Pse reaguan njësoj dy herë brenda dy vitesh?

    Vaji dhe mielli blihen më së pari dhe më së shumti për të prodhuar ushqimin që përmbush nevojat themelore fiziologjike – për të shuar urinë. Një sjellje e tillë e qytetarëve duhet parë si një mekanizëm mbrotjës. Natyrisht, rol të rëndësishëm luajnë edhe e kaluara dhe mentaliteti i një shoqërie.

    Kosovarët ende bartin traumat e kohës së luftës. Ajo përvojë e hidhur iu shërben për të reflektuar se mos mund të ndodh sërish ashtu. Kështu, rezerva e ushqimeve nënkupton një ndjenjë sigurie në një kohë të pasigurtë dhe plot paqartësi. Ekonomistët e kanë të vështirë të parashikojnë se sa mund të zgjasë kriza globale ekonomike, e shkaktuar nga lufta në Ukrainë. Andaj, pasiguria është e arsyeshme.

    Por, grumbullimi i ushqimeve është edhe shprehje e mosbesimit ndaj institucioneve, respektivisht pushtetit. Njerëzit humbin besimin në institucione dita-ditës, andaj iu mbetet detyrë e rëndësishme që të sigurohen sa më parë e sa më mirë që, në një situatë problematike, të mos shpresojnë shumë se institucionet mund të ndihmojnë.

    Në Kosovë nuk është se institucionet kanë bërë shumë për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve, në euforinë e rritjes së çmimeve thuajse të secilit produkt. Andaj, pasiguria sociale dhe ekonomike nuk ka si të mungojë.

    * * *

    Sipas ekspertëve të ekonomisë, është e rëndësishme që të analizohet edhe sjellja e gjeneratave të ndryshme karshi perceptimit që kanë për grumbullimin e ushqimeve në situata krize. Ata që i takojnë gjeneratës “Baby Boomers” (të lindur ndërmjet viteve 1946-1964), gjeneratës X (1965-1980) dhe një pjesë e gjeneratës Y (1981-1996) kanë kujtime të pakëndshme nga luftërat, varfëria, mungesa e ushqimeve dhe inflacioni. Gjenerata “Baby Boomers” ka përjetuar dy luftëra dhe pasojat e tyre, andaj e dinë më mirë se kushdo se çfarë do të thotë të vuash në një situatë krize.Në anën tjetër, pjesëtarët e gjeneratës Z (1997-2012) kanë të tjera qëndrime. Sipas tyre, nuk ka nevojë fare që të grumbullohen ushqime, sepse në këtë mënyrë bëhet dëm, duke shtyrë bizneset të rritin çmimet dhe duke shkaktuar situatë paniku.

    E kuptueshme që ky qëndrim ka të bëjë me mungesën e përvojës së tyre me luftërat, varfërinë dhe mungesën e ushqimeve. Gjenerata Z konsideron se ushqim duhet siguruar vetëm për vete, ende i kanë prindërit që kujdesen për vete, ndërkaq nuk kanë pasardhës për të cilët do të duhej shqetësuar.

    Megjithatë, askush nuk mund ta pohojë se sjelljet e tilla të ndryshme ndërmjet gjeneratash kanë bërë që çmimet të rriten. Teorikisht, çmimet rriten për shkak të ndryshimeve në tregun global dhe prishjes së balancës ndërmjet ofertës dhe kërkesës. Në Kosovë çmimet e shumë produkteve tashmë kanë arritur nivele “çmendurie”, duke e bërë jetesën gjithnjë e më të vështirë.

    * * *

    Gjithë këtë situatë, Qeveria e Kosovës po e sheh me njëfarë komoditeti të pashpjegueshëm. Është e pamundur të plotësohen nevojat themelore për jetesë me çmime në stratosferë, e me rroga përtokë. Qeveria ende nuk ka ndërhyrë në rritjen e pagave, nuk ka caktuar madje as pagën minimale, ndërkaq nuk lejon qytetarët t’i tërheqin kurismet e veta nga Trusti. Në një situatë të tillë, kategori të tëra shoqërore e kanë të vështirë të jetojnë.

    Ndryshe nga shtete të tjera, për qytetarët në rrezik nuk janë ofruar kurrfarë pakosh ndihme, as forma të tjera që do ta zbutnin sadopak situatën e vështirë. Megjithatë, në krejt këtë krizë, llafet e kota nuk mungojnë, as krekosjet për rritje dyshifrore ekonomike. Nuk mungojnë as milionat për ndihma sociale, duke mirëmbajtur parazitë që mund të punojnë, por nuk kanë arsye. Dhe sot, po të pyesësh qytetarët se si po iu ndihmon qeveria ta kalojnë këtë kohë të vështirë, me siguri përgjigjet dërmuese të tyre do të jenë se nuk po e ndiejnë dorën e shtetit. Të shtetit dhe të drejtuesve të insitucioneve që po veprojnë të shkëputur nga hallet dhe problemet e atyre që i kanë votuar, duke shpresuar për jetë më të mirë.

     

    Si t’i përdorni radiatorët e ngrohjes që të kurseni deri në 25% të faturës së rrymës
    Nga Rubrika
    Opinione25 Prill 2024
    Burimi: The Financial Times (titulli origjinal: Don’t relax, Europe — the US hard right isn’t finished yet), Constanze Stelzenmuller. Në fundjavë, Kongresi...
    Opinione24 Prill 2024
    Nga: Lina Khatib / The Guardian (titulli origjinal: Iran seems like it’s in escalation mode – but all-out war with Israel is...
    Opinione23 Prill 2024
    Shkruan Hisen Berisha  Pas dështimit të serbëve për të realizuar të drejtën e tyre politike për të zgjedhur kryetarët e tyre në...
    Të tjera
    Lajme25 Prill 2024
    Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha pas rundit të ri të dialogut, se Serbia kishte “qëndrime shqetësuese” sa i përket çështjes së...
    Lajme25 Prill 2024
    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani sot ndër të tjera ka folur edhe për çështjen e dinarit. Ai është shprehur se për...
    Lajme25 Prill 2024
    Gjatë qëndrimit në Gjermani, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, takoi sot në Berlin, bashkë-drejtuesin e SPD-së gjermane, Lars Klingbeil dhe anëtarin e...
    Lajme25 Prill 2024
    Përfaqësues Alternativ i Shteteve të Bashkuara për Çështjet e Posaçme Politike në Kombet e Bashkuara, Robert Wood, është takuar  më 22 prill...
    Vip25 Prill 2024
    Diola Dosti dhe biznesmeni kosovar Erolld Belegu, prej disa ditësh po kalojnë pushimet krah njëri-tjetrit në Bali. Çifti ka treguar se janë...
    Lajme25 Prill 2024
    Shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se Vetëvendosja refuzoi të diskutonte në kuvend për raportin e Departamentit Amerikan të...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.