Opinione

Udhëkryqet e Kosovës dhe fundi

Udhëkryqet e Kosovës dhe fundi
19:58 | 06 Maj 2020

A do ta pret Kosovën ideja e ndarjes dhe a ka vdekur ajo? Realiteti politik në Ballkan shumë shpesh pasqyrohet me ide të pamundura politike. Dhe, përse për të analizuar mundësitë duhet të bëhet një përllogaritje “e pazarit” deri në këtë kohë

Nga Idro SEFERI

Disa dialogun e përshkruajnë si “art i të menduarit bashkë”. Shumica e studentëve të viteve bazike të shkencave politike e dinë se dialogu është një proces, ku palët paraqesin kërkesat më të larta, që të arrin në një pikë. Natyrisht, në teori mendohet se palët nxjerrin nga maksimumi një rezultat të dëshiruar, por jo maksimumin. Kur të nxirren kërkesat, pala e tretë nëse ka, atëherë ndërhynë. Por, ky nuk është dialog aq komercial në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ka dialog, sic ka qenë ai në rastin e marrëveshjes së Dejtonit (1995), që janë marrëveshje për luftën, por jo për funksionim shumë të qartë. Ky i Kosovës është dialog për të mbyllur një histori dhe kjo histori mund të mbyllet vetëm në dy mënyra për Kosovën: anëtarësim të plotë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara ose marrëveshje pa anëtarësim në OKB. Por, këto dy opsione kanë rezultate dhe kosto të ndryshme.

Në kohën kur shumica e botës u kthyen në numra dhe jetonin në karantinë disi lajme botërore dhe politikë me bollëk ka prodhuar vetëm Kosova. Në këtë serial të pafund bombardimesh me porosi higjenike, kur flitej vetëm për shifra, fillimisht të infektuarit, e më pas duke numëruar vdekjet, partitë politike në Kosovë treguan një maturi të jashtëzakonshme të luftës për pushtetin. Këtu temë është gjithmonë se me kënd është Amerika?Dhe, të dyja palët kanë folur për zgjidhje dhe me ta bashkë dhjetëra emisione televizive. Idetë politike përballen se kush është pro apo kundër, pra masave kundër Serbisë si tarifat dhe reciprociteti. Vula i jepet kur disa thonë ne nuk lejojmë ti ndodh Kosovës një gje e të tjerët tjetra. Për të mos vargisur tash këtu kot analiza politike si rezyme të ngjarjeve politike, është me rëndësi të trajtohet diskursi ndërkombëtarë karshi problemit të Kosovës dhe rrjedhimisht problemit të Serbisë. Dhe, po ashtu është e rëndësishme që të dihet që Kosova është në beteja të ndryshme për statusin e saj jo që prej kohës kur ka nisur dialogu, por që dikur prej fundviteve të ’80. Një ngjarje që ka sjellë një ngjarje tjetër, nga jeta paralele institucionale e shqiptarëve, lënia nga luftërat tjera, krijimi i lëvizjes gjithëpopullore, shfaqja e UCK-së, bombardimet, fitorja e serishme e Rugovës e deri tek dialogu i Vjenës që bashkë me pakon e Ahtisarit dështuan të arrijnë marrëveshje për paqe. Në dialogun e Brukselit u firmos një marrëveshje me shumë probleme, por e para në letër.Ka qenë kryesisht Serbia e cila ka refuzuar dhe Kosova që ka fituar me dekada në arenën ndërkombëtare. Por, bashkësia ndërkombëtare ka ndjekur një proces që nga ajo ideja e famshme “Standardet para statusit”, e në çdo mundësi tjetër administrative duke e sjellë gjendjen në mundësinë e aprovuar të shteteve Perëndimore që Kosova të mund të shpallte pavarësinë. Çfarë date ka qenë 17 shkurti dhe çfarë rëndësie ka patur ajo dhe si ndodhi pikërisht në këtë date? Atëherë u pjek puna! Kosova tregoi që në vitin 2004 që gjendja në status quo ishte e paqëndrueshme, por bashkësia ndërkombëtare duhej të krijonte besimin dhe mundësinë që pavarësia të ndodhte atëherë kur nuk do të nxihte zgjerimin e konfliktit shumë. Rastet sporadike në politikë nuk quhen.

Ka qenë lidhja e parë e imja direkte në vitin 2007 në televizion, pasi më parë kisha punuar si gazetar gazetash, kur në Beograd patën arritur anëtarët e trojkës që ishte një zgjatje e dialogut në një formë të re, anëtare të së cilës, përveç një diplomati rus, ishin Frank Wisner, një diplomat amerikan i palodhshëm dhe Wolfgang Ischinger, që përfaqësonte Gjermaninë dhe Evropën. Në shkallët e pallatit presidencial ata folën për një fazë të re të dialogut, por që dihej që në fillim se ishte e dështuar. Asaj kohe në Serbi ishte i freskët miratimi i kushtetutës së re me preambulën “Kosova është Serbi” dhe konstalacioni qeverisës Tadiç-Kostunica+Jeremiç, e proklamonin këtë ide. Më së shumti që ishte e gatshme Serbia të jepte ishte modeli i Tirolit ose i ishujve Aland që me suedez i takon Finlandës. Pra Kosova nuk i afrohej pavarësisë. Atëherë ende vlenin tri vija të kuqe të Grupit të Kontaktit: nuk ka kthim në gjendjen e mëparshme – pra nën kontrollin e Serbisë, nuk ka ndarje dhe nuk ka bashkim me shtete të tjera, pra as me Shqipërinë. Kosova u pa se mori dritën e gjelbër dhe pavarësia u shpall. Pas saj nisi një dialog i ri që u quajt teknik, kur Serbia refuzonte të fliste për statusin e edhe nga ana tjetër Kosova. Por, ky dialog që teknikisht zgjodhi disa gjëra, por me stërzgjatjen e proceseve elementare sa për të treguar vullnet dialogu, situata nuk bëhej pasi mllefet nuk ishin nxjerrë. Më vonë pyetja e famshme e ish shefit të diplomacisë serbe Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë i dha disfatën më të madhe Serbisë. Por, më pas gjendja ndryshoj në Kosovë dhe shumë aktor u kthyen kundër marrëveshjes dhe kundër demarkacionit, por edhe të tjerë u futen në dialog politik pa iu ndryshuar emërimi atij teknik. Mos zbatimi i disa pikave e ktheu Kosovën në defanzivë dhe i dha alibi Serbisë të nis ofensivën kundër ç’njohjeve të Kosovës që fillimisht u injorua nga diplomacia kosovare gati me tallje derisa numri u bë serioz dhe situata u kthye në një gangrenë. Këtu erdhi tarifa dhe shumë manipulues, si për çdo temë, herë u kthyen pro e herë kundër. Serbia ndërkohë nuk flet për Kosovën si pjesë të Serbisë, por flet insistueshëm për marrëveshjen si rezultat i kompromisit. Dhe, kjo e ka sjellë një situatë të re të gatishmërisë së Beogradit për marrëveshje. Problemi është tek interpretimet që brenda Kosovës shfrytëzohen për të krijuar tema politike ose kauza të partive dhe individëve. Dhe, po ashtu përfshirja e Amerikës apo akuzimi i saj si anuese është një efekt i tillë. Natyrisht se si gazetar por edhe ata që ndjekin politikën mund të pajtohen që presidenti amerikan, Donald Trump, ngjan jo pak të jetë qesharak. Por, kjo u takon satiristëve amerikan si sferë. Problemi i paqartësisë së dialogut vazhdon pasi nuk është paraparë se kur do t’ia nis, por dakordimi me BE-në do ta sjellë një dialog ndoshta në situatë të palakmueshme për Kosovën, por gjërat do të qartësohen kur të afrohet. Është e drejtë të ndodh një dialog politik pasi kjo situatë nuk ka shumë kuptim. Kosova nuk e përballon dot mos shkuarjen në negociata. Për të fituar ulësen në OKB-në firmën duhet ta vendos Serbia pasi ajo do të detyrohet të loboj tek Rusia dhe Kina që të pranohet marrëveshja dhe të mos përdoret veto. Në rastin kur nuk ka ulëse në OKB, mund të firmoset një marrëveshje mbi qëllime paqeje, por që nuk garanton as integrim të sigurt në BE dhe as të qenurit shtet plotësisht. Dhe, mbi të gjitha ka një çmim. Pra edhe mos shkuarja është e gabueshme.

Serbia, dhe ky është qëllimi i këtij shkrimi, do ta kërkoj një pako gjërash në të cilat padyshim që edhe kompromisi nënkupton pikën e përkufizimit apo ndarjes së kufirit. Dhe, të gjitha partitë politike duhet ta thonë që diskutimi për statusin mund të sjellë në tavolinë edhe territore. Pavarësisht se nuk ka një dakordim ndërkombëtarë për këtë të gjitha ata që besojnë se kjo nuk është një prej ideve janë naiv. Dhe, në përballje me kërkesa të tilla nuk mjaftojnë një mori konstatimesh për të shkuarën pasi për to ka intervenuar NATO dhe thjesht diplomacia nuk funksionin kështu. Kur flitet për rezultatet e politikës në Kosovë këto dy dekada qytetarët shumicës ia kanë parë “dëftesën e notave dhe suksesin”. Këtu shtrohet pyetja sa ka ndikuar nepotizmi, korrupsioni, stagnimi ekonomik, dalja azil e mijëra kosovarëve dhe shumë gjëra populiste të rreshtuara në fatin e Kosovës?

Gjendja faktike kur flitet për marrëveshjen është e qartë pasi Serbia nuk e kontrollon Kosovën, por kontrollon veriun, serbët, disa pasuri natyrore dhe biletën hyrëse në OKB. Të gjitha këto I ka të qarta Beogradi që përgatitë opinionin që fitore do të ishte të “mos fitoj vetëm njëra palë”. Aq sa e ka të qartë se nga kjo duhet ta siguroj të ardhmen. Përkundër të gjithave është e vështirë të besohet se do të arrihet marrëveshje shpejt. Por, gjithsesi herët a vonë në tavolinë do të ketë opsione.

Senatorët amerikan që vizituan muaj më parë Kosovën dhe Serbinë e thanë të qartë kur u pyetën nga gazetarët serb çfarë idesh ka Amerika: “Ne duam të krijojmë një hapësirë brenda së cilës mund të diskutohet dhe palët të bien dakord. Do të bëjmë çfarë të mundemi që ta mbështesim dialogun gjë që është jep dhe merr, pra jep dhe merr. Sigurisht që nuk do të jetë e kënaqshme për të dyja kombet se çfarë do të jetë kjo marrëveshje, por kur të arrihet kjo- potenciali dhe përfitimet do të jenë përtej problemeve”, pati thënë prerë Ron Johnson, senatori republikan i shoqëruar nga ai demokrat Chris Murphy. Pra, partitë më mirë të përgatiten se sa të premtojnë që nuk flasin për tema të caktuara pasi është e pandershme të thuhet jo, e më vonë të ndodh. Kjo është një marrëveshje historike që kërkon transparencë pasi “katapultimi” i saj në trashëgimi mund të lë “bishta pasojash”. Përgjigja është përgatitja e mirë dhe jo fantazia mbi “të fortit e Kosovës me gjoks përballë botës”./Koha.mk/

“M Sillosi” S’ka nëvojë për panik, grurë ka me bollëk

Të tjera