×
  • Bota/Rajoni
  • Bota/Rajoni

    Trump ndalon investimet në kompanitë që ndihmojnë ushtrinë kineze

    FrontOnline
    13 Nëntor 2020

    Presidenti amerikan, Donald Trump ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv që u ndalon amerikanëve të investojnë në kompanitë kineze, të cilat ofrojnë shërbime për ushtrinë e Pekinit dhe aparatin e sigurisë, reagim që është qortuar ashpër nga Kina.

    Urdhri ka renditur 31 kompani, të cilat besohet se Kina i ka përdorur për “shfrytëzim në rritje” të kapitalit investues të Shteteve të Bashkuara për të financuar shërbimet ushtarake dhe ato të inteligjencës, duke përfshirë zhvillimin e armëve për shkatërrim masiv.

    Marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës janë përkeqësuar rëndë gjatë presidencës së Trumpit, dhe ky vendim ka qenë ndër të fundit në morinë e urdhrave ekzekutivë dhe veprimeve rregullative që kanë shënjestruar ekonominë kineze dhe zgjerimin ushtarak.

    Të premten, Pekini ka akuzuar SHBA-në për “abuzim të fuqive shtetërore ashtu që në mënyrë arbitrare të shtypë kompanitë kineze”, duke thënë se veprimi “minon” bashkëpunimin tregtar dhe investimet në mes të të dyja shteteve.

    Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Wang Wenbin, ka thënë në një konferencë të rregullt për media se SHBA-ja duhet “t’i japë fund qasjes së gabuar” dhe të tërheqë vendimin.

    “Kjo masë, jo vetëm që dëmton të drejtat legjitime dhe interesat e kompanive kineze, por dëmton edhe interesat e investitorëve ndërkombëtarë, duke përfshirë ata që janë nga Shtetet e Bashkuara”, ka thënë Wang, raporton Radio Evropa e Lirë.

    Sipas motos “Amerika e Para”, Trump ka portretizuar Kinën si kërcënimin më të madh për Shtetet e Bashkuara dhe demokracinë globale, ka nisur luftë tregtare me të, ka kritikuar kompanitë teknologjike kineze dhe ka fajësuar Pekinin për pandeminë e koronavirusit.

    Urdhri i së enjtes u ndalon kompanive amerikane dhe individëve që kanë aksione në ndonjërën nga kompanitë e renditura, duke përfshirë kompani të mëdha të telekomunikimeve, ndërtimit dhe ato të teknologjisë si China Mobile, China Telecom, kompaninë e vëzhgimit, Hikvision, dhe korporatën kineze të hekurudhave.

    Sipas urdhrit, investitorët aktualë kanë një vit për të prishur lidhjet me kompanitë e lidhura me Kinën.

    Lajmi për këtë veprim, që do të nisë së zbatuari më 11 janar, ka pasur ndikim menjëherë në tregjet e aksioneve në Hong Kong.

    Vlera e aksioneve në kompaninë shtetërore, China Telecom, kanë rënë për tetë për qind, në China Mobile për pesë për qind dhe në China Railway Construction Corp për më shumë se 4 për qind.

    Qasja e Bidenit ndaj Pekinit
    Këshilltari për Siguri Kombëtare në Shtetet e Bashkuara, Robert O’Brien, ka thënë se urdhri do t’ua pamundësojë amerikanëve që të sigurojnë kapital për kompanitë kineze, të cilat mbështesin përmirësimin e ushtrisë së Pekinit dhe agjencive të spiunimit.

    Ai ka thënë se kompanitë e renditura në listë “shënjestrojnë në mënyrë rutinore shtetasit amerikanë dhe bizneset përmes operacioneve kibernetike”, ashtu si edhe ekonominë dhe ushtrinë e tyre.

    O’Brien po ashtu ka kritikuar Pekinin për përjashtimin e katër ligjvënësve pro-demokracisë në Hong Kong këtë javë, duke e quajtur “të turpshme” qeverisjen që funksionon sipas organizimit “një shtet, dy sisteme”.

    Sipas tij, Kina është duke rritur dorën e saj autoritare në Hong Kongun, që njihet si zonë financiare.

    Prej kur janë shpallur rezultatet e zgjedhjeve presidenciale në SHBA gjashtë ditë më parë, Trump nuk ka pranuar humbjen ndaj presidentit të zgjedhur Joe Biden, ndonëse një gjë e tillë është traditë në territorin amerikan, sapo të publikohen parashikimet.

    Teksa sëmundja COVID-19, që shkakton koronavirusi shënon rekorde të reja të përhapjes në SHBA dhe shtyn shtetet drejt marrjes së kufizimeve të reja, Trump vazhdon të kryejë detyrat e tij të zakonshme presidenciale, duke i bërë politikat e tij ndaj Kinës tejet të paparashikueshme.

    Pavarësisht qasjes së ashpër të administratës së tij ndaj Kinës, analistët presin që Biden të përmirësojë udhëheqësinë amerikane në fushën e të drejtave të njeriut, dhe të rrisë presionin në tregti dhe siguri ndaj Pekinit, më shumë sesa paraardhësi i tij.

    Përgjatë fushatës zgjedhore, ish-nënpresidenti amerikan ka folur hapur për të drejtat e njeriut në Pekin dhe udhëheqësinë e presidentit Xi Jinping, retorikë që kërcënon të thellojë tensionet kur ai të nisë punën në Shtëpinë e Bardhë në muajin janar.

    “Ky është një burrë që nuk ka as d prej demokracisë në trupin e vet”, pati thënë Biden në nisje e sipër të fushatës së tij.

    “Ky burrë është bandit”, ka thënë Biden duke iu referuar presidentit kinez.

    Gati një javë pas shpalljes së Bidenit fitues, Pekini më në fund ka nisur një mesazh urimi për presidentin e zgjedhur të premten.

    Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Wang Wenbin, ka thënë se Kina do të “respektojë zgjedhjen e popullit amerikan”.

    “Shprehim urimet tona për Biden dhe nënpresidenten e zgjedhur amerikane, Kamala Harris”, ka thënë mes tjerash ai.

    Wang ka thënë se Kina kupton se “rezultati i zgjedhjeve amerikane do të përcaktohet në përputhje me ligjet dhe procedurat amerikane”.

     Petrol Company  prin me çmime me të lira në derivate dhe shumë oferta të tjera
    Nga Rubrika
    Bota/Rajoni25 Prill 2024
    Kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski në konferencë për shtyp u shpreh se në këto zgjedhje, qytetarët kanë dënuar me votë pushtetin dhe...
    Bota/Rajoni24 Prill 2024
    Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela në festën e fitores së Frontit Europian në Tetovë tha se Arben Taravarit me këto...
    Bota/Rajoni24 Prill 2024
    Kandidati për president i Koalicionit VLEN Arban Taravari, pas shpalljes së rezultateve të para, ka reaguar në rrjetet sociale. Në një postim...
    Të tjera
    Bota/Rajoni24 Prill 2024
    Komisioni Shtetëror Zgjedhor në Maqedoninë Veriore (KSHZ) ka nisur të nxjerr rezultatet e para jo-zyrtare për zgjedhjet presidenciale në rrethin e parë,...
    Lajme24 Prill 2024
    Jonathan Hargreaves, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë është takuar me anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të...
    Bota/Rajoni24 Prill 2024
    Përpjekjet globale të imunizimit kanë shpëtuar të paktën 154 milionë jetë në 50 vjetët e fundit, tha Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH),...
    Lajme24 Prill 2024
    Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) ka nisur të nxjerr rezultatet e para jo-zyrtare për zgjedhjet presidenciale në rrethin e parë, shkruan FrontOnline. Sipas...
    Lajme24 Prill 2024
    Kryeministri i vendit, ka thënë se Kosova për herë të parë ka filluar regjistrimin online të diasporës. Ai tha se ky është...
    Bota/Rajoni24 Prill 2024
    Në Serbi sot janë arrestuar 17 persona, anëtarë të dy grupeve të organizuara kriminale, të cilët dyshohet se kanë falsifikuar 400 dokumente...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.