×
  • Bota/Rajoni
  • Bota/Rajoni

    Trump kundërshton drejtorin e CDC-së për vaksinat dhe maskën

    FrontOnline
    17 Shtator 2020

    Presidenti Donald Trump kundërshtoi të mërkurën një deklaratë të drejtorit të Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, lidhur me planet e administratës së tij për të vënë në dispozicion vaksinën për koronavirysin dhe për efektivitetin e maskës. Ndërkohë, kandidati demokrat për president, paraqiti planin e tij për vaksinën, nëse fiton në zgjedhjet e nëntorit.

    Një vaksinë kundër koronavirusit do të jetë në dispozicion në sasi të kufizuar në periudhën mes nëntorit dhe dhjetorit, u tha ligjvënësve të mërkurën drejtori i Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

    Por ai tha se nuk do të ishte gjerësisht në dispozicion për publikun, deri shumë më vonë.
    “Mendoj se bëhet fjalë për fundin e tremujorit të dytë, ose tremujorin e tretë, 2021”, tha ai.

    Vetëm disa orë më pas, Presidenti Donald Trump kundërshtoi ekspertin e administratës së tij.

    “Mendoj se gaboi kur e tha një gjë të tillë, është thjesht informacion i pasaktë. E telefonova dhe nuk më tha të njëjtën gjë, besoj se tani e ka të qartë, mund të jetë ngatërruar, ndoshta është shprehur gabim. Ne jemi gati të fillojmë menjëherë pasi të shpallet vaksina dhe mund të shpallet në tetor “.

    Përgjigjia e Amerikës ndaj pandemisë është një çështje kyçe në garën presidenciale të nëntorit dhe Trump ka thënë se një vaksinë mund të jetë gati deri ditën e zgjedhjeve.

    Trump kundërshtoi gjithashtu deklaratën e drejtorit të CDC-së se maskat janë të efektshme dhe mund të mbrojnë më shumë se sa një vaksinë.

    Në një diskutim me votues në Filadelfia të martën mbrëma, organizuar nga ABC News, Trump sugjeroi që imuniteti i turmës mund të bëjë që koronavirusi të zhduket pa një vaksinë.

    Një imunitet në masë ndodh kur një përqindje e lartë e popullatës infektohet, duke tkurrur gjasat e prekjes për individët që nuk e kanë këtë imunitet.

    “Mënyra e vetme për të arritur imunitetin e turmës pa një vaksinë është që virusi të bëjë gjithçka vetvetiu. Kështu virusi do të infektonte shumë, shumë njerëz dhe do të sëmurte shumë, shumë njerëz, do të çonte shumë prej tyre në spital, dhe do të kishte shumë vdekje të njerëzve të të gjitha moshave, fëmijëve, të rinjve dhe natyrisht, shumë të moshuarve dhe njerëzve me sëmundje kronike. Jo, ne nuk do ta dëshironim këtë”, thotë Profesori i Universitetit Vanderbilt, William Schaffner, një specialist i sëmundjeve infektive.

    Në përpjekje për të paraqitur një kontrast me qëndrimin e Trump për të luftuar pandeminë, kandidati demokrat për president Joe Biden paraqiti të mërkurën planin e tij për të zhvilluar dhe shpërndarë një vaksinë nëse zgjidhet.

    “Këtu përfshihen afatet e detajuara për marrjen e vaksinës, përcaktimi i qartë i grupeve që kanë përparësi, mjetet dhe mekanizmat konkrete për transportin dhe ruajtjen e vaksinave në temperaturën e duhur. Dy prej vaksinave që po testohen, duhet të mbahen dhe shpërndahen në temperaturë minus 21 gradë Celsius. Ndarja e përgjegjësisë duhet të jetë e qartë. Dhe unë do të tregoj udhëheqjen e nevojshme për ta zbatuar atë plan”, tha ai.

    Ndërsa disa amerikanë fillojnë të dërgojnë me postë votat e tyre për zgjedhjet e nëntorit, një anketë e fundit nga ABC News dhe Ipsos, tregon se 65 për qind e amerikanëve nuk e miraton mënyrën se si po e menaxhon presidenti Trump pandeminë./voa/

    Nga Rubrika
    Bota/Rajoni21 Mars 2025
    Policia metropolitane ka konfirmuar tani se komanda kundër terrorizmit po kryen hetime për burimin e zjarrit në nënstacionin në Hayes që çoi...
    Bota/Rajoni21 Mars 2025
    Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgimin e Durrësit pas arrestimit nga SPAK, duket se ka gjetur një mënyrë për të shpjeguar...
    Bota/Rajoni20 Mars 2025
    Një katërvjeçar është aksidentuar rëndë mbrëmjen e së enjtes në rrugën Klos-Burrel, e si pasojë ka humbur jetën. Sipas raportimeve të mediave,...
    Të tjera
    Kronika21 Mars 2025
    Policia e Kosovës në Prizren ka arrestuar të dyshuar pasi raportohet se gjatë kontrollit tek i njëjti janë gjetur dhe konfiskuar: një...
    Lifestyle21 Mars 2025
    Humbja e peshës nuk është diçka e lehtë. Kërkon përkushtim, motivim të fortë dhe ndjekjen e një plani që funksionon më mirë...
    Opinione21 Mars 2025
    Nga akademik, prof, dr. Anastas Angjeli Ekonomia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) ka qenë dhe mbetet një nga motorët kryesorë...
    Lajme21 Mars 2025
    Në mungesë të të akuzuarve Pal Lekaj, Donika Kadaj Bujupi dhe Besa Baftiu, të premten ka dështuar të mbahet seanca për gazin...
    Sport21 Mars 2025
    Sot në mbrëmje, në stadiumin “Wembley” të Londrës, Kombëtarja e Anglisë do të presë Shqipërinë në ndeshjen hapëse të Grupit K për...
    Kronika21 Mars 2025
    Një ngasëse në Gjilan raportohet se duke e drejtuar veturën e saj, nuk është ndalë në pikë kontrolli të veturave dhe duke...

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.