×
  • Lajme
  • Lajme

    Trepça në krizë të prodhimit

    FrontOnline
    09 Shtator 2024

    Kombinati metalurgjik Trepça nuk ka arritur deri më tash të prodhojë as gjysmën e produkteve të përshkruara në planin e tij të biznesit për vitin 2024, kryesisht për shkak të grevave të punëtorëve dhe mungesës së lëndës së parë.

    Nga janari deri në gusht, minatorët nuk kanë punuar 74 ditë pune.

    E, pagat e tyre varen nga prodhimi, përkatësisht shitja e produkteve.

    Më 27 gusht, udhëheqja e Trepçës shpalli gjendje të jashtëzakonshme për shkak të, siç tha, humbjeve të mëdha ditore në prodhim, dhe vendosi t’i pezullojë përkohësisht pushimet vjetore të punëtorëve për muajt shtator, tetor dhe nëntor të këtij viti.

    Dikur motor i ekonomisë së Kosovës, Trepça, prej vitesh, përballet me prodhim të reduktuar, edhe pse treg për shitje ka, konfirmojnë nga kombinati.

    Rreth Trepçës

    Kompleksi metalurgjik Trepça, që gjendet në rajonin e Mitrovicës, është shoqëri aksionare – 80 për qind e aksioneve janë të Qeverisë së Kosovës, kurse 20 për qind janë të punonjësve të kësaj ndërmarrjeje.

    Produktet kryesore që prodhohen atje, janë xehet dhe koncentratet e plumbit dhe zinkut me përmbajtje të argjendit, arit dhe elementeve të tjera.

    Deri në vitet ’90, kur është përkeqësuar situata politike, Trepça është llogaritur si një prej ndërmarrjeve më të mëdha jo vetëm në Kosovë, por edhe në territorin e Jugosllavisë së atëhershme.

    Në periudhën pas ka nisur rënia e prodhimit dhe zvogëlimi i numrit të punëtorëve – nga rreth 20.000 atëkohë, sot i ka rreth 700 minatorë.

    Makineritë e vjetruara mbi 50 vjet dhe mungesa e mirëmbajtjes janë shndërruar në probleme të vazhdueshme.

    Greva të punëtorëve, në kërkim të kushteve më të mira dhe pagave më të larta, ka kohë pas kohe.

    Kombinati operon me 13 njësi biznesore në territore të ndryshme të Kosovës.

    Miniera e Stantërgut është vendburimi kryesor i xehes, pasuar nga miniera me flotacion e Kishnicës dhe e Artanës.

    Radio Evropa e Lirë analizoi Planin e Biznesit 2024 për këto njësi, ku për këtë vit ishte e planifikuar që të prodhoheshin mbi 210 mijë tonë xehe dhe koncentrate të plumbit dhe zinkut – mbi 160 mijë tonë në Minierën e Stantërgut dhe mbi 41 mijë tonë në Minierën e Kishnicës dhe atë të Artanës.

    Por, Miniera e Stantërgut, deri në muajin gusht, ka arritur të prodhojë vetëm rreth 53 mijë tonë xehe, ose të realizojë 1/3 e planit dinamik, thotë drejtori i prodhimit të këtij flotacioni, Bujar Jashari, për Radion Evropa e Lirë.

    Sipas tij, arsyet për nënprodhim lidhen me ndërprerjen e punës për shkak të grevave, mungesën e lëndës së parë që sigurohet nga kompanitë private, si dhe keqmanaxhimin në kombinat.

    “Fillimisht, në muajt mars-prill, nuk ka pasur për 32 ditë prodhim, sepse ka munguar lënda e parë – eksplozivi”, thotë Jashari.

    Sipas tij, minatorët nuk kanë punuar për 35 ditë të tjera në muajt korrik dhe gusht, për shkak të mosrealizimit të pagës, e ngjashëm as shtatë ditë në qershor.

    Radio Evropa e Lirë nuk mori përgjigje nga udhëheqësit e Minierës së Artanës dhe të Kishnicës për sasinë e prodhimit.

    Por, në vendimin për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, të siguruar nga REL-i, thuhet se në dy flotacionet, Stantërg dhe Kishnicë e Artanë, nga data 10 korrik deri më 15 gusht “ka pasur humbje të mëdha ditore në prodhim dhe ndalesë në realizimin e planit të biznesit”.

    Në vendim parashihet mobilizimi i të gjitha kapaciteteve për të stabilizuar gjendjen operative dhe financiare të ndërmarrjes.

    Një ditë pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, udhëheqja e Trepçës tha përmes një postimi në Facebook se “gjatë pjesës së mbetur të vitit, ndërmarrja synon rritjen e prodhimit dhe kufizimin e shpenzimeve sipas një plani të veprimit të miratuar nga Bordi Mbikëqyrës”.

    Kryetari i Sindikatës së Minatorëve, Ibrahim Jonuzi, tregon se të gjithë minatorët janë në vendet e tyre të punës dhe se janë duke punuar me intensitet të lartë.

    “Problem, aktualisht, janë pajisjet e vjetruara, makineritë… Dhe kjo po ndikon në sasinë e prodhimit”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

    Për katër vjet – mbi 28 milionë euro nga Qeveria

    Për shkak të mosrealizimit të pagave si pasojë e nënprodhimit, Qeveria e Kosovës ka ndarë më 14 gusht mbi katër milionë euro për pagat e minatorëve.

    Për të njëjtin qëllim, mjete janë ndarë edhe viteve të kaluara.

    “Për paga dhe shërbime operative, Qeveria, përgjatë katër vjetëve të kaluar, ka ndarë mbi 28 milionë euro”, thuhet në një deklaratë me shkrim që udhëheqja e Trepçës i dërgoi REL-it.

    “Shumica e mjeteve kanë shkuar për paga dhe shpenzime operative në prodhim”, sipas saj.

    Bashkim Kurti, i cili deri në fillim të gushtit ishte kryeshef ekzekutiv i Trepçës, thotë për Radion Evropa e Lirë se ndërmarrja ka makineri të vjetruara, por shpreh bindjen se edhe me kushte të tilla mund t’i sigurojë të hyrat e nevojshme për paga dhe shpenzime.

    “Nuk mund të prodhohet nëse [minatorët] nuk i bëjnë as tri orë punë efektive. Këtu është problemi kryesor dhe kjo qasje duhet të ndryshojë. Produktet e Trepçës kanë treg të mjaftueshëm, por nuk ka prodhim”, thotë ai.

    Pagat e minatorëve në Trepçë sillen nga 700 deri në 900 euro, varësisht përvojës dhe përgatitjes profesionale.

    Ata nuk kanë as sigurime shëndetësore, as jetësore, ndërsa incidente në kombinat ndodhin vazhdimisht.

    Radio Evropa e Lirë ka raportuar disa herë sesi minatorët, përveçse me makineri të vjetruar, përballen edhe me mungesë të kushteve elementare, si çizme apo helmeta.

    E kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, Qeveria e Kosovës nuk u përgjigj në pyetjen se a ka plane për investime.

    Megjithatë, ajo ka kërkuar disa herë nga menaxhmenti i Trepçës që ta rrisë prodhimin, rrjedhimisht edhe të hyrat financiare.

    Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka takuar më 23 gusht disa nga minatorët në Stantërg.

    Ajo ka thënë se Qeveria është e gatshme të investojë në Trepçë, “vetëm kur të vihet në vend drejtësia”, pa treguar më konkretisht se për çfarë drejtësie e ka fjalën.

    Me gjithë përpjekjet, as REL-i nuk ka arritur të bjerë në kontakt me të.

    Si të ringjallet Trepça?

    Tregu, ku aktualisht eksporton Trepça, është ai evropian.

    Sipas deklaratës së udhëheqjes së Trepçës për REL-in, në pesë vjetët e fundit, produktet e saj shiten në Zvicër, Angli dhe Bullgari.

    Por, pavarësisht sigurisë së tregut, vetëm me shitjen e koncentrateve, Trepça nuk mund të mbijetojë, thotë Izet Ibrahimi, profesor në Fakultetin e Gjeoshkencave në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”.

    Ringjallja e Trepçës, sipas tij, mund të ndodhë vetëm nëse pjesërisht kalon në duart e sektorit privat, sepse investimet nga Qeveria janë për mbijetesë dhe jo për zhvillimin e saj.

    “Të gjitha qeveritë në vazhdimësi, të ndikuara nga ana emocionale, dëshirojnë ta ruajnë pronësinë shoqërore – që unë mendoj se është gabim i madh. Ekziston forma e partneritetit publiko-privat apo me koncesion që të jepet një sektor, siç është metalurgjia, përpunimi i produkteve…”, thotë Ibrahimi.

    Qeveria e Kosovës nuk u përgjigj as në pyetjen se a ka mundësi që Trepça të privatizohet pjesërisht.

    Jashari thotë se “minatorët punojnë në kushte mesjetare”.

    “Për të pasur prodhim, duhet të ketë teknologji. Makinat janë të vjetruara, mirëmbajtja është e shtrenjtë. Më llogari ke ta blesh të re, sesa ta mirëmbash ndonjë makinë”, sipas tij. /REL/

     

     

    KEDS ‘zhduk’ rrjetin ajror nga qendra e Malishevës
    Nga Rubrika
    Lajme11 Tetor 2024
    Kryetari i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari thotë për Front Online, se janë të zhgënjyer dhe të shqetësuar...
    Lajme11 Tetor 2024
    Instituti i Kosovës për Drejtësi së bashku me Shoqatën e Pensionistëve organizojnë takim diskutues me pensionistë. Me këtë rast, ata do ta...
    Lajme11 Tetor 2024
    Sot mbahet ceremonia e ndërrimit të komandës së KFOR-it në Kosovë. Gjenerali i Ushtrisë Turke, Ozkan Ulutash do ia dorëzojë këtë post...
    Të tjera
    Lajme10 Tetor 2024
    Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje, ka thënë se nuk duhet të ngarkohet vetëm shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza...
    Lajme10 Tetor 2024
    Sylë Ukshini, ish-shef i misionit diplomatik në Tiranë dhe njohës i rrethanave politike, ka vlerësuar se dinamika e dialogut ndërmjet Kosovës dhe...
    Lajme10 Tetor 2024
    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kujtim Shala, ka folur për audio-incizimin e publikuar ku dëgjohet një bisedë mes kryetares së Grupit...
    Lajme10 Tetor 2024
    Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri n ngriti pyetje se pse është fshehur një marrëveshje e partisë në pushtet me...
    Bota/Rajoni10 Tetor 2024
    Gazetarja ukrainase, Victoria Roshchyna, e cila ishte zhdukur në territoret e uzurpuara nga Rusia, ka vdekur gjatë kohës sa ishte në robërinë...
    Lajme10 Tetor 2024
    Kryetari i Nismas Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka kritikuar Qeverinë e Albin Kurtit për mungesë të investimeve. Ai në “Pressing” të T7, ka...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.