×
  • Lajme
  • Lajme

    Tre ministra të jashtëm, edhe një vit tjetër i dështuar i diplomacisë kosovare

    FrontOnline
    02 Janar 2021

    Ministria e Punëve të Jashtme, të cilës në qeverisjen e ish-kryeministrit Albin Kurti së bashku me Lidhjen Demokratike të Kosovës iu shtua edhe ministria e Diasporës ka pasur një vit të dështuar sa i përket sukseseve diplomatike.

    Viti 2020 këtë ministri e gjeti me ushtrues të detyrës së ministrit pasi qeveria e dorëhequr në vitin 2019, ajo e udhëhequr nga Ramush Haradinaj dhe ngërçi që u krijua pas zgjedhjeve të 6 tetorit, në Kosovë, bënë që shumë poste qeveritare të kishin në krye ushtrues detyre, shkruan lajmi.net.

    Brenda një viti, Ministria e Punëve të Jashtme u udhëhoq nga tre ministra të ndryshim – që vijnë nga 3 subjekte të ndryshme politike dhe nga tri qeveri të ndryshme.

    Ishte fillimisht Behgjet Pacolli, i cili ishte ushtrues detyre e ministrit të Punëve të Jashtme kur filloi viti 2020 dhe më 4 shkurt kur edhe ia dorëzoi detyrën e kreut të MPJ-së, Glauk Konjufcës së VV-së, nuk shquhet për ndonjë të arritur me ministrinë e tij.

    Për një muaj e 4 ditë sa ishte në krye të MPJ-së Behgjet Pacolli gjatë vitit 2020, kjo ministri nuk bëri pothuajse asgjë.

    Përveç marrëveshjes për njohjen reciproke të patent-shoferëve me Maqedoninë e Veriut dhe marrëveshjes për bashkëpunim ndërkufitar me Shqipërinë, Malin e Zi e Maqedoninë e Veriut, MPJ në këtë periudhë u bë edhe anëtare e ICAR (Komiteti Ndërkombëtar për Regjistrimin e Përformancës së Kafshëve), por nuk kishte asnjë lëvizje rreth fuqizimit diplomatik të Kosovës.

    Më 4 shkurt, Behgjet Pacolli ia dorëzoi detyrën e ministrit të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufcës nga Lëvizja Vetëvendosje.

    As gjatë kohës kur Konjufca ishte në krye të kësaj ministrie, Kosova nuk pati ndonjë sukses në fushën e diplomacisë.

    Vendimi i parë i Konjufcës ishte shkarkimi i konsujve me shfuqizimin e një vendimi që ai e konsideronte të kundërligjshëm.

    “Znj. Xheraldina Rexhepi – Konsulle në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Vjenë/Austri; Z. Festim Lushtaku – Konsull në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Tiranë/Shqipëri; Z. Kadri Balaj – Konsull në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Podgoricë/Mali i Zi; Z. Henor Pakashtica – Konsull në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Sofje/Bullgari; Z. Xhavit Gerbeshi – Konsull në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Duseldorf/Gjermani; Z. Ngadhnjim Makolli – Konsull në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Kanberra/Australi; Z. Ramiz Ismajli – Konsull në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Abu Dhabi/EBA; Z. Ismet Hajdini – Konsull në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Pragë/Çeki; Znj. Modesta Imeri – Konsulle në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Ëashington/Shtetet e Bashkuara të Amerikës; Z. Eshref Haxhiu – Konsull në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Doha/Katar; Z. Kadri Gërvalla – Konsull në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Shtutgart/Gjermani; Z. Lutfi Bilalli – Konsull në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Frankfurt/Gjermani; Z. Liridon Sadrija – Konsull në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës se Kosovës në Hamburg/Gjermani; Znj. Diellza Hoti – Konsulle në Ambasadën e Republikës së Kosovës në EBA.”, ishin në listën e të shkarkuarve nga ish-ministri Konjufca.

    E në kohën e udhëheqjes së Konjufcës, MPJD-ja u përfshi në një skandal diplomatik. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës falënderoi zyrtarisht shtetin e Xhamajkës për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe kjo po paraqitej nga Lëvizja Vetëvendosje si “era e ndryshimit në Xhamajkë”.

    Por, lajmi se Xhamajka e ka njohur pavarësinë e Kosovës u përgënjeshtrua nga autoritetet e Xhamajkës, ndërsa MPJD e fajësoi për këtë ambasadoren e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitakun.

    Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ia refuzoi kërkesën për ta vizituar Kosovën, sekretarit të Zyrës së Presidentit të Serbisë, Nikola Selakoviq. Kërkesa u refuzua për shkak të arrestimit të padrejtë dhe mbajtjes së vazhdueshme në paraburgim nga autoritetet e Beogradit, të qytetarit të Republikës së Kosovës, Nezir Mehmetaj, por për të njëjtin, Kosova veç kërkesave për lirim, nuk ndërmori asnjë hap konkret.

    E në kohën e udhëheqjes së Konjufcës, njëlloj si në kohën e udhëheqjes së Behgjet Pacollit nuk ka shumë arsye për t’u krenuar.

    Ishte marrëveshja e kyçjes me Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës me Operatorët e Sistemeve të Transmisionit të Evropës ajo që u paraqit si fitore diplomatike dhe proklamohej si pavarësim energjetik i Kosovës.

    Pos kësaj, MPJD e udhëhequr nga Konjufca i dha jehonë të madhe edhe lajmit se ka hequr vizat me shtetin e Shën Luçisë për shtetasit me pasaporta diplomatike dhe zyrtare, e gjithashtu edhe se pas fillimit të pandemisë që rezultoi me mbylljen e kufijve, MPJD u krenua se ia mundësoi 10 kosovarëve të kalojnë në kufirin Slloveni – Kroaci për të ardhur në Kosovë.

    Gjatë udhëheqjes së Konjufcës me MPJD-në, ky i fundit kishte vendosur të hiqte dorë nga tentimi i Kosovës për t’u anëtarësuar në INTERPOL, pasi e kishte parë si jo të gatshme lobimin e Kosovës dhe se e kishte parashikuar edhe një dështim të radhës në organizatën më të madhe të policisë në botë.

    Pas rrëzimit të qeverisë Kurti me mocionin e mosbesimit të inicuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, udhëheqjen e qeverisë e mori Avdullah Hoti i Lidhjes Demokratike të Kosovës në një koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismën Socialdemokrate e minoritetet.

    Pas AKR-së e LVV-së, radha për udhëheqjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe diasporës i kishte ardhur AAK-së me Meliza Haradinaj-Stublla, e cila, gjithashtu, nuk u shqua për ndonjë sukses diplomatik, por më tepër për deklarata politike e konfrontuese me Serbinë.

    MPJD në kohën e Meliza Haradinaj-Stublla e përmbylli kryesimin njëvjeçar të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), por nuk është se nisi diçka të madhe.

    Haradinaj-Stublla bëri që të hyjë në fuqi një marrëveshje interesante për të cilën shumë pyetën për qëllimin e që ishte marrëveshja mes Kosovës dhe Mbretërisë së Arabisë Saudite për eliminimin e Tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal në tatimin në të ardhura.

    Vendimi i Konjufcës për shkarkimin e konsujve dhe ambasadorëve të cilëve iu kishte kaluar mandati u pezullua si vendim nga Haradinaj-Stublla, e cila tha se ky vendim s’ishte anuluar, por vetëm ishte pezulluar për një kohë të pacaktuar.

    Në marrëveshjen midis Kosovës dhe Serbisë të 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë – pika e fundit e marrëveshjes thoshte se Kosova dhe Izraeli do të vendosin marrëdhënie diplomatike me njëra-tjetrën, por pak ose fare hapa konkret u bënë në këtë drejtim.

    Kjo marrëveshje e cila binte mbi supet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës si duket përgjigjen e gjeti në një bashkëbisedim nëpërmjet telefonit që e bëri Haradinaj-Stublla me ministrin e jashtëm të Izraelit, Gabriel Ashkenazi, por më tutje, asgjë konkrete nuk pati.

    Gjatë datave 6 dhe 12 tetor të këtij viti, MPJD e Kosovës arriti që t’i fuqizoj disa vendime me Bashkimin Evropian.

    Marrëveshjet që u fuqizuan ishin: “Marrëveshjen financiare, kushtet e veçanta për “IPA 2019, pjesa e dytë, objektivi 2”, ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, nënshkruar me datë 24 Gusht 2020, Marrëveshja për pjesmarrjen e Kosovës në Programin e BE-së “Fiskals 2020” në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Bashkimit Evropian, Marrëveshja për pjesmarrjen e Kosovës në Programin e BE-së “Costum 2020” në mes të Republikës së Kosovës pëfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Bashkimit Evropian dhe një marrëveshje me Francën që ka të bëjë me vendosjen dhe aktivitetin e Agjencisë Franceze për Zhvillim, të PROPAKOS-s dhe të Expertise France në Kosovë, në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Qeverisë së Republikës Franceze.

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës gjithashtu gjatë muajit tetor zhvilloi një takim virutal me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Izraelit lidhur me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve dhe gjithashtu për lokacionin e hapjes së ambasadës së Kosovës në Jerusalem.

    MPJD në nëntor të këtij viti arriti të fuqizojë edhe marrëveshjen financiare për IPA 2019, pjesa e dytë, objektivi 1, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

    Por, të gjitha këto aktivitete të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe takime të shumta të zhvilluara brenda një viti nuk sollën asnjë rezultat sa i përket fuqizimit të subjektivitetit të Kosovës në rrafshin ndërkombëtar.

    Në fushën e sjelljes së njohjeve të reja, Kosova ka afër tri vite që nuk është njohur nga asnjë shtet. Njohja e fundit e pavarësisë së Kosovës është në shkurt të vitit 2018 nga Barbadosi, ndërsa ajo e parafundit edhe një vit më herët nga Madagascari.

    Edhe afër 13 vite pas pavarësisë, Kosova ende nuk ka marrë liberalizimin e vizave nga Bashkimi Evropian dhe gjithashtu ka hequr dorë nga tentimi për t’u anëtarësuar në INTERPOL.

    Përveç kësaj, në marrëveshjen e 4 shtatorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku prezente ishte edhe ministrja Haradinaj-Stublla, Kosova ka pranuar të heq dorë nga lobimi për anëtarësim në organizata ndërkombëtare për një vit.

    Në anën tjetër, Kosova ka dështuar të ndalë edhe fushatën e çnjohjeve nga Serbia që ka rezultuar me rreth 20 çnjohje nga shtete të ndryshme, por këtë për Kosovën e ka bërë SHBA-ja me një marrëveshje me Serbinë që parasheh ndaljen e lobimit të Beogradit kundër pavarësisë së Kosovës.

    Me deklarata më tepër politike-populiste dhe me më pak angazhim diplomatik, MPJD e Kosovës ka dështuar edhe këtë vit që të sjellë ndonjë sukses të madh në fushën diplomatike për vendin.

    Punime në rrjet, KEDS tregon ku do të ketë nesër ndërprerje të rrymës
    Nga Rubrika
    Lajme29 Mars 2024
    Ish-kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka thënë se vota kundër Kosovës e Malit të Zi në Komitetin për Politikë dhe...
    Lajme29 Mars 2024
    Lidhur me çështjen e rrymës në veri për Front Online ka folur edhe kryesuesi i Asamblesë Komunale të Mitrovicës Veriore, Nexhat Ugljani....
    Lajme29 Mars 2024
    Sot do të mbahet mbledhja e radhës e Kryesisë së Kuvendit. Në rend dite votimi i disa marrëveshjeve ndërkombëtare e themelimi i...
    Të tjera
    Lajme28 Mars 2024
    Rusia dështoi të enjte në përpjekjen për një seancë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku do të diskutohej rreth...
    Lajme28 Mars 2024
    Kryeministri Albin Kurti, ka bërë iftar bashkë me ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı, zëvendësministrin në Ministrinë e Punëve të...
    Lajme28 Mars 2024
    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, bashkë me deputeten e Listës Guxo, në grupin parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Jeta Statovci, ishin për iftar...
    Lajme28 Mars 2024
    Pasditen e së enjtes, një ngjarje tragjike ka ndodhur në Obiliq. Një grua është gjendur pa shenja jete në fshatin Dardhisht. Lajmin...
    Lajme28 Mars 2024
    Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër Bedri Hamza, ka thënë se qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti, është pa rezultate....
    Lajme28 Mars 2024
    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se këtë vit e kemi filluar pa viza e me pasaportë shumëfish më të fuqishme,...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.