Tenderët

Telekomi ankohet për UP-në në OSHP, kërkon anulimin e kontratës me biznesin privat (DOKUMENTE)

Telekomi ankohet për UP-në në OSHP, kërkon anulimin e kontratës me biznesin privat (DOKUMENTE)
08:28 | 20 Prill 2022

Universiteti i Prishtinës ka nënshkruar një kontratë një burimore më datën 28 mars 2022. Atë i ka dhënë drejtpërdrejt, pa publikim të njoftimit, operatorit privat, Kujtesa. Procedurën e ka arsyetuar me nevojën urgjente që kanë për shërbimet e internetit, fakultetet, administratat dhe rektorati. Kontrata peshon afër 11 mijë euro dhe është paraparë të vlejë një vit, raporton “Front Online”.

Ankesa për mënyrën si shkoi ky aktivitet i prokurimit ka institucioni tjetër publik, Telekomi i Kosovës. Ndërmarrja, pikërisht në ditën kur u firmos tenderi, u ankua në Zyrën e Prokurimit në UP. Përgjigjja që mori nga kjo e fundit ishte negative. Ankesa u hodh poshtë si e pabazuar. Kjo nuk e zmbrapsi Telekomin. Kompania, një javë më pas më 6 prill, u ankua edhe në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

Në ankesën e saj, e siguruar nga portali “Front Online”, TK konsideron se UP ka shkelur nenin 9.4 të Ligjit të Prokurimit.

Ky nen thotë se “nëse autoriteti kontraktues është autoritet publik, në këtë rast UP-ja, autoriteti i tillë publik duhet të marrë masa të arsyeshme për t’u siguruar se lëndët që i përmbushin këto nevoja nuk janë në dispozicion nga ndonjë autoritet tjetër publik”.

Për më tepër, sipas Telekomit, UP-ja ka rënë ndesh edhe me interpretimin e KRPP-së, i cili thotë se autoriteti publik nuk ka nevojë fare të hapë ndonjë procedurë të prokurimit, përderisa shërbimi i kërkuar ofrohet nga autoriteti tjetër publik, raporton “Front Online”.

Duke u bazuar mbi këto pretendime, Telekomi ka kërkuar anulimin e tenderit dhe hapjen e një procedure të re të prokurimit në përputhje me interpretimin e KRPP-së dhe nenin 9.4 të LPP-së.

Në ankesën e tyre, TK përmend disa raste kur është vepruar kështu. Flet për një kontratë në komunën e Pejës, një në Mitrovicë, Klinë, madje dhe një vendim të 2020-ës kur paneli shqyrtues kishte detyruar UP-në ta anulojë një kontratë.

Në rast se ankesa e tyre bie poshtë,  Telekomi deklaron se buxheti i Kosovës dëmtohet për afër 11 mijë euro, meqë është ndërmarrje që financohet nga shteti.

Kjo, mbase edhe do të ndodh.

Eksperti i Prokurimit, Visar Bibaj e ka analizuar komplet tenderin.

Ai i ka propozuar panelit shqyrtues që ankesën e Telekomit ta hedh poshtë, për shkak se sipas tij kontrata veç është lidhur mes UP-së dhe Kujtesës.

Në këtë rast, ai thotë se neni 105, pika 2.6, i pamundëson OSHP-së pezullimin ose shkëputjen e kontratës në momentin kur ajo veçse është e lidhur.

Vendimet paraprake kur Paneli Shqyrtues ka anuluar vendimet e njëjtës natyrë, në të cilat edhe u thirr Telekomi, ka thënë se ishin të paligjshme. Si argument përdori aktgjykimet e Gjykatës Themelore në Prishtinë, raporton “Front Online”.

Paneli shqyrtues nuk ka marrë akoma asnjë vendim për këtë rast.

Ndryshe, ka mbi një vit kur Gjykata e Tenderëve është jofunksionale.

Nga 31 marsi i vitit të kaluar e deri në mars të 2022-ës janë gjithsej mbi 700 tenderë të bllokuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).

Shkak për grumbullimin e këtyre ankesave është mos funksionalizimi i bordit të këtij institucioni që një vit, shkruan FrontOnline.

Dy herë është tentuar të zgjidhen anëtarët e bordit të ri. Në tentimin e parë, procesi nuk kishte shkuar deri në fund. Në të dytin, zgjedhja e anëtarëve të bordit të OSHP-së dështoi në Kuvendin e Kosovës.

Nga konkursi i tretë, Qeveria e Kosovës në fillim të muajit mars i ka propozuar 10 emra Kuvendit të Kosovës: Nita Bejtën, Milot Spahiun, Arbnor Tmavën, Vedat Pterqojn, Faruk Rexhajn, Batisha Ibrahimin, Dafina Gashin, Kimete Gashin, Bujar Lushakun dhe Vjosa Gradinaj Mexhuanin.

Tre të parët – Nita Bejta, Milot Spahiu, Arbnor Tmava – nuk kanë konkuruar fare në konkursin për përzgjedhjen e kryetarit dhe katër anëtarëve të OSHP-së.

Kjo nuk është hera e parë që Gjykata e Tenderëve jetë pa bord.

Ngjashëm kishte ndodhur edhe në vitin 2016 dhe në vitet 2013/14.

Bllokada 7 muajshe ishte bërë shkak i grumbullimit të një numri të madh ankesash, raporton Front Online.

Si ato të 2016-s si ato të 2013/14-s nuk u trajtuan fare nga bordet që erdhën, ani se kishte tenderë që ishin nënshkruar jashtëligjshëm.

Kush ështe kosovari THE VICTOR që synon tregun e jashtëm? (video)

Të tjera