Opinione

Të përqendrohemi te fuqia e Europës

Të përqendrohemi te fuqia e Europës
16:54 | 10 Shkurt 2020

Trazirat gjeopolitike që ne po shohim sot theksojnë urgjencën me të cilën Bashkimi Europian duhet të gjejë rrugën e vet në një botë që karakterizohet gjithnjë e më shumë nga politika të pushteti të pakontrolluar. Ne europianët duhet të rregullojmë hartat tona mendore për t’u përballur me botën ashtu si ajo është, jo ashtu siç ne shpresonim se do të ishte.

Kjo është një botë konkurrence gjeostrategjike, në të cilën disa liderë nuk kanë skrupuj përsa i takon përdorimit të forcës dhe ku instrumentet ekonomike dhe të tjera shndërrohen dhe përdoren si armë. Për të mos qenë humbës në garën e ditëve të sotme SHBA-Kinë, ne duhet të rimësojmë gjuhën e pushtetit dhe ta konceptojmë Europën si një aktor gjeostrategjik të nivelit të lartë.

Në fillim, përballja me këtë sfidë mund të duket e vështirë. Mbi të gjitha, BE-ja u krijua për të shfuqizuar politikën e pushtetit. Ajo ndërtoi paqen dhe sundimin e ligjit duke ndarë pushtetin e fortë nga ekonomia, bërja e rregullave dhe pushteti i butë. Ne menduam se multilateralizmi, të qenit të hapur dhe reciprociteti përbënin modelin më të mirë jo vetëm për kontinentin tonë, por edhe për botën më të gjerë.

Gjërat dolën ndryshe. Për fat të keq, ne përballemi me një realitet më të ashpër, me shumë aktorë të gatshëm të përdorin forcën që të dalë e tyrja. Çdo ditë, ne shohim mjete ekonomike, të dhëna, teknologji dhe politika tregtare që përdoren për qëllime strategjike.

Si përballet Europa me këtë botë të re? Shumë thonë që politika e jashtme e BE-së nuk do të ketë kurrë sukses, sepse Europa është shumë e dobët dhe shumë e ndarë. Sigurisht që është e vërtetë që nëse vendet anëtare nuk pajtohen me linjat kryesore të veprimit, besueshmëria jonë kolektive vuan. Ndonjëherë, ne biem dakord vetëm për të shprehur shqetësimet tona, por jo për atë që do të bëjmë në lidhje me këtë gjë. Me rregulla unanimiteti, është e vështirë të arrihen marrëveshje për çështje ndarëse dhe rreziku i paralizës është gjithmonë i pranishëm. Shtetet anëtare duhet të kuptojnë se përdorimi i vetos së tyre dobëson jo vetëm Bashkimin, por edhe veten e tyre. Askush nuk mund të deklarojë se dëshiron një rol më të fortë europian në botë pa investuar në të.

Europa duhet të shmangë dorëheqjen dhe hapërdarjen. Dorëheqja do të thotë të mendosh se problemet e botës janë shumë dhe shumë larg që të gjithë europianët të shqetësohen për to. Është e rëndësishme për një kulturë të përbashkët strategjike që të gjithë europianët t’i shohin kërcënimet e sigurisë si të pandara. Të besosh se Libia dhe Saheli janë shqetësime që i takojnë vetëm vendeve mesdhetare është aq absurde sa të mendosh se siguria e vendeve baltike ka të bëjë vetëm me Europën Lindore.

Hapërdarja konsiston në dëshirën për t’u përfshirë gjithandej, duke shprehur shqetësime ose vullnet të mirë, të kombinuara me fonde humanitare ose ndihmë për rindërtim, sikur fuqitë e mëdha të kenë të drejtë të thyejnë pjata ndërsa BE-ja është ajo që ofron pjata të reja. Ne duhet të jemi të qartë për qëllimet tona politike dhe gamën e plotë të kapaciteteve tona.

Problemi i Europës nuk është një mungesë fuqie. Problemi është mungesa e vullnetit politik për të grumbulluar fuqitë e saj për të garantuar koherencën e tyre dhe për të maksimizuar ndikimin e tyre.

Diplomacia nuk mund të ketë sukses, nëse nuk mbështetet nga veprimet. Nëse duam që armëpushimi i brishtë në Libi të zgjasë, duhet të mbështesim embargon e armëve. Nëse duam që marrëveshja bërthamore e Iranit të mbijetojë, ne duhet të sigurohemi që Irani të përfitojë nëse bashkëpunon plotësisht. Nëse duam që Ballkani Perëndimor të ketë sukses në rrugën e pajtimit dhe reformës, duhet të ofrojmë një proces të besueshëm pranimit në BE që ofron përfitime shtesë. Nëse duam paqe midis izraelitëve dhe palestinezëve, duhet të jemi të vendosur për një zgjidhje të negociuar të dakorduar nga të gjitha palët, bazuar në ligjin ndërkombëtar. Nëse nuk duam që rajoni Sahel i Afrikës të hyjë në një fazë ku mbizotëron mungesa e ligjit dhe pasiguria, duhet të zgjerojmë angazhimin tonë. Në këto dhe fusha të tjera, vendet anëtare duhet të përmbushin përgjegjësitë e tyre.

Përveç trajtimit të krizës në Europë, ka edhe dy përparësi të tjera kryesore.

Së pari, BE duhet të krijojë një strategji të re, të integruar për dhe me Afrikën, kontinentin tonë motër. Ne duhet të mendojmë dhe të përdorim politikat tona mbi tregtinë, inovacionin, ndryshimet klimatike, hapësirën në internet, sigurinë, investimet dhe emigracionin për t’i dhënë “jetë” retorikës sonë për të qenë partnerë të barabartë.

Së dyti, duhet ta marrim seriozisht krijimin e qasjeve të besueshme për t’u përballur me aktorët e sotëm strategjikë global: Shtetet e Bashkuara, Kina dhe Rusia. Ndërsa janë të ndryshëm në shumë mënyra, të tre praktikojnë diskutimin e njëkohshëm të dy ose më shumë çështjeve për një zgjidhje të përbashkët dhe politikën e pushtetit. Përgjigja jonë duhet të jetë e diferencuar dhe e nuancuar, por e qartë dhe e gatshme të mbrojë vlerat, interesat dhe parimet e dakorduara ndërkombëtare të BE-së.

Asnjë nga këto nuk do të jetë e lehtë dhe jo të gjitha do të arrihen këtë vit. Por betejat politike fitohen pse humben në varësi të mënyrës sesi ato inkuadrohen. Ky duhet të jetë viti që Europa të bëjë progres me një qasje gjeopolitike, duke iu larguar fatit të të qenit një lojtar në kërkim të identitetit të saj.

/Project Syndycate/BIRN/

Super zbritje në “Petrol Company”

Të tjera