Kronika

Të mërkurën kulmoi dhuna në familjet kosovare, psikologët flasin për pasojat

Të mërkurën kulmoi dhuna në familjet kosovare, psikologët flasin për pasojat
19:15 | 13 Janar 2022

E mërkurja e 12 janarit nuk qe aspak e qetë për disa familje kosovare.

Të paktën, gjashtë prej tyre raportuan në Polici për dhunën brenda shtëpisë, shkruan “Front Online”.

Në katër prej këtyre rasteve, viktima të dhunës ishin gratë, disa prej të cilave edhe morën tretman mjekësor shkaku i goditjeve nga burrat e tyre.

Në dy të tjerat e pësuan prindërit dhe një burrë, i cili i sulmua nga gruaja e tij.

Incidentet që Policia e Kosovës i bëri të ditura në raportin e saj 24 orësh ndodhën në lokacione të ndryshme: Prishtinë, Podujevë, Ferizaj, Klinë dhe Gjakovë.

Psikologët tregojnë për pasojat me të cilat ballafaqohen ata që përfshihen direkt ose indirekt në rrahjet familjare.

“Dëmet janë të mëdha dhe që me kalimin e kohës ato marrin përmasa shumë të mëdha, dhe mundësia është shumë e madhe që ajo dhunë të bartet edhe tek personat që kanë qenë prezent me rastin e dhunës së krijuar nga të tjerët”, shprehet për “Front Online”, Memi Gallopeni, psikolog.

Sipas tij, dhuna që shfaqet në prani të të tjerëve shkakton dëmtime në aspektin psiqik e emocional.

Lidhur me zënkat fizike të së mërkurës Policia arrestoi katër persona deri sa është në kërkim edhe të të pestit.

Për shkak të problemeve familjare,  pak javë më parë, L.Q. nga fshati Llaushë i Skenderajt dyshohet se u qëllua për vdekje nga burri i saj S.Q.

Ndryshe, institucionet në vend vazhdimisht thonë se angazhohen, madje bëjnë edhe fushata vetëdijësuese kundër dhunës në familje.

 

Cilësi, gatim dhe shpërblim

Të tjera