Kandidati për kryeministër nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar pas sulmit të mbrëmshëm në veri të Kosovës, duke e cilësuar atë si akt terrorist dhe një nga sulmet më të barbarë ndaj Kosovës pas luftës.
Në një postim në rrjetet sociale, Haradinaj ka vlerësuar reagimin e shpejtë të institucioneve të Sigurisë dhe emergjencave për të vendosur situatën nën kontroll, duke kërkuar që përgjegjësit e këtij sulmi të marrin dënimin e merituar. Ai ka theksuar se ky sulm kishte si objektiv shkatërrimin e dy segmenteve jetike për jetën e qytetarëve: furnizimin me ujë dhe energji, me qëllimin për të shkaktuar një krizë të papërballueshme.
Haradinaj ka bërë thirrje për një hetim ndërkombëtar dhe ka kërkuar ndihmën e partnerëve strategjikë për zbardhjen e kriminelëve dhe skenarëve të mundshëm të destabilizimit të Kosovës. Ai ka vlerësuar se situata është më serioze se një luftë hibride dhe ka akuzuar Kryeministrin për tentativë të devijimit të vëmendjes nga ky sulm duke e trajtuar si një çështje politike të brendshme.
Në fund, Haradinaj ka theksuar se aleanca me SHBA-në është përgjigjja më e mirë ndaj kërcënimeve nga Rusia dhe Serbia, duke u shprehur të gatshëm për të mbrojtur Kosovën me çdo çmim.