[wp-story]

Lajme

Stambolli midis orientit dhe oksidentit

Stambolli midis orientit dhe oksidentit
14:03 | 10 Gusht 2019

Tri herë brenda pak minutash Özlem Batal-Bash e përmend thënien e Napoleon Bonapartës se sikur të kishte një kryeqytet të botës, ky do të ishte Stambolli. Gjatë gjithë kohës jep fakte jo veç për t’i joshur turistët, por ajo ashiqare e beson këtë. Batal-Bash udhëheq një agjenci turistike, nikoqire në një jaht privat në turin nëpër Ngushticën e Bosforit, shkruan sot Koha Ditore.

E promovuar dhe e shkruar në çdo guidë – se kjo është gryka që e ndan në dysh – Stambolli është më shumë sesa qyteti i vetëm në botë që shtrihet në dy kontinente, në Evropë dhe Azi. Zonja me sy të shkruar, mikpritëse e dashamirëse edhe kur këtë e bën për biznes, sigurohet që grupi i gazetarëve nga Kosova të bindet vetë.

“Ja shiheni! A s’ka pasur të drejtë Napoleoni?”, pyet, teksa hedh shikimin disi melankolik sikur nuk ngopet me pamjen që e ka parë me qindra herë. Po aq janë rrëfimet që shpalos për nja një orë sa zgjat lundrimi. Të pambarimta janë ato që mund të ngjallë ky qytet ku kryqëzohen kontinentet, kulturat e civilizimet. Aty ku janë të dukshme gjurmët që ka lënë e kaluara, perandoritë e dikurshme, e që turqit e sotëm krenohen me to. Se si i promovojnë është tjetër punë dhe janë të zotë në këtë. Historia u del në ndihmë.

Qyteti, që i ka rrënjët këtu e 2 600 vjet më parë, ka mahnitur edhe ata që e pushtuan e ia dhanë emrin. Krahas atij më të njohurit, Kostandinopoja, historia e njeh edhe me cilësime e emra të tjerë si “Basilevousa”, përkthyer si “Mbretëreshë midis qyteteve” a “Megapolis” për “Qytet të madh”. Për të parin dëshmi është përjetimi i këtij qyteti. Për të dytin, edhe statistikat.

Özlem Batal-Bash rrallë përmend shifra. Është prej atyre që thotë se ato janë të shumta.

“Stambollin duhet përjetuar”, thotë ajo, jo veç për t’u arsyetuar. Dhe ka të drejtë në këtë.

“Petrol Company” ul çmimet për 15 %. Ja sa kushton një litër naftë

Të tjera